“SHYQYR QË E KEMI FESTIVALIN TIFF ODA” – artdashësit kërkojnë kinema në Tetovë (Video)

    Aleina Arsllani | Gazetare

    Tashmë 11 vite, TIFF ODA që organizohet në Tetovë po sjell filmat më të mirë shqiptarë dhe botëror për artdashësit vendorë dhe jo vetëm. Duke i klasifikuar ato që t’iu përgjigjen shijeve të secilit, festivali më veçse po bëhet ikonë e Tetovës. Gjatë natës së parë të festivalit Nistori takoi plot fytyra të njohura të artit, por edhe qytetarë të çdo komuniteti, me qëllim për të ndjekur filmin “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit, film i cili njëherit bëri edhe hapjen e festivalit. Bashkëbiseduam me artdashësit se sa Tetova ka nevojë për një festival të tillë dhe pse është e rëndësishme një kinema për qytetin, shkruan Nistori.

    “Kjo ngjarje është ndër ngjarjet më të rendësishme të vitit ne aspekt të kulturës dhe realisht është një festival model” – u shpreh shkrimtari Arlind Farizi.

    Donika Bakiu u shpreh se një festival i tillë ka rëndësi të madhe sepse Tetova ka kulturë, ka rini të cilët kanë nevojë që këto festivale që përsëriten më shpesh.

    Kryetari i festivalit, Berat Asani tha: “Besoj se çdo herë kemi pas për qëllim mos e anashkalojmë asnjë komunitet. Kemi pas filma të secilit komunitet, siç janë turk, maqedon, kemi pas edhe filma rom. Nuk kemi bërë ndarje të grupmoshave, kombësive apo edhe preferencave tjera”.

    “Kinematografia është shumë komplekse dhe në atë modalitetin e vet dhe qasjeve që ka ofron edhe atë mundësi që të gjithë ata që e duan imazhin e mirë i cili nuk ka komunitete por ka bukuri, ka estetikë dhe porosi” – tha për Nistorin drejtori i fotografisë Afrim Spahiu.

    Gjithashtu, edhe aktorët tetovarë Sabina Memishi dhe Lind Denjali potencuan se Tetova ka shumë nevojë për një kinema e cila do i sjell edhe më afër njerëzit.

    Nga ana tjetër, Shaban Trestina, kampion olimpik, u shpreh se “Ky festival është krenari për të gjithë Tetovën dhe sidomos për kombin shqiptar”.

    Aktorët Teuta Ajdini dhe Refet Abazi, të cilët ishin në rolet kryesore të filmit “Vera andrron detin” nën regjinë e Kaltrina Krasniqi, u shprehën të kënaqur me bashkpunimin në film.

    Kur u pyet se sa të vështire e kishte të adaptohet me karakterin e Verës në film, Ajdini u shpreh se: “Duhet mjaft punë për të realizuar këtë rol, por mendoj se çdo femër e ka shumë të afërt këtë temë dhe e ndjen verën sikur vetja.”

    Edhe pse ky film ka udhëtuar nëpër festivale dhe ka marrë çmime të ndryshme, Refet Abazi u shpreh se emocionin më të madh e ka përjetuar në premierën e filmit në Tetovë.

    “Kudo që mund të shkoj edhe në mars edhe në hënë, unë me vete e kam atë vulën, si thonë MADE IN TETOVO” – tha Abazi.

    Festivali TIFF ODA ka filluar me 26 gusht dhe do zgjasë deri më 31 gusht.

    Hyrja është pa pagesë në gjithë netët që shfaqen filmat. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Borrell: Kemi marrëveshje, Serbia ka vendosur t’i pranojë dokumentet e Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Kosova dhe Serbia heqin dokumentet për hyrje-dalje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë