Përplasja për qëndrimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës u zhvendos edhe në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ku deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, dhe ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, shkëmbyen akuza dhe kundërargumente gjatë seancës së pyetjeve të deputetëve. Ajdari e ka pyetur Shasivarin për qëndrimin e tij të shprehur më 16 shtator, kur ministri kishte deklaruar se vendimet gjyqësore duhet të respektohen, pavarësisht përmbajtjes së tyre, ndërsa përgjegjësia dhe fajësia duhet të përcaktohen vetëm nga gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit. Në pyetjen e saj, deputetja e BDI-së e ka kritikuar këtë qëndrim, duke argumentuar se mënyra se si është formuluar deklarata krijon, sipas saj, një barazim të papranueshëm mes viktimës dhe agresorit.
“Cila gjuhë duhet të përdoret sot për të thënë qartë dhe me zë të lartë se ajo që ka ndodhur është e pafalshme, kur fshiheni pas frazave burokratike dhe teknikaliteteve juridike për shkallën e Apelit?”, e ka pyetur Ajdari ministrin.
Ajo ka kërkuar nga Shasivari të sqarojë nëse do të vazhdojë, siç e quajti ajo, “lojën e fjalëve”, apo do të mbajë një qëndrim politik dhe moral lidhur me këtë çështje. Në deklaratën e tij të 16 shtatorit, Shasivari kishte theksuar se “nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet”, por gjykata, duke shtuar se çdo vendim duhet të respektohet dhe se palët kanë të drejtën e ankesës. Sipas tij, në një proces gjyqësor duhet të respektohen të drejtat e të gjithë personave të përfshirë dhe se fajësia ose pafajësia nuk mund të përcaktohet përmes deklaratave politike.
Në përgjigjen e tij në Parlament, ministri e ka mbrojtur këtë qëndrim dhe ka thënë se deklarata e tij ishte bërë nga këndvështrimi profesional dhe juridik, e jo politik. “Mbrojtja evropiane, por me autoritetet lokale, për qetësi u shpërdorua për qëllim të manipulimit politik me të”, ka deklaruar Shasivari.
Ai ka rikujtuar se, para shpalljes së aktgjykimit, kishte thënë se cilido qoftë vendimi, ai duhet të respektohet, duke nënvizuar se ankesa është një mjet i rregullt juridik dhe jo thjesht formalitet. Sipas Shasivarit, me ankesën mund të rishqyrtohen faktet, provat dhe zbatimi i ligjit, si në aspektin material ashtu edhe procedural. “Mesazhi im ka qenë për prezumimin e pafajësisë, ka qenë për shtetin e së drejtës”, ka thënë ministri, duke theksuar se e ndjek këtë proces edhe nga pozita e tij si profesor i drejtësisë.
Shasivari ka vënë në dukje edhe kompleksitetin e procesit gjyqësor, duke thënë se deri tani është publikuar vetëm përmbledhja e aktgjykimit, ndërsa aktgjykimi i plotë, sipas tij, pritet të jetë shumë më voluminoz. Ai ka përmendur qindra dëshmitarë dhe më shumë se një mijë fakte të konstatuara në instancën e parë, si dhe faktin se një pjesë e materialeve lidhet me procedura të tjera të përfunduara me vendime të formës së prerë. Ministri ka theksuar gjithashtu se respektimi i një vendimi gjyqësor nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim me përmbajtjen e tij. “Të thuash të respektohet një vendim nuk do të thotë të pajtohesh me përmbajtjen e atij vendimi”, ka thënë ai, duke shtuar se pikërisht përmes ankesës palët kanë mundësi që vendimi të kontrollohet nga një panel tjetër. “Shtrembërimin që dëshironi t’i jepni për barazinë mes agresorit dhe viktimës, më vjen keq që nuk ia keni haberin me alfabetin e drejtësisë”, ka deklaruar ministri.
Sipas tij, një përfundim i tillë do të mund të bëhej vetëm nëse gjykata do të kishte konstatuar dhe shpallur fajësi për krime kundër njerëzimit, ndërsa kjo pjesë, sipas Shasivarit, nuk është pranuar në pjesën më të madhe të akuzës. Ai ka sqaruar se bëhet fjalë për krime lufte të konstatuara në shkallën e parë dhe se vendimi ende nuk është përfundimtar, pasi ekziston e drejta e ankesës. “Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe këtë duhet ta kemi parasysh, për shkak se ekziston e drejta e ankesës. Kjo procedurë nuk ka përfunduar me vendim të prerë ose me vendim të plotfuqishëm”, ka thënë Shasivari.
Përgjigjja e ministrit nuk e ka bindur deputeten Ajdari, e cila ka kërkuar fjalën për kundërreplikë dhe ka vazhduar me kritika të ashpra ndaj tij. Ajdari ka vënë në pikëpyetje qëndrimin e ministrit dhe ka përdorur gjuhë të drejtpërdrejtë, duke e akuzuar se me deklaratat e tij po i dëmton interesat e shqiptarëve. “Unë dyshoj që 24 orë nuk rrjedh gjak shqiptari në venat tuaja”, ka deklaruar Ajdari.
Ajo ka thënë se, sipas saj, Shasivari nuk duhet të japë deklarata të tilla për këtë çështje në cilësinë e ministrit të Drejtësisë dhe ka kërkuar që ai të mbajë përgjegjësi politike për qëndrimet e shprehura. “Si ministër shqiptar i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, më mirë do të ishte të heshtni, mos flisni aspak në lidhje me këtë çështje sesa të jepni deklarata të tilla skandaloze”, ka thënë deputetja e BDI-së. Ajdari e ka lidhur qëndrimin e ministrit me atë që ajo e konsideron politikë të relativizimit dhe servilizmit të përfaqësuesve shqiptarë në pushtet. Ajo ka deklaruar gjithashtu se qytetarët, sipas një ankete të cilës i është referuar në Parlament, kanë reaguar negativisht ndaj deklaratës së Shasivarit. “75 për qind e qytetarëve mendojnë se deklarata juaj ishte skandaloze dhe se ju duhej të jepni dorëheqje nga të qenurit ministër i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar Ajdari, pa dhënë gjatë seancës detaje shtesë për metodologjinë, mostrën apo burimin e anketës.
Në fund, deputetja e BDI-së ka ftuar Shasivarin të jetë i pranishëm në marshin protestues të paralajmëruar për 27 shtator në Sheshin Skënderbeu në Shkup. “Uroj dhe qytetarët presin t’ju shohin atje”, ka deklaruar Ajdari.
Debati mes deputetes së BDI-së dhe ministrit të Drejtësisë u zhvillua në një moment kur vendimi i shkallës së parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe publike në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve në rajon. /Koha/




