Transformimi i marrëdhënies prindër-fëmijë në kohën e teknologjisë dhe emigrimit

    Komunikimi: Familja këtu, fëmijët larg

    Ibrahim Berisha

    Shtëpia jonë, familja jonë

    Kur thonë shqiptarët: “Shtëpia, shtëpia jonë”, në të vërtetë, thonë: “Familja, familja jonë”. Kjo maksimë ka qenë njëra nga shtyllat e identitetit tonë kolektiv. Shtëpia nuk ishte thjesht një ndërtesë me mure e pullaz, por mjedis ku gjeneratat rriteshin bashkë, ku pleqtë vdisnin në shtratin e tyre dhe ku fëmijët lindnin afër gjithë familjes. Ishte vendi ku dashuria dhe konflikti kishin peshën e tyre, ku rolet përcaktoheshin dhe ku askush nuk duhej të dyshonte se çfarë do të thoshte: “Të jesh pjesë e familjes”.

    Por, sot kjo traditë është sfiduar shumanshëm.

    Fëmijët janë larg. Ndonjëri në Gjermani, ndonjëri në Zvicër, tjetri në Angli, tjetri në Amerikë. Dhe prindërit jetojnë këtu, në shtëpitë që tani janë shumë të mëdha për ta, shumë të zbrazëta, shumë të heshtura. Shtëpia nuk është më ajo që ishte. Është bërë vend pritjeje, mjedis ku telefoni pret të bjerë, ku ekrani i kompjuterit bëhet dritarja e vetme për të parë fëmijët dhe mbesat, nipërit.

    Prandaj: “Nuk është e rëndësishme sa është e madhe shtëpia, është me rëndësi sa ka dashuri në të”, e thotë Peter Buffet. Por, çfarë ndodh kur dashuria duhet të kalojë përmes kabllove dhe valëve? Çfarë ndodh kur përqafimi zëvendësohet nga një emoj, kur zëri vonohet nga platformat digjitale, kur lotët fshihen para kamerës që të mos i shohë fëmija? Të mos shkëputen gjeneratat.

    Pasi, si thotë sociologu, Pjer Bordiu, se çfarë e krijon një gjeneratë si të tillë janë kushtet, të cilat bëjnë që një grup të përjetojë përvoja dhe aspirata të përbashkëta, si diçka e natyrshme përderisa një grup tjetër mund t’i shohë ato si absurde.

    E vërteta e kësaj teze ndihet fort në komunikimin mes prindërve dhe fëmijëve të larguar. Prindërit në Kosovë, ata që jetuan vitet 1990-ta nën okupim, që i mbajtën fëmijët nëpër bodrume gjatë regjimit të Millosheviqit, që luftuan për liri dhe pavarësi, këto gjenerata pra, nuk e kuptojnë plotësisht brezin e ri që u rrit në Evropë, që flet për ndryshimet klimatike dhe jetesën e qëndrueshme, që ka prioritete të tjera, që sheh botën ndryshe. Kujtimet janë të ndryshme.

    Fëmijët, nga ana tjetër atje, nuk e kuptojnë pse prindërit e tyre janë kaq të lidhur me tokën, me shtëpinë, me traditën. Pse nuk e lëshojnë atë shtëpi të madhe e të zbrazët, për të ardhur në një dhomë banese? Pse vazhdojnë të flasin për të kaluarën, për luftën, për sakrificat, po edhe për kënaqësitë fëmijërore e rinore?

    Por, mes tyre, është etja që nuk shuhet me orë të tëra bisedash në video-thirrje, as me mesazhe të përditshme, as me foto që dërgojnë vazhdimisht.

    Ndërvarshmëria ekonomike dhe emocionale

    Realiteti ynë: Në sociologjinë e familjes, “gjenerata sanduiç”, përkufizohet si brezi i mesëm që gjendet i shtrënguar midis dy përgjegjësive: kujdesi për fëmijët e tyre që ende nuk janë plotësisht të pavarur dhe kujdesi për prindërit e tyre që po plaken dhe kanë nevojë për mbështetje. Ashtu si shtresat e një sanduiçi, kjo gjeneratë shtypet nga të dy anët, duke mbajtur njëherësh mbi supe peshën e dy brezave.

    Në shoqëritë perëndimore, ky fenomen është studiuar gjerësisht si pasojë e jetëgjatësisë së rritur dhe pavarësimit hershëm të të rinjve. Në Kosovë e në Shqipëri dhe në gjithë rajonin ballkanik, familjia sanduiç merr ngjyra më të paqarta, më të ndërlikuara, më të dhimbshme. Pasi jo rrallë, nuk bëhet fjalë thjesht për ndjeshmëri kujdesi, por për ndjeshmëri mbijetese.

    Shoqëria shqiptare e Kosovës andaj, ende paraqitet si një shoqëri me marrëdhënie të ngushta familjare dhe kjo përgjithësisht shihet si pozitive. Po, ajo çfarë përforcon lidhjet mes anëtarëve të familjes është ndërvarshmëria ekonomike, sociale dhe emocionale.

    Në mungesë të institucioneve të forta shtetërore, familja mbetet rrjeti i vetëm i sigurisë. Prindërit punojnë, kursejnë, ndihmojnë fëmijët të blejnë banesa. Fëmijët, edhe kur janë larg, ndjejnë përgjegjësinë për t’u kujdesur për prindërit në moshë të shtyrë. Dërgojnë remitenca, sigurohen që asgjë të mos u mungojë, bëjnë çmos që largësia fizike të mos ndihet.

    Kjo ndërvarshmëri, në anën tjetër, krijon edhe varësi josimetrike. Prindi që ndihmon financiarisht ndjen të drejtën të këshillojë, të ndërhyjë, të drejtojë. Fëmija që merr ndihmë ndjen detyrimin të dëgjojë, të bindet, të mos kundërshtojë. Dhe kur këto dinamika zhvillohen në distancë, ato bëhen edhe më të ndërlikuara.

    Foletë virtuale familjare

    Vitet e fundit kanë qenë pika kthese në shumë fusha, përfshirë edhe atë të “shtëpisë”, familjes, privatësisë, intimitetit. Largësia fizike e shton shqetësimin edhe të prindërve për fëmijët, edhe të fëmijëve për prindërit.

    Teknologjia komunikuese ka krijuar, ato që mund t’i quajmë, “fole virtuale familjare”. Përmes medieve sociale, aplikacioneve të mesazheve, video-thirrjeve, familjet mundohen të mbajnë gjallë kohezionin, të kompensojnë mungesën e pranisë fizike, të jenë të pranishëm në jetën e njëri-tjetrit edhe kur janë larg. Kjo prani virtuale nuk është e njëjtë me atë reale. Ajo ka ritmet e veta, format dhe përmbajtjet e veta, rreziqet e veta.

    Konflikti dhe dashuria në distancë

    Marrëdhëniet prindër-fëmijë ndërtohen pashmangshëm edhe përmes konflikteve. Por, konfliktet nuk ndodhin më përballë njëri-tjetrit, në dhomë të njëjtë, në tryezë të përbashkët. Ato ndodhin përmes mesazheve të shkruara, përmes telefonatave të tensionuara, përmes heshtjeve të zgjatura në video-thirrje, përmes largimeve, hidhërimeve dhe pikëllimeve të përkohshme.Një bisedë e zakonshme mes një nëne në Prishtinë dhe të birit të saj në Zvicër jo rrallë, më parë edhe më shumë, mund të përfundojë me farë tensioni. Nëna ankohet pse nuk vjen më shpesh. Djali justifikohet me punën, me angazhimet, me angazhimet familjare. Nëna i thotë: “Mos harro, këtu është shtëpia jote”. Djali i përgjigjet: “Po, po…”. Dhe pastaj zotëron heshtja. Heshtja që në video-thirrje është edhe më e rëndë, sepse shohin njëri-tjetrin, por ndërmjet mbetet zbrazëtia, e cila, jo vetëm se nuk ka si të përmbushet, por ajo rritet vazhdimisht si përmallim./KultPlus/

    Lajmi Paraprak

    Një Europë, një treg – a mund të realizohet?

    Lajmi i rradhës

    Publikohen pesë pikat strategjike për kulturën për periudhën 2026–2030

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë