“14 të vdekur, 0 ditë burg” / Familjarët e viktimave kërkojnë që të hapet procedurë e re gjyqësore për tragjedinë në Tetovë

    “32 vjet shtet, 32 vjet korrupsion që vret”; “Besir Aliu (Kryeprokurori Tetovës) a flen rahat?!”; “Pa drejtësi, nuk ka qetësi”; “Drejtësi, jo pazare”; “14 jetë të humbura, e vërteta të del në shesh!”; “Përgjegjësi tani, drejtësi çdoherë”; “Përderisa nuk ka përgjegjësi, Tetova nuk do të ketë qetësi”, “Drejtësi pa dallavere”, “Hanefi Ameti (Prokuror i Tetovës) a falesh hala në xhami?!”, ishin nga parullat që e karakterizonin sot protestën në Tetovë.

    Sot familjarët e 14-të viktimave të zjarrit në spitalin modular Tetovë, së bashku me qindra njerëz kanë protestuar, kështu duke kërkuar drejtësi edhe atë në vigjilje të dy vjetorit të tragjedisë. Protestuesit marshuan nga ish-spitali modular e deri te Gjykata Themelore e Tetovës. Ata kërkuan që të hapet procedurë gjyqësore për shkaqe të zjarrit, rigjykim dhe rishqyrtim i vendimit paraprak, shkruan Nistori.

    Familjari Ibin Emshi, të cilit i vdiqi i vëllai dhe babai, tha se ata sot nuk janë në mesin tonë, vetëm se nuk u respektua asnjë standard i ndërtimit.

    “U munduan të na frikësojnë dhe të na heshtin duke i vlerësuar jetët e tyre me disa mijëra euro, dhe tentuan t’i fshehin fajtorët e vërtetë të kësaj tragjedie. Tymi i zi që atë natë mbuloi qytetin, sot po mbulon drejtësinë e këtij vendi. Besimi në sistemin e drejtësisë të këtij shteti është zero. Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tenderëve pa asnjë kriter vetëm për përfitime materiale. Korrupsioni vret! Të gjithë politikanët flasin për integrim në BE, kurse nuk respektohet jeta njerëzore”, deklaroi Emshi.

    “14 viktima, 0 ditë burg. Gjyqësori dhe prokuroria janë pjesë dhe mbrojtës të krimit të organizuar, korrupsionit, të së keqes dhe oligarkisë. Anashkalimi i ekspertizës gjermane, vetëm që të amnistohen fajtorët e vërtetë, është skandal i sistemit gjyqësor”, shtoi ndër tjera Emshi.

    Ndërkaq familjari Mumin Ismaili, të cilit i vdiq nëna në natën e 8 shtatorit 2021, njëjtë tha se për 14 viktima, nuk ka asnjë ditë burg.

    “Si anëtarë të familjeve urgjentisht kërkojmë: Hapje të procedurës gjyqësore për shkaqet e zjarrit, rigjykim dhe rishqyrtim të vendimit paraprak në gjykatën në Tetovë. Shkarkimi kryeprokurorit Jovevski bashkë me kryeprokurorin e Tetovës, Besir Aliu dhe prokurorët Zorica Pavloviq, Dejan Petreski, Hanefi Ameti e të tjerë”, tha Mumin Ismaili.

    Familjarët dhe protestuesit ngjitën pankartë para Gjykatës Themelore në Tetovë në të cilën shkruhej: 32 vjet shtet, 32 vjet korrupsion që vret.

    Ndryshe, familjarët njoftuan se do të protestohet edhe në të ardhmen, derisa e drejta të dalë në shesh. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët e RMV: Vendi po shkon në drejtim të gabuar

    Lajmi i rradhës

    NDOTJA E AJRIT | Qytetet më të ndotura të Europës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë