Replika e Rron Gjinovcit për shkrimin “Feministet sezonale”

    Rron Gjinovci
    (shkrimi është publikuar pa asnjë ndërhyrje dhe qëndrimet e autorit jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit)

    Fatkeqësisht mikum im, një intelektual fantastik, Sead Zimeri paska vendosë me qenë bashkëautor i nji shkrimi të shkrum keq, të dobët dhe me nji kontradiktë logjike në tërësinë e vet, që m’boni me dyshu fillimisht që Seadi është një nga autorët e atij shkrimi.

    Krejt argumenti i autorëve Zimeri dhe Avdiu në shkrimin autorial “Feministet Sezonale” ndërtohet mbi një definicion, simbas të gjitha gjasave të tyrin, për atë se çka është feministja. Çështja është që ne nuk e dimë kush e ka vendosë që ai është definicioni i feministes dhe pse ata të dy po mendojnë që të gjithë na të tjerët pajtohemi me të.

    “Një feministe lufton kundër nënshtrimit të grave ndaj autoritetit mashkullor, ndaj patriarkatit dhe NUK NDALET së luftuari pa e arritur qëllimin.’’

    Kush e tha këtë? Kur u vendos kjo? Në cilën konferencë a kongres të feministëve josezonalë për të cilët ne sezonalët nuk po kemi njohuri, qenka vendosë ky definicion i feministes?

    Feministja për të qenë e tillë, u dashka të mos ndalet së luftuari për ta arritur qëllimin! Pse u dashka të mos ndalet? Për ma tepër: çdo me thënë “ndalja”? Kush e përcakton se u ndal apo nuk u ndal një feministe së luftuari? A paskan përcaktu forma të caktuara luftash Zimeri e Avdiu të cilat gjithë njerëzimi u dashka me i përqafu?
    Tutje vazhdon shkrimi me një përcaktim kriteresh për atë se çka është feminizmi.

    “Feminizëm do të thotë të rrezikosh, rreziqe që mund të shkaktojnë vetëm dhimbje koke dhe vuajtje; por ia vlen dhimbja, sepse në dhimbje ka dinjitet dhe integritet ndërsa në tërheqje ka vetëm turp dhe nënshtrim ndaj normave shtypëse.”

    Unë di plot gra e burra, vajza e djem në Kosovë që e përmbushin ose në një kohë të caktuar e kanë përmbushur këtë kriter të vendosur nga josezonalët Zimeri e Avdiu, por ata të dy nuk më duket se e përmbushin vet kriterin e tyre. Këta të dy mund të kenë përjetuar dhimbje gishtërinjsh teksa shkruajtën këtë shkrim të dobët, ndoshta, besoj edhe dhimbje koke për të shkruar një shkrim kaq të koklavitun strukturalisht. Njëri jeton në privilegjet dhe luksin e vendeve nordike, tjetra është një person pa asnjë kontribut të vetëm në aktivizëm, qoftë edhe feminist, përveç pallavrave të facebookut. Për ma tepër ishte (nuk e di a është ende) pjesë e një korporate famëkeqe për shtypjen e punëtorëve në Kosovë në të cilën kjo gëzonte privilegjet e eksurzioneve në Turqi, ndërkohë që kompania përjashtonte masivisht nga puna punëtorët pasi ishte privatizu.

    Unë vet, kam shumë mospajtime e mospëlqime për plot nga aktivistët që veprojnë në Kosovë. Por, si mundet dikush që e cilëson veten aktivist me sulmu e me i pengu në punë aktivistët e tjerë kur janë ata që përpiqen në terren me i ndryshu gjanat. Janë aktivistet feministe “sezonale” (siç i quajnë autorët Avdiu e Zimeri – feministët josezonalë), të cilat shkojnë nëpër qytete të Kosovës ku gratë nuk dalin as nëpër kafene e shkruajnë parulla feministe mbi muret e institucioneve, përballen e përleshen me policinë, janë feministet “sezonale” që i organizojnë marshet, protestat, rezistencën e guximshme feministe nëpër Kosovë. Janë feministet “sezonale” ato që përmes punëve me OJQ kanë ndërruar situatat e shumë grave të shtypuna në Kosovë, janë gjithmonë, kur duhet, feministet “sezonale”. Janë ato që kanë rreziku, që kanë përjetu e përjetojnë dhimbjet e sulmeve të shoqnisë tonë patriarkale, që kanë tregu dinjitet e integritet e të cilat nuk tërhiqen as nuk nënshtrohen, por siç bën çdo njeri në botë, i avancojnë, ndërrojnë, braktisin disa metoda dhe zgjedhin të tjera mbase, po kush janë Zimeri e Avdiu për të përcaktuar cilat janë më të mira, ato që përdornin apo ato që përdorin?

    Për fund, i tërë shkrimi është një kritikë që po të pastrohet nga të gjitha manovrat pështjelluese të autorëve, konsiston në atë se feministet (ato sezonale) nuk po punojnë sa duhet. Pra siç arrijmë të kuptojmë nga ky shkrim, ndonëse me vështirësi sepse është i shkruar keq, feministja nuk duhet të jetë part time, pra me sezona, por full time përjetësisht. Abstraho të gjitha pytjet që lindin, si çdo me thënë ndalja, cilat janë format e luftës të “certifikuara”, pra që numërohet luftë e mirëfilltë, kush e përcakton feminizmim, cili definicion është më afër të vërtetës për feminizmin dhe feministin/en etj. etj., pra po e marrim si të mirëqenë kritikën e tyre, që feministet në Kosovë qenkan sezonale, atëherë, të dashurit e mi, a na tregoni nga çfarë pozite e kundërt me këtë, po tregoni ju se si duhet të jetë feministi/ja e mirëfilltë? A na e tregoni, sipas definicionit tuj, rrezikun që keni ndërmarrë, kokëdhimbjet dhe dhimbjet që u janë shkaktu, dhe sa keni pasë ju persistencë në krejt këtë ndërmarrje tuajën josezonale?

    Artikullin “Feministet sezonale” me autorë Sead Zimeri dhe Zana Avdiu mund ta gjeni KËTU!

    Lajmi Paraprak

    Përplasi për vdekje fëmijën e mitur në Himarë, autori është komisar i policisë

    Lajmi i rradhës

    Shkëndija dhe Ballkani të enjten do të përballen kundër rivalëve të tyre në UEFA Ligën e Konferencës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë