Zhurdeni i Molierit “vjen” për t’i takuar zhurdenët e kohës aktuale (FOTO/VIDEO)

    Dy netë me radhë (16, 17 qershor), salla e Teatrit të Tetovës ka qenë e mbushur përplot me njerëz, me qëllimin për të parë komedinë “Borgjezi fisnik” të Molierit me regji të Kushtrim Bekteshit. Impresioni i shfaqes te publiku ishte i madh, të qeshura, duartrokitje dhe dy orë përgjatë shfaqes përqëndrim. Kasti i aktorëve ishte i madh dhe si duket satira e Molierit ishte sinkron edhe me kohën aktuale. Zhurdena gjithandej, thonë aktorët për Nistori.

    Molieri vazhdon traditat e komedisë popullore, por duke e ndryshuar në komedi balet, krijon ambientin për të goditur aristokracinë dhe për të vënë në lojë borgjezët mendjelehtë e hundë përpjetë, që përpiqen të imitojnë në çdo gjë aristokracinë e oborrit mbretëror. Zhurdeni, personazh kryesor i kësaj komedie, del një tregtar i pasur. Zhurdeni i cili është krejt i paditur, mendjeshkurtër dhe ambicioz, i kërkon t’u përngjajë fsnikëve të mëdhenj, të lidhë krushqi me ta, edhe po pati mundësi, të ftojë edhe ndonjë titull fsnikërie.

    Kush e ka lexuar ose parë komedinë e Molierit “Borgjezi fisnik”, i kujtohet dialogu midis Zhurdenit që është vetë borgjezi fisnik dhe profesorit të tij të filozofisë:

    Zhurdeni: Si? Kur them: “Nikoletë, sillmë pantoflat dhe skufjen e natës”, prozë është kjo?
    Profesori i filozofisë: Po, zotëri.
    Zhurdeni: Për besë! Kam më tepër se dyzet vjet që folkam prozë dhe s’e ditkam fare. Ju jam borxhli tërë jetën time që ma mësuat këtë. Desha, pra, t’i shkruaja asaj në një pusullë: <>, po desha që këto fjalë të shkruheshin me art dhe të ishin prekëse.

    Regjisori Kushtrim Bekteshi për Nistori thotë se nuk është hera e parë që vjen me komedi si regjisor, por pas çdo projekti si dramë e tragjedi, ai e sheh të nevojshme të sjell kohë pas kohe edhe komedi para publikut shqiptar. Sipas Bekteshit, Zhurdeni i Molierit është e keqja e vetes dhe është më pak i dëmshëm se zhurdenat e kohës aktuale.

    “Më shumë është një satirë e fenomenit shoqëror, ku njerëzit si Zhurdeni, me ndihmën e pasurisë që e kanë apo të trashëguar ose me ndikimin politik, përfshihen ose duan të jenë pjesë e elitës kulturore, artistike dhe politike. Është një fenomen që ka ndodhë në kohën e Molierit, por është një fenomen që ndodh edhe sot. Nuk janë të vetëdijshëm që ne ata i njohim, i përqeshim nëpër rrethet tona, mirëpo ata mendojnë se janë shumë të mirë dhe e meritojnë atë pozitë. Zhurdenë ka gjithandej, në çdo pore të shoqërisë tonë. Molieri i përqesh dhe ne i përqeshim. Zakonisht duke i përqeshur, ne tregojmë edhe fytyrën e vërtetë të kohës që po jetojmë.” – shprehet Bekteshi.

    Aktorët flasin për Nistorin në lidhje me rolet dhe shprehen të kënaqur sa i përket bashkëpunimit me Kushtrimin. Ata thonë se zhurdenët e kohës aktuale janë më të rrezikshëm dhe për çudi komedia i reziston edhe aktualitetit.

    “Rolet kryesore janë përgjegjësi shumë e madhë, janë barë dhe janë një adut për të pas sukses ose jo. Angazhimi në rolet kryesore apo rolet tjera është gjysma e suksesit. Kushtrimi e dëshmoi se ka bërë një audicion të mirë, të duhur dhe besoj se do të vazhdojë të bëjë të njëjtën në vazhdi. Zhurdeni godet fuqishëm te një kategori e njerëzve, të cilët e rënojnë shoqërinë tonë. Zhurdenin e gjejmë në të gjitha sferat, fatkeqësisht. Sidomos në sferën e arsimit që është më i dëmshëm, sepse ai prodhon zhurdena në vazhdimësi.” – thekson Muzafer Etemi, rol kryesor.

    “Roli im në këtë shfaqe është roli i Kleontit, dashnorit apo burrit të vajzës së Zhurdenit. Ne i njohim zhurdenët e kohës sotshme, në të kaluarën nuk i kemi njohur. Por në bazë të asaj që e përjetojmë, besojmë se këta të tashmit janë shumë më të rrezikshëm.” – potencon aktori Arsim Fazlija.

    Aktoret Arta Zejneli (roli Luçia) dhe Elmedina Ameti (zonja Zhurden) shprehen të kënaqura për realizimin e shfaqes dhe bashkëpunimin me regjisorin Kushtrim Bekteshi. Ato thonë se “Borgjezi fisnik” është një goditje ndaj realitetit politik, kulturor dhe social.

    Sopranoja e njohur shqiptare, Besarta Murtezani thotë se është hera e parë në një shfaqe teatrale dhe thotë se ka qenë një përvojë e veçantë. Ajo ishte në rolin e mësueses së muzikës, e cila u përpoq t’ia mësojë këndimit zotëri Zhurdenit.

    “Është hera e parë që marrë pjesë në një shfaqe teatrale. Ka qenë një përvojë shumë ndryshe. Unë isha në rolin e mësueses së muzikës dhe për sa të kem jetë, vërtetë do ta mbaj mend. Të punosh me Kushtrimin, vërtetë është shumë bekim. Nuk do të hezitoj të marrë pjesë edhe në ndonjë shfaqe tjetër teatrale.” – thekson Murtezani.

    “Në “Borgjezin fisnik”, roli im ka qenë i dirigjentit, i cili mundohet t’ia mësojë muzikën Zhurdenit. Unë e ndjej veten më shumë në komedi, por nuk do të thotë që nuk mundem ta bëj edhe dramën.” – thekson aktori Shkumbin Zeqiri.

    Aktori Hasim Memishi – Sopi i cilia luante në rolin e profesorit të skermës apo shpëtimtarit. Fatkeqësisht ai në shfaqe nuk arriti t’ia mësojë skermën Zhurdenit, vetëm i dha një diplomë në një kohë të shpejtë.

    “Fatkeqësisht nuk arrita t’ia mësojë skermën Zhurdenit. Vetëm i japim një diplomë, siç jepen gjithandej diplomat kohëve të fundit. Gjatë procesit të provave i thoja gjithmonë Kushtrimit: ose Molieri ka qenë shumë i mençur në atë kohë ose vazhdon e njëjta dhe ne nuk kemi ndryshuar, gjithandej ka zhurdenë. Është një nder të punosh me Kushtrimin, ai është një intelektual i jashtzakonshëm, pastaj një regjisor i jashtëzakonshëm.” – shton Sopi.

    “Roli im në shfaqe ishte roli i Dorimenës, e klasës së lartë – një markeze. Edhe pse vepra është shkruar para 400 e ca vite, është shumë aktuale me situatat që jetojmë ne sot. Bashkëpunimi me Kushtrimin ishte shumë i mirë, do të doja të luaja përsëri në një shfaqe tjetër me Kushtrimin.” – shprehet aktorja Linda Shabani.

    Bashkëpunimi me Kushtrimin, sipas aktorit Adrian Aziri ishte shumë i lehtë, sepse e njohin abetaren e përbashkët teatrit të njëri-tjetrit.

    “Roli im ishte roli i Kovilit, ai që e bën krejt atë katrahurën te vepra e Molierit. Nuk është bashkëpunimi im i parë me Kushtrimin. E njohin abetaren e përbashkët teatrore, ia dijmë teket njëri-tjetrit. Ishte një sfidë shumë e madhe puna e rolit të Kovilit, sepse bëheshte fjalë për një personazh ku duhet të bëhet transformim, prej një punëtor i thjeshtë dhe më në fund publiku e zbulon se ky përveç që është punëtor, ka talent për të bërë gallata dhe ç’rregullime të ndryshme. Është magjike kjo se në cilën kohë e ka shkruar veprën Molieri dhe është sinkron me aktualitetin.” – deklarohet Aziri.

    Drejtori i Teatrit të Tetovës, Bekim Smajli thotë se bashkëpunimi me Kushtrimin ka qenë i jashtëzakonshëm. Ka qenë i lodhshëm, sepse sipas Smajlit ai duhej të menaxhojë edhe punët në teatër si drejtor, por edhe njëkohësisht t’i përkushtohet rolit në shfaqe si aktor.

    “Faleminderit Nistorit për kujdesin. Bashkëpunimi ka qenë në nivel me regjisorin. Tani kam pas dy role, një në cilësinë e drejtorit, të menaxhojë në aspektin administrativ këtë projekt, mirëpo të jem pjesë e shfaqes, në rolin e rrobaqepësit dhe turkut. Jetojmë në një botë materialiste, ku gjithçka mendohet se nëpërmjet materiales mund të fitohet, domethënë, në qoftë se e ke lekun, ke mundësi të blesh edhe intelektualitetin. Intelektualiteti nuk varet nga pasuria që t’i e ke.” – pohon aktori Smajli.

    Aktori Burhan Amiti komedinë e sheh si mundësi për poullatën që këto gjitha këto ngarkesa sociale t’i shfryjë dikund.

    “Është interesante se publiku gjithmonë ka nevojë për komedi, gjithmonë ka nevojë për të qeshura. Ndoshta, problemet e jetës, problemet ekonomike, sociale, politike dhe kjo e bën që popullata gjithmonë kanë nevojë të shfryhen dikund. Kur kjo e qeshura vjen prej një satire, në të cilën publiku sheh personazhe të cilët i sheh edhe në jetën reale, personazhe realë të cilët, ndoshta, ia kanë shkaktuar të gjitha këto strese. Unë kam qenë në rolin e profesorit të vallëzimit, i cili me shumë entuziazëm e merr detyrën që ta mësojë një të pasur, i cili edhe ai vetë nuk e di se si është pasururar, por që ka vendosur të bëhet borgjez fisnik. Kur e kupton se nuk i ka premisat për t’u bë një i tillë, adaptohet me situatën, vendosi ta kalojë nëpërmjet gishtave, siç kalojmë shpesh nëpër institucionet arsimore dhe e dekoron një diplomë për disa orë vetëm për shkak të lekut.” – shprehet Amiti.

    Vlerësime dhanë edhe aktori dhe njëherit drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup, Adem Karaga dhe gazetarja Dijana Toska. Ata e përgëzuan punën e Kushtrimit, sepse shfaqja vjen pikërisht në një kohë që shkon krahë për krahë me aktualitetin.

    Adem Karraga – Drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup
    Shfaqja u kap jashtëzakonisht mirë, secili veç e veç nga aktorët kishin bërë një personazh dhe karakter të jashtëzakonshëm dhe unë vërtetë i roj nga zemra të gjithë. E bukura më e madhe është kjo, që publiku ka nevojë për teatrin dhe padyshim teatri pa publikun nuk do të ishte asnjë gjë. Dita ditës po fillojmë të kapim palcën e misionit se çfarë është teatri në thelb. Teatri është pikërisht ky: pasqyrimi i shoqërisë sonë.

    Dijana Toska – gazetare
    Ishte një shfaqe maestrale, e përpunuar plotësisht, me skenografi, muzikë. Kishte momente pikante. Edhe Molieri do të ishte xheloz në Kushtrimin në mënyrën se si i afrohej publikut. Është vështirë të mbash publikun të koncentruar për dy orë, megjithatë, Kushtrimi ia arriti, ishte aktuale. Thua ti se, Molieri e ka shkruar këtë komedi për ditët e sotme. Do të isha shumë e lumtur, nëse këtë shfaqe do të vinte ta shikonte një shtresë më e gjërë e popullit, të vetëdijësohen se kujt po ia japin votën. Të vinin vetë politikanët ta shikojnë këtë shfaqe, të shohin se a duhet zgjedhur një jetë të dinjitetshme apo një jetë palaçosh.

    Në rolet tjera janë edhe Arsim Kaleci, Ajshe Useini, Bekim Jahiu dhe Ermal Çanga. Në rolin e instrumentisteve: Sara Sinani, Zulehan Saiti, Hana Abdullahi dhe Doriana Selmani.

    Shfaqja do të garojë në festivalin e Teatrit të Dibrës dhe pritet që në të ardhmen të jepen edhe repriza tjera. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria: Komisioni i Venecias jep dritën e gjelbër për vetting në drejtësi

    Lajmi i rradhës

    Mëngjesi është hapi kryesor për humbjen e peshës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë