SHTIGJEVE TË LIRISË…

    Metin Izeti

    Liria bën pjesë në fenomenet që doemos e kemi ta ndajmë me të tjerët, kjo për shkak se për të nuk mjafton vetëm të bëhet, por ka nevojë edhe të soditet, të përjetohet. Disa herë përjetimi subjektiv është liri edhe më e madhe se vetë objekti i lirisë. Ne, shpeshherë, nuk jemi të vetëdijshëm për këtë, por në momentin kur kemi bërë diçka që e tejkalon çastin e aktualitetit dhe thellohet në pafundësinë e qenies në trajtë të ndjenjës, menjëherë e kuptojmë se kemi filluar të komunikojmë me dikë jashtë nesh, rrjedhimisht kemi kaluar përtej asaj që duket. Liria është gjëja e parë që duhet ta ndajmë me të tjerët që ta kemi edhe ne. Liria na bën qenie të domosdoshme metafizike dhe të veçantë. Pikërisht në çastin kur e ndjejmë aromën e lirisë e nxjerrim një tingull me melodi ose gdhendim në gur pa presion, do të thotë që jeni hapur në drejtim të botëve të tjera, drejt formave të tjera të të qenurit dhe krijesave jashtë nesh. Kjo është ndoshta shtresa më e rëndësishme e lirisë, është komunikimi i lirë me të tjerët, por edhe motivimi nga mbinatyrshmëria dhe fantastika e ndjenjës për liri.

    Mjeshtëria qëndron në ndjekjen e këtij shtegu të qenies dhe në veprën e njeriut që të paraqitet një kompozicion i cili ec prej errësirës drejt dritës. Vija jetësore, tash, na imponon ta përjetojmë errësirën e kaosit shoqëror në mbarë botën, por me intensitet më të lartë në vendlindjen tonë. Sfondi ideor, si dhe koloriti i lirisë, në këtë kohë të krizës për të marrë frymë lirshëm, në realitet janë një mimezis i kësaj ndjenje për ta përjetuar atë, që vërehet se na ka brengosur goxha të gjithëve. Brendësia jonë përpiqet që ta pikturojë ose komponojë në imagjinatë atë që nuk arrihet dot të përfaqësohet në sistemin shoqëror në botë. Në realitet, shpirti përmes imagjinatës bën një avangardë dhe ka dëshirë që të kërcejë andej gardhit.

    Jeta, për njeriun, fillon në një trajtë ekstremisht realiste, me vend dhe orë të saktë dhe ky realizëm i sforcuar e bën të mundshme ekspresionin si pasojë e brengës për paarritshmërinë e realitetit. Ekspresioni depërton në vepër për të treguar se e vërteta nuk është vetëm imagjinatë, kjo pasi e kaluara ka depërtuar në njeriun që nga momenti i shkeljes në hapësirën me rërë shkretinore të Wagnerit. Arsyeja e përqafon atë dhe ata përzihen si dy ujëra të ndryshëm, por të bashkuar në një shtrat.

    Eskpresionizmi i njeriut të sotëm, herë-herë i transformuar edhe në abstrakcion, në realitet është vetëm një pjesë e botës që kundërshton t’u nënshtrohet ligjeve të palogjikshme të logjikës aktuale. Ajo që ne pa menduar shumë e konsiderojmë si joekzistuese, pikërisht, është këtu, por mjaftueshëm diskrete sa të mos e shohim. Ka momente kur njeriu është i detyruar të përballet edhe me tragjedi të njëpasnjëshme. Atëherë kur tragjedia ndodh për herë të parë, atë e konsideron atë si ngjarje, ndërsa kur përsëritet për së dyti e për së treti, atëherë shndërrohet në simbol. Tragjedia që është simbol e ngërthen përsëritjen. Tragjedia dhe rituali e plotësojnë njëri-tjetrin, pasi edhe rituali nuk mund të ekzistojë pa përsëritje. Sfondi metafizik i lirisë është hapësirë ku spiralja historike shndërrohet në spirale të prodhimit.

    Në këtë kontekst njeriu i sotëm gjithnjë është në dilemë se a do të kishte pasur mundësi të bëjë diçka më tepër. Impresionohet nga mundësia për të bërë më tepër dhe jo gjithherë e kënaq komplimenti. Ai shumë më tepër është lexues i aktualitetit të jetës sesa prezantues i tij në vepër. Pikërisht për këtë edhe hapësira e lirisë paraqitet si ambient në të cilin njerëzit bisedojnë ndërmjet veti për t’u konfrontuar me esencën e qenies dhe jo për ta kuptuar. Në momentin kur fillohet me konfrontimet, atëherë bllokohet shpirti. Kjo më së miri shprehet në dilemat dhe paqartësitë e jetës tonë. Lëvizja mjeshtërore teknologjike në krijimin e koncepteve abstrakte ekspresioniste përngjason me harmoninë e lëvizjes së trupave qiellorë. Ajo/ata janë të lira, por lirinë e përjetojnë brenda rendit dhe rregullit të jetës. Ndërkaq, nga ana tjetër, kaosi është aluzion për varfërinë kuptimore.

    Ndoshta problemi kryesor i yni është se fenomeni i lirisë, siç thotë Valter Benjamin-i, në epokën bashkëkohore, për shkak të teknikës së reprodukcionit, do të gjejë strehim vetëm nën krahët e interpretimeve kaotike të modernizmit. Teoria e çbërthamizimit të konceptit jetësor bashkëkohor, në realitet, e regjistron çastin kur liria e humb bërthamën e saj, më drejt atributet e mospërsëritjes dhe të origjinilatitetit dhe në këtë mënyrë transferohet në “tjetërsinë teknike”, rrjedhimisht në medium të reprodukimit masiv. Por, ama, teknika nuk mund ta luajë rolin e mediatorit në çështjen e përgjegjësisë, që në realitet ka qenë imanente për lirinë në ndërtimin e bërthamës ekzistenciale. Me këtë liria profanizohet dhe teknika e merr rolin e bartësit të këtij transmisioni të sferës së përgjegjësisë, por asnjëherë nuk përgjigjet për të. Për pasojë, liria duhet të na japë të dimë se ka mjete të sofistikuara, përmes të cilave mund të problematizohet çështja e përgjegjësisë.

    Për ta përjetuar lirinë duhet t’i ngremë pak më tepër sytë drejt qiellit të kaltër. E kaltërta është ngjyrë e seriozitetit. ajo e simbolizon besnikërinë, urtinë, inteligjencën, të vërtetën, qetësinë. Herë pas here, në qiell në plan të parë del edhe e kuqërremta, që e bashkon energjinë e të kuqes dhe fatin e të verdhës. Ajo është në raport të ngushtë me gëzimin dhe diellin. E kuqërremta e errët është shfaqje e brengës, për shkak të pabesisë, që në këtë rast e shpreh përmasën kaotike në të qenit.

    Le të marrim për shembull një mal. Ai është i ndryshëm nga tavolina ose nga çdo gjë tjetër në këtë botë, për arsye se e ka bërthamën e vet (malësinë). Kjo është, pra, esenca e malit, duke pasur parasysh se prezenca aktuale e malit ndaj nesh tani dhe këtu është “ekzistencë”. Mali ekzistues është kombinim i bërthamës të tij dhe i prezencës. Sidoqoftë, ky distinksion ka të bëjë me strukturën konceptuale të gjërave. Gjërat, në nivelin ekskluziv të analizës konceptuale, janë të përbëra nga dy komponentë: bërthama dhe ekzistenca, e cila analizë nuk shpreh asgjë në lidhje me strukturën paratrajtësore të realitetit. Pra, këtu mund të ndalemi dhe të marrin qëndrim mbi nivelin paratrajtësor të gjërave, e cila në të vërtetë është ekzistencë. Ekzistenca është tabani absolut, pra i gjithë Realitetit të dukshëm, i cili i rrethon gjërat në tërësinë e universit. Ndërkaq bërthamat nuk janë vetëm se hije të derdhura nga ky Realitet Absolut, ashtu siç edhe e evoluon veten; ato janë “modifikime interne’ ose forma fenomenale, në të cilat Realiteti absolut e shfaq veten në dimensionin empirik të ekzistencës njerëzore, të karakterizuar me kufizimet e kohë-hapësirës. Të thuhet pra se “mali është i bukur” nuk d.m.th. që (siç edhe në botëkuptimin aristotelian) ajo gjë, “substanca primare” e së cilës quhet mal, duke pasur bërthamën saj, ekziston tani dhe këtu, por është Realiteti i fundit dhe Indeterminati Absolut, që është duke manifestuar veten tani dhe këtu, por në formë të pjesërishme të vetë-kufizimit të quajtur “mal”. Së këndejmi, çdo gjë është modifikim intern i pjesërishëm i Realitetit Absolut. Në terminologjinë artistike metafizike mali është pasqyrim dhe gjithë ekzistencat ose, më mirë, gjërat ekzistente, janë pasqyrime të Hyjit të fshehur. Përderisa ky botëvështrim i realitetit artistik mbetet në nivel të eksperiencës së zakonshme, nuk mund të kuptohet nga vetëdija njerëzore. Ndryshe nga koncepti formalist, që është vetëm një elaborim filozofik i këtij aspekti të zakonshëm të perceptimit të gjërave, botëvështrimi gnostik i Artit të madh i zbulohet vetëdijes njerëzore vetëm “kur është i fascinuar me sensin e eksperiencës dhe kulturës shpirtërore” .Ky ideal, i ndjekur në mënyrë të vetëdijshme, paraqet unifikim organik të stërvitjes shpirtërore dhe mendim konceptual, i cili do të kulminojë në eksperiencën kontemplative të Qenies.

    Në të vërtetë, njeriu, nuk e kërkon këtë lloj të thjeshtëzimit. Tendenca e tij është që t`i shohë gjërat, si dhe gjithë botën, pa i adaptuar ata në perspektivat përfundimtare, pra as në atë të subjektivizmit e as në atë të objektivizmit. Kjo është ajo që e përbën vizionin e vërtetë të lirisë.

    Lajmi Paraprak

    Duhet një referendum për Berishën kryetar

    Lajmi i rradhës

    Tragjedia në Tetovë | Xhaferi nuk pranon nismën e VMRO-DPMNE-së për Komision anketues që do të vërtetojë përgjegjësinë politike

    Lajme tjera

    “Fjalët e Qiririt”

    Naim Frashëri Në mes tuaj kam qëndruare jam duke përvëluar,që t’u ap pakëzë dritë,natënë t’ua bënj ditë. do…
    Më tepër

    MES MEMECËVE

    Poezi nga: Jiří KolářPërktheu: Maksim Rakipaj Të jetosh mes memecëveështë ku e ku më vështirëse të jetosh mes…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë