120-të seanca gjyqësore për “Llaskarcën”, epilogu askund

    Sot u mbajt seanca e 120-të për aksidentin e katër viteve më herët në Llaskarë që mori jetën e 16 personave ndërsa seanca e 5-të dhe e fundit që merren në pyetje ekspertët e makinerisë që kishin punuar në super-ekspertizën problematike, e cila sipas familjarëve të viktimave, tërë fajin tenton t’ia mveshë shoferit të autobusit dhe tërësisht të shmangin përgjegjësinë për gjendjen e parregullt të autobusit.

    Edhe pse ekspertët pranuan se autobusi ka pasur parregullsi teknike, ata thanë se kjo nuk ka çuar deri në aksidentin tragjik. Ata gjithashtu druanin të përgjigjen në qoftë se një autobus me aq parregullsi, është dashur të lëshohet në qarkullim.

    “Ne vetëm dhamë mendimin tonë, konkluduam se autobusi ka pasur parregullsi teknike, mirëpo, në lidhje me atë se a duhet lejuar të lëshohet në komunikacion, nuk jemi kompetent të themi po ose jo”, tha Zekirija Zekiri, ekspert nga Byroja për Ekspertiza Gjyqësore.

    Meqë faji i pretenduar për shoferin e autobusit mes tjerash qëndron tek ajo që sipas deklaratave të mëhershme të ekspertëve ai nuk ka frenuar, avokati i tij i parashtroi Zekirit pyetje pikërisht në këtë drejtim.

    “Jam përgjigjur tre herë, tani për së katërti. Neve na intereson sistemi i frenave, ndërkaq a ka pasur ose jo gjurmë të frenimit duhet ta konstatojnë ekspertët e komunikacionit”, u shpreh Zekirija Zekiri, ekspert nga Byroja për Ekspertiza Gjyqësore.

    Ndërkaq përkundër numrit të madh të seancave të mbajtura, procesi gjyqësor për këtë rast edhe sot vijon në atmosferë të tensionuar. Familjarët e viktimave nga ky aksident nuk deshën të prononcohen para kamerave por për ALSAT thanë se ky proces po shndërrohet në një cirk të vërtetë.

    Epilogu gjyqësor për këtë rast duket të jetë larg. Kjo pasi ende s’ka filluar marrja në pyetje dhe shqyrtimi i ekspertizës së komunikacionit ndërkaq për këtë të makinerisë, u deshën gjithsej 5 muaj.

    Rikujtjomë që aksidenti ka ndodhur në shkurt të vitit 2019. Në këtë proces akuzohen gjithsej gjashtë persona, edhe atë pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari, shoferi i autobusit Manoil Trifunovski si dhe tre punonjës të stacionit për kontroll teknik. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    RMV, nuk ka mjeshtër “as për ilaç”, ndërsa shumë pedagogë janë të papunë

    Lajmi i rradhës

    Drejtori i cili u martua me motrën e rojës së shkollës…

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë