Rrëfimi i artistit Steve McCurry, për dhjetë fotografi të tij

    Me një karrierë 40-vjeçare si fotograf, ka shkelur në çdo cep të botës. Libri i tij i ri “In Search of Elsewhere”, përmban një koleksion të fotove të papublikuara më parë. Për Guardian, Steve McCurry i përshkruan dhjetë nga to. Përzgjedhjet e tij Telegrafi i përcjell, si më poshtë.

    “Indi, 1999”: Ky imazh shfaq një bari që pranoi të më drejtonte në hapësirën afër Gulmagut në Jamu dhe Kashmir. I njihte nga afër nomadët që së shpejti do të kalonin nëpër zonë për të gjetur vise më të ngrohta për bagëtitë e tyre. Ai dhe familja e tij ishin shumë mikpritës dhe më ftuan në shtëpinë e tyre, ftesë të cilën me kënaqësi e pranova.

    “Kubë, 2019”: Kuba është një nga vendet e mia të preferuara për të udhëtuar. Është një bukuri e rrallë në qytetin e vjetër të Havanës. E vëzhgova këtë grua tek ecte nëpër një rrugë pazari, në atë që dikur ishte qendra e modës së qytetit. E vura re këtë dyqan nusesh me këtë manekinen (kukullën) e bukur e të re në vitrinë; e vërejta kontrastin e manekines me imazhin rinor që pret të ardhme të ndritur dhe të gruas në rrugë që ka përballuar një jetë të vështirë.

    “Indi, 1996”: Gjatë 40 vjetëve të fundit, kam qenë dëshmitar i transformimit ekonomik dhe shoqëror të Indisë. Ky imazh është bërë në një rrugë pazari në Mumbai. Ishte interesante të shihje dy gra të mbuluara teksa shihnin foton e aktores së famshme Aishwarya Rai.

    “Tibet, 2005”: Ky fëmijë i vogël shkoi me familjen e tij në festivalin javor të kalit në Litang, në provincën Siçuan, ku barinjtë nomadë tibetianë mblidhen çdo verë për të tregtuar dhe garuar me ponitë e tyre. Kam pasë fat shumë të mirë për të njohur qindra tibetianë teksa udhëtova në tokën e tyre dhe i vizitoja vendet e tyre të shenjta.

    “Papua Guineja e Re, 2017”:  “Burrat e baltosur” të malësisë së Papua Guinesë së Re, bëjnë maska të frikshme dhe pozojnë me armë, si homazh për rivalitetet e tyre të kaluara fisnore. Megjithëse sot vallëzimet e tyre janë më shumë ceremoniale, ata ende i respektojnë traditat e paraardhësve duke përkujtuar besëtytnitë dhe iluzionet e vjetra.

    “Itali, 2011”: Qyteti i Venecias më ka tërhequr më shumë herë sesa mund të numëroj. Etosi italian bazohet në të jetuarit mirë dhe në maksimum. Sinergjia magjepsëse e njerëzve dhe mjedisit të tyre krijon një furnizim të pafund situatash për t’i fotografuar. Venecia është muze i gjallë, si asnjë qytet tjetër në botë.

    “Birmani, 1995”: Një murg i ri rri ulet nën një pemë teksa studion në oborrin e manastirit të tij. Praktika e trajnimit të të rinjve për t’u bërë murgj është me shekuj e vjetër. Ata mësojnë tekstet e shenjta dhe meditojnë derisa të bëhen murgj të rritur, zakonisht rreth moshës 20-vjeçare. Shumë prej djemve të rinj që stërviten për t’u bërë murgj, vijnë nga familje të varfra që e shohin trajnimin si një mënyrë për një jetë më të mirë.

    “Antarktida, 2016”: Pas një karriere të bërjes së fotografive kryesisht me ngjyra, udhëtimi im në Antarktidë ishte një festë vizuale. I tejkaloi parashikimet e mia. Monokromatike dhe minimaliste, skulpturat gjigante lundruese janë në lëvizje të vazhdueshme, ndërsa ngjyrat e bardha dhe të kaltra vazhdimisht ndryshojnë dhe evoluojnë.

    “Indi, 2018”: Teksa ecja në një rrugicë të vogël në Kolkata, rastësisht kalova pranë këtij tempulli të vogël ku prifti po fillonte pujën, ose lutjen e mbrëmjes. Kryhet pak para muzgut dhe shënon lutjen e fundit ditore dhe përgatit mendjen për mirësinë e Zotit.

    “Madagaskar, 2019”: Gjithmonë ka qenë ëndërr e imja të udhëtoja në Madagaskar. Isha i privilegjuar ta vizitoja për herë të parë, në nëntor 2019. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme të shihja baobabët gjigantë afrikanë, për së afërmi. Ato shpesh quhen “pema e jetës”, për shkak të moshës së tyre dhe aftësisë së tyre për të ruajtur ujë në kohë thatësire. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Fotografia e hershme, në trojet shqiptare

    Lajmi i rradhës

    Maqedoni, ministri paralajmëron përsëri lehtësim të masave kufizuese

    Lajme tjera

    Ikja nga vendi…

    Sulejman Rushiti | Regjisor Ikja nga vendi, është protesta e fundit për disa dhe e vetmja për disa…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë