Shoqërisë po i tronditen “pllakat tektonike” morale

    Gëzim Tushi

    Shoqëria shqiptare sot ka kaq shumë shqetësime etike e turbulenca morale me natyrë thelbësisht ekzistenciale, që sociologjikisht dhe si qytetar nuk të lejojnë të jesh neutral e ca më tepër të mbyllësh sytë. Duke vlerësuar realitetet e përgjithshme sociale, dukuritë moralisht ekzistenciale dhe sjelljet empirike, duket qartë që ndodhemi përballë një kaosi endemik moral kompleks dhe të shumëfishtë konceptual dhe vleror.

    Janë shtuar së tepërmi problemet morale, të cilat me intensitetin që kanë marrë, duket sikur synojnë dhe me sa duket edhe po e realizojnë qëllimin pervers dhe objektivin e “fshehtë” destruktiv, duke e “goditur thellë” shëndetin e shoqërisë dhe shpartalluar sistemin e vlerave kulturore e morale të shoqërisë shqiptare. Në jetën e sotme postmoderne, në këtë shoqëri likuide, strukturalisht të paqëndrueshme, me prirje të theksuara të subjektivizmit relativist, po vjen me shpejtësi një brez që duket sikur është adekuat me kohën postmoderne dhe imperativat liberale e individualiste të saj, bazuar në mënyrë të konsiderueshme në natyrën e njeriut që e ndërton “ekzistencën sociale”, në mënyrë “enorme” dhe të bazuar mbi paradigmën e jetës kaotike e fluide.

    Gjithnjë e më shumë ndihet një braktisje konceptuale e strukturave të jetës së përbashkët, e autoritetit të tyre paradigmatik, duke besuar se jeta moderne mund të ndërtohet dhe të funksionojë pa nevojën konsensuale kulturore e qytetëruese të ekzistencës së një “qendre” të përbashkët morale e sociale. Në mënyrë evidente ka një “tingëllim social” të fortë tendenca e zgjeruar sociale e konceptit relativist si mënyrë e vetme e ndërtimit të jetës individuale dhe strukturimit të sjelljes sociale, mbi bazën e psikologjisë sempliste, se në këtë jetë dinamike, vetjake e individualiste kryesore janë plotësimi i kënaqësive të jetës empirike, sepse në këtë kohë duket sikur “asgjë nuk qëndron dhe çdo gjë kalon”.

    Si kurrë më parë është rritur presioni etik dhe agresioni moral, që tregon se tashmë jemi të sulmuar hapur nga valët e një relativizmi të shfrenuar moral. Në mënyrë sintetike duke e vlerësuar realitetin dhe anomalitë sociale evidente në këtë situatë, si kurrë më parë ndihet nevoja emergjente jo për të rikthyer skarcitetet e moralit të vjetër doktrinar me natyrë totalitare dhe totalizuese, por për të ndërtuar një kornizë morale që të përshtaten me “geistin”, frymën e kohës duke bërë të gjitha përpjekjet konceptuale dhe edukative për të rindërtuar një “bosht moral” koherent me imperativat e kohës, të rinovuar në esencë dhe strukturalisht. Pyetja që lind natyrshëm dhe që kërkon përgjigje inteligjente, reale, të vërtetë, është se si mund të ndërtojmë këtë kornizë morale e sociale, që të jetë e përbashkët dhe biofilike për përmirësimin e shëndetit moral të individit dhe shoqërisë? Por, nga ana tjetër dhe në të njëjtën kohë, pa cenuar aspak hapësirat diverse të mënyrës individuale e formave subjektive e të personalizuar të mënyrës së jetesës. Pyetje e vështirë, dilemë e madhe e kohës sonë, ekuacion jo i lehtë për t’u “zgjidhur”. Plot dhjetë vite më parë, botova librin voluminoz “Morali – ruhet apo është i tepërt”.

    Kur e shkrova isha i bindur, që konceptet dhe paradigmat moralizuese të kohës së vjetër, fosilizimet ideologjike për natyrën etikisht normative, të determinuar, të konsideruara si thelb esencial i strukturës morale dhe bazë për formimin e të ashtuquajturit “njeriu i ri”, nën presionin e zhvillimeve demokratizuese dhe zgjerimit të të drejtave universal të njeriut do të ndryshonin radikalisht. Madje, një pjesë e “korpusit marksist” doktrinar, mekanik, metafizik, jo human duhet të përmbyseshin. Natyrisht në periudha të tilla transformimesh etike, në shoqëri krijohen turbulenca morale e marramendje metafizike, vakume që vështirë të mbushen, që sjellin për pasojë një “shkretëtirë morale”, e shoqëruar me paqartësi të orientimit moral, individual e social.

    Në librin tim tentova të bëj një diagnostikim të skarcitetit moral të shoqërisë superklektiviste, të dëmeve ontologjike në personalitetin e njeriut, i edukuar dhunshëm me parime e norma artificiale që nxitën indiferencën, gënjeshtrën, hipokrizinë, moralin me dy faqe, në të cilin gjithnjë thelbi ishte ndryshe nga shfaqja, apo që ato asnjëherë nuk përputheshin me njëra tjetrën dhe as shfaqnin unitet në jetën reale. Duke menduar në të njëjtën kohë, se zhvillimet sociale qoftë me natyrë lineare, apo intensivisht ontologjike, gradualisht do të ndihmonin për të kaluar drejt një shoqërie të vërtetë, të bazuar në normat e moralit human.

    Por, për të qenë i vërtetë, koha që ka kaluar nuk u ka dhënë të drejtë analizave, deduksioneve dhe konkluzioneve të librit. Situata morale në shoqëri sot është bërë më kaotike, sistemi vlerave më i lëkundur dhe relativist, shoqëruar me një frymë nihilizmi ekstrem, asocialiteti banal me nëpërkëmbje të gjithë vlerave morale, në emër të mbivlerësimit të komponentëve të “trekëndëshit material” (para, konsum, seks), me një shikim semplist që mbivlerëson të ashtuquajturin “njeriu i fortë”, që e vendos veten mbi kornizën e përbashkët morale dhe qytetare, njeriun që siguron suksesin, përfitimet vetjake në kurriz të shoqërisë, që nuk përfill asnjë normë apo rregull social, kondicion urban etj. Të gjithë qytetarët, më saktë shumica e tyre janë të shqetësuar me këtë realitet. Sepse shoqëria shfaq shumë sindroma e patologji morale, që dëshmojnë se ajo është në gjendje kaotike, përballë sulmit të egër dhe agresionit të amoralitetit masiv, nëpërkëmbjes së çdo lloj etike e morale, shpërfilljes banale të çdo vlere sociale dhe vetëpërmbajtjeje individuale. Janë shtuar njerëzit eksentrikë me vullnet personal të deformuar, që kryejnë veprime dhe manifestojnë sjelle amorale e imorale. Ku po shkojmë kështu? Si mund të ndalet kjo gjendje?

    Si mund të mbrojmë njerëzit tanë, sidomos adoleshentët dhe të rinjtë, nga kjo “kënetë” e zgjeruar e amoralitetit dhe pasojat e agravuara që manifestohen në mënyrë masive në jetën e përditshme? Tabloja sociale tregon qartë se në jetën e shoqërisë ka një nënvlerësim të nevojës dhe utilitetit të normave morale. Institucionet e sigurisë morale dhe autoritetit social kanë pësuar rënie, kanë humbur ndikimin e natyrshëm të autoritetit dhe forcës së ndikimit moral. Po shtohen njerëzit, veçanërisht të rinjtë, të cilët duke qenë jashtë ndikimit të institucioneve të edukimit dhe formimit qytetar, sikurse janë familja, shkolla, institucionet fetare, shoqëria civile etj., nuk kanë një kuptim të drejtë për vlerat morale, rolin e moralit në ndërtimin e sjelljes dhe personalitetit individual e social të njeriut. Po shtohen të rinjtë, por jo vetëm ata, që duke qenë jashtë kornizave të formimit dhe influencave të institucioneve të edukimit qytetar dhe formimit moral jo vetëm nuk e vlerësojnë, por akoma më keq, e nënvleftësojnë vendin dhe rolin e moralit, ngaqë po rriten jashtë ndikimeve dhe pa pasur kuptim të plotë për vlerat dhe rolin e tij.

    Nga bisedat që kam zhvilluar, por edhe anketimet gojore e informale, më duket se jemi në situatë alarmante, për faktin se shumë të rinj fëmijë dhe adoleshentë, por për fat të keq edhe të rritur, po adoptohen me këtë situatë, pa pasur aftësinë për të dalluar atë që është e moralshme nga ajo që është e pamoralshme, e drejtë apo e padrejtë. Kjo është shqetësuese. Për fat të keq politika, familja, shkolla, shoqëria në tërësi janë “kapur për fyti” nga pragmatizmi, mbivlerësimi i konsumi material dhe nënvleftësojnë, ose për të qenë më i saktë, nuk po e vlerësojnë sa duhet nevojën e edukimit etik, me normat e ndërtimit të sjelljes dhe veprimit në këtë shoqëri që është liberale, individualiste, jo kolektiviste, me moral të personalizuar dhe sjellje të individualizuara. Në familje dhe në shkollë po punohet pak, madje po punohet keq dhe jo në mënyrën e duhur, për të krijuar tek të rinjtë koncepte të drejta, funksionale e funksionuese, për të krijuar kulturën dhe normat konkrete, si mjet për të dalluar atë që është e lejuar nga ajo që është e ndaluar, morale apo amorale. Është shkencërisht dhe filozofikisht e vërtetuar se ndërgjegjja morale e njeriut formohet në sistemet e edukimit. Pra, detyra, konceptet se çfarë është e mirë e çfarë është e keqe, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë duhet të shmangim në jetën e përditshme, në një farë mënyre, fillimet e konstruktit moral të krijohen me ndikime të jashtme nga familja, shkolla, shoqëria, media, feja, etj., por pa imponim, dhunë, arbitraritet, hipokrizi e dyfaqësi.

    Në vlerësim sintetik dhe observim analizues të përgjithshëm, faktet, ngjarjet, sjelljet amorale, dhuna në familje e jashtë saj, krimet, përdhunimet, vrasjet dhe vetëvrasjet, në instancë të fundit nuk janë të rastësishme. Ato e kanë një shkak. Ai nuk është formal dhe rastësor, por është ontologjik, thelbësor. Shoqëria shqiptare ka hyrë në një fazë delikate (edhe pse bëjmë sikur nuk e shikojmë apo qetësohemi me “moralin e strucit”), që ka ngatërruar te njerëzit konceptin bazë, me qëllim apo pa dashje të nevojës së “detyrimit të ndërgjegjes morale” nga “liria e ndërgjegjes individuale”. Këtu është burimi më i madh i kësaj situate morale kaotike që po përjetojmë dhe për të cilën pak po e vrasin mendjen strukturat, amortizatorët e jetës morale, sidomos institucionet themelore të edukimit. Nëse situata është kështu, sipas mendimit tim, shkaku duhet kërkuar aty ku është, në tokë dhe jo në qiell, në jetën e vërtetë dhe jo në atë të imagjinuar, në realitetin e jetës empirike, jo në argumentime e frymëzime ekstreme liberale e super individualiste, në të cilat është ulur këmbëkryq që lloj neglizhence sociale për të mos thënë një armiqësi e hapur me nevojat edukimit etik dhe kristalizimin e sjelljes morale.

    Kjo ka bërë që shumë njerëz jo vetëm të mos kenë koncepte të qarta morale, por as frikën e ndërgjegjshme të ndëshkimit moral apo ligjor. Zgjerimi amoralitetit është bërë kaq toksik dhe shoqërisht i rrezikshëm, sa që edhe kur disa njerëz kanë kryer krime apo vepra amorale, nga mungesa e edukimit sistemik, kanë një formim antinomik dhe amoral, sa që ose nuk e kuptojnë atë që kanë bërë, nga mungesa e ndërgjegjes dhe skrupujve moralë humane. Madje, nuk ndjejnë as nevojën e reflektimit pozitiv, distancimit të ndërgjegjshëm nga sjellja apo veprimi amoral apo kriminal. Kjo është vërtetë shqetësuese dhe alarmante për të ardhmen e jetës së shoqërisë sonë. Krimet, imoraliteti, asocialiteti, dhuna dhe shumë forma banale të keqbërjes sociale po shtohen në progresion gjeometrik.

    Pikërisht cektësia e formimit moral ka bërë që të kemi gjithnjë e më shumë njerëz arrivistë, agresive e amoralë, të cilët pikërisht nga mungesa e ndikimit, formimit dhe edukimit në kohën e duhur, nga institucionet e duhura, ata kryejnë veprime nga që nuk e kanë të formuar mekanizmin e vetëndërgjegjes, gjykimit të vetvetes, vetëdijen morale për fajet dhe krimet që kryejnë. Unë gjykoj se jemi në një situatë morale, kur gjërat duhet t’i analizojmë me kujdes dhe fenomenet shqetësuese t’i shikojmë me përgjegjësi sociale të integruar. Situata duhet të na krijojë së pari bindjen e plotë, se gjendja amoralitetit dhe imoralitetit në shoqëri nuk është situatë rastësore, apo çështje devijimesh individuale. Përkundrazi, jemi në moment kur duhet organizuar në mënyrë kompakte një “betejë sociale” për të mbrojtur shoqërinë nga amoraliteti në zgjerim dhe shpërfilla e normave morale. Kjo kërkon jo moralizime boshe, por një forcë reale sinkretike, unitet të institucioneve të edukimit moral, të parandalimit dhe ndëshkimit ligjor. Sot realitetet janë ndryshe. Duam apo nuk duam, jeta postmoderne në Shqipëri ka marrë formën e vet, si hapësirë për mënyra të ndryshme jetese. Për pasojë, edhe formimi moral i njerëzve nuk mund të bëhet ndryshe, përveçse duke marrë parasysh dhe vlerësuar këtë realitet në të cilin jetojmë.

    Lajmi Paraprak

    NËNA

    Lajme tjera

    Kënga e supës

    Bertolt Brecht 1. Kur të mos kesh supë, Si do të ankohesh? Duhet ta kthesh shtetin Të gjithin…
    Më tepër

    Për artistët rezistentë

    Federico García Lorca (pjesë nga ligjërata “Flisni për teatrin” e 2 shkurtit 1935)Përktheu: Aurel Plasari Teatri është një…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë