Nga: Amy Smirk / The Independent
Ajo që më ka tërhequr gjithmonë te fotografitë e Moyra Peraltas ishte lidhja autentike dhe e këndshme që mund të ndieja mes saj dhe njerëzve që ajo mbërthente përmes objektivit. Imazhet e saj përcjellin një marrëdhënie thellësisht personale me komunitetin që ajo dokumentonte.
Ndërsa ishte studente në vitet ’70 të shekullit XX, Moyra filloi të punonte në strehimore dhe në mensa për të pastrehët, ku u zhyt plotësisht në dokumentimin e aspekteve të jetës së tyre.
E ftuar në jetën e atyre që takonte, Moyra ishte dëshmitare e kushteve sociale me të cilat ata përballeshin. Si fotografe, ajo përpiqej të ofronte një vështrim të paanshëm mbi botën e tyre, duke i parë individët dhe përvojat e tyre si pjesë të rëndësishme të historisë sonë shoqërore.
Në një bisedë me nipin e Moyras, ai e ndau me mua faktin se ajo jetoi për një kohë në një strehimore për të pastrehët dhe se kjo i mundësoi të ndërtonte miqësi të forta – dhe të bazuara në besim – me subjektet e saj. “Ajo u bë pjesë e jetës së tyre, dhe ata u bënë pjesë e jetës së saj”.
Fotografitë e saj synonin t’u sillnin lehtësim njerëzve që takonte në rrugët e Londrës, ndërsa njëkohësisht përjetësonte përvojat e tyre dhe shfaqte jetën e tyre përmes stilit të saj të ngrohtë të fotografimit.
Ajo përpiqej t’i portretizonte ata nga këndvështrimi i tyre, t’u jepte një zë përmes imazheve, një platformë për shprehjen e tyre personale.
Ndërsa fotografët e tjerë dokumentarë mund të japin ndjesinë e një “vështrimi nga jashtë”, një vëzhgim pa përfshirje, te puna e Moyras gjithmonë kam parë një ndjesi që vjen nga brenda. Një ndjesi e vetë shpirtit të jetës në rrugë, e shoqërisë, e autenticitetit, e vështirësive të përjetuara dhe e gëzimeve përballë vështirësive, si në nivel individual, ashtu edhe kolektiv.
Në një vlerësim të imazheve të Moyras, kritiku i njohur i artit, romancieri dhe mendimtari kulturor John Berger ka thënë: “Ne që i shohim fotografitë e saj, jemi dëshmitarë të një shkëmbimi. Ne dëgjojmë me sytë tanë, dy apo më shumë zëra që flasin me njëri-tjetrin. Dhe, këta zëra na kanë lejuar të jemi të pranishëm”.
Nga puna e saj në dokumentimin e objekteve, sendeve personale dhe “mjeteve të mbijetesës” në xhepat e shokëve të saj, te kapja e ditëve të fundit të banorëve të Uaterlo Balring (i njohur ndryshe si “Qyteti prej kartoni”), Moyra ndihmoi njerëzit të rilidheshin me njerëzoren përmes imazheve. Duke shënuar shumëllojshmërinë e subjekteve në fotografitë e saj, puna e Moyras u përmbledh më vonë në librin Pothuajse të padukshëm [Nearly Invisible] dhe u ekspozua në Galerinë “Open Eye”.
Menaxheri i galerisë, David Williams, ka thënë: “Fotografitë e saj na kujtojnë me elokuencë se të pastrehët, ndonëse jetojnë në rrethana të ndryshme nga shumica, janë individë me të njëjtat emocione dhe ndjenja si gjithë ne”.
Nipi i Moyras ka thënë: “Nga njohja me Moyran dhe njerëzit e pastrehë, ndjej se historitë e tyre nuk janë aq të largëta nga historia që kalojmë të gjithë. Një veprim i thjeshtë mund ta ndryshojë rrjedhën e jetës së dikujt, në mënyrë të papritur; çdokush, në çdo moment, mund të bëhet si ata njerëz”.
Sot, puna e Moyra Peraltas përcjell një mozaik të përvojës së të pastrehëve për pjesën tjetër të shoqërisë, në një mënyrë që mund të vijë vetëm nga dikush që ishte thellësisht i lidhur me njerëzoren e vet dhe të të tjerëve. /Telegrafi/