Historia e 10 vëllezërve gjatë Luftës së Dytë Botërore

    Fëmijët e Evdokia Lisenkos, nuk ishin midis atyre që e përjetuan luftën në shtabet e ndryshme të Ushtrisë së Kuqe. Përkundrazi, të 10 djemtë e saj përballën me sprovat dhe vështirësitë e vijës së parë të frontit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Dhe në një rast të rrallë dhe ndoshta unik, që të gjithë u rikthyen të gjallë në shtëpinë e tyre.

    Që një familje sovjetike të mos kishte një djalë apo baba të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore (ku sipas shumicës së burimeve Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë njerëz, ose gjysmën e të gjithë viktimave të asaj lufte) ishte diçka shumë e rrallë.

    Në fakt, në atë kohë ishte më se e zakonshme që të gjithë burrat e familjes të vdisnin në fushën e betejës. Dhe nënat dhe gratë e tyre, do të duhej të jetonin për pjesën e mbetur të jetës, me ndjenjën e tmerrshme të humbjes së tyre.

    Historia e 5 vëllezërve amerikanë Sallivan, të cilët zbritën së bashku nga kryqëzori “Juno”pas betejës së Guadalkanal (ku bazohet pjesërisht filmi i famshëm “Shpëtoni ushtarin Rajan”), është shumë e njohur. Por shumë histori të tilla ndodhën edhe në Frontin e përgjakshëm Lindor. Konflikti më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit, shkaktoi dhimbje dhe humbje të pallogaritshme për miliona njerëz.

    Një mrekulli e vërtetë

    Pavarësisht nga shanset e pakta, kishte përjashtime nga ai rregull kobzi. Njëri prej tyre është historia e 10 djemve të Evdokia Danilovna Lisenkos, të cilët u nisën për në front nga fshati i tyre ukrainas Brovakha, dhe arritën të ktheheshin të gjallë në shtëpi.

    Nikolai ishte i pari që u rikthye, pasi i mbijetoi mrekullisht një shpërthimi që vrau 7 shokët e tij. Në vitin 1944, ai doli nga spitali dhe u dërgua në shtëpi tek e ëma. Vëllai i tij Ivani luftoi në mbarë Ukrainën kundër gjermanëve. Ai u kap rob dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Treblinka, por arriti të arratisej prej ndej.

    Pasi u rikthye vazhdoi të luftojë, dhe e përfundoi shërbimin e tij në Rumani. Po në Rumani u takuan rastësisht me njëri-tjetrin 2 vëllezërit e tjerë. Në gushtin e vitit 1944, në periferinë eqytetit të Iashit, Mikaili pa Feodosin:”Unë u hodha në llogore, dhe e përqafova me mall”-kujton ai.

    ”Unë isha dërguar në një mision zbulimi, ndërsa ai sapo ishte kthyer nga një mision i tillë. Por me duhej të largohesha shpejt, edhe pse nuk po ngopeshim duke folur me njëri–jetrin. Që të dy qamë…”– rrëfen ai. Pas luftimeve në Hungari, vëllezërit u rikthyen në shtëpi me aftësi të kufizuara.

    Mikaili u plagos rëndë në gjoks, ndërsa Feodosi mbeti pa këmbë. Andrej dhe Pavel u dërguan në kampe pune në Gjermani, por arritën të mbijetonin, dhe më vonë iu bashkuan batalionevesulmuese të Ushtrisë së Kuqe. Nënkoloneli Vasili Lisenko u plagos tre herë, duke marrë urdhrin e Yllit të Kuq, një medalje e lartë trimërie.

    Në 1946, u rikthye në shtëpi edhe vëllai tjetër Pjotri, një oficer i radiokomunikimit. Gjatë luftës Vëllezërit Lisenko arritën të udhëtojnë nga Berlini deri në Lindjen e Largët. Aleksandri, që shërbeu si sinjalist, arriti në kryeqytetin e Rajhut të Tretë.

    Ndërsa shoferi i tankeve, Stepani, i plagosur në Prusinë Lindore, u dërgua në Mançuri për të luftuar kundër japonezëve. Por kur arriti atje lufta kishte mbaruar. Ai ishte vëllai i fundit që u rikthye në shtëpi në vitin 1947.

    Një nënë heroinë

    Duke pritur më kot për vite me radhë çdo lloj lajmi që vinte nga vija e frontit, pasi kishte humbur burrin e saj në vitin 1933, Evdokia Danilovna rriti e vetme 5 vajza. Ajo arriti t’i mbijetonte pushtimit gjerman. Fati i shpërbleu për sakrificat saj, kur të gjithë djemtë iu kthyen gjallë në shtëpi.

    Historia e saj e pazakontë u përhap me shpejt përtej fshatit të saj. Në vitin 1946, asaj iu dha Urdhri i Nënës Heroinë në Kiev. Evdokia Lisenko vdiq në vitin 1967, në moshën 73-vjeçare. Në vitin 1984, kujtimi i saj u përjetësua me një statujë bronzi në Brovakha. Të gjithë djemtë e saj përveç Vasilit, që kishte ndërruar jetë, ishin të pranishëm në ceremoninë e rastit./Botaal/

    Lajmi Paraprak

    “Të uroj” nga Viktor Hygo

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë