20 dollarë për kokë banori | Maqedonia ndër vendet me mirëqenie më të mirë në rajon

    Me afër 20 dollarë për frymë banori, Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet me mirëqenie më të mirë sesa të tjerët në rajon. Edhe pse sipas të dhënave që ka publikuar revista “Global Finance” lidhur me shtetet e botës, nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022, Maqedonia gjendet shumë poshtë, prapëseprapë të ardhurat për frymë banori janë më të larta se Shqipëria, Kosova, apo Bosnja dhe Hercegovina. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Perspektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”.

    Sipas këtyre të dhënave, për vitin 2022 Kosova rezulton të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Shqipëria, gjithashtu renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total, me PBB për frymë në 17,383 dollarë. Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB më të lartë për frymë, ndërsa në botë renditet e 69-ta me 24,878 dollarë, e pasuar nga Serbia (në vendin e 72-të) me 23,904 dollarë dhe Maqedonia e Veriut (në vendin e 78-të) me 19,726 dollarë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Bosnje Hercegovina në këtë renditje qëndron më poshtë (në vend të 88-të) me 17,471 dollarë për frymë. Për shkak se energjia dhe ushqimi janë mallra thelbësore që vështirë të zëvendësohen, çmimet më të larta janë veçanërisht të dhimbshme për familjet me të ardhura të ulëta, kostatohet nga ekspertët e FMN.

    “Kur çmimi i artikujve të tjerë, si elektronika, mobiljet ose argëtimi, rriten, familjet thjesht mund të reduktojnë apo edhe të eliminojnë shpenzimet për to. Për ushqimin, ngrohjen dhe transportin – shpesh thelbësore për të fituar jetesën – kjo është shumë më e vështirë. Si rezultat, situata aktuale përbën një kërcënim për stabilitetin ekonomik dhe social”vërejnë ekonomistët e FMN. PBB, realisht nuk mat shpërndarjen e pasurisë dhe kjo është arsyeja pse një përfaqësim më i saktë i kushteve të jetesës së njerëzve fillon me ndarjen e PBB-së së një kombi me numrin e njerëzve që jetojnë atje. PBB-ja për frymë dhe shkalla e rritjes së saj na tregojnë shumë më tepër për pasurinë sociale potencialisht të disponueshme për çdo person dhe nëse kjo pasuri ose rritet ose zvogëlohet me kalimin e kohës. “Kjo është arsyeja pse, në planin afatgjatë, është më mirë jo vetëm të jesh i pasur, por edhe të jesh egalitar. Shumë pabarazi ekonomike pengon rritjen për të gjithë, paqëndrueshmëria politike ka më shumë gjasa, kostot e kujdesit shëndetësor dhe normat e vdekshmërisë janë më të larta, dhe po ashtu edhe shkalla e krimit dhe korrupsionit. Të qenit i pasur në një vend të varfër ka edhe kosto”, thuhet në publikim.

    Matja e vendeve të pasura dhe të varfër bëhet referuar PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse, ku produkti i brendshëm bruto është i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse.

    Sipas kësaj metodologjie vendi më i pasur në botë është Luksemburgu me PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse deri në 140,694 dollarë. Vendi dytë më i pasur është Singapori, ndjekur nga Irlanda dhe Katari. Në fillim të listës vijojnë edhe vende si Zvicra Emiratet e bashkuara Arabe, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara në vend të shtatë me 76,027 dollarë për frymë. Por cilat janë vendet më të varfra të botës? Listimi i tyre sipas PBB tregon se në fund të listës janë Burundi, Sudani i Jugut, Somalia, Nigeria, Republika e Kongos dhe vende të tjera afrikane. /kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Çerdhet në Tetovë dhe Tearcë do të jenë gati në janar

    Lajmi i rradhës

    Caktohet numri i lëndës për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë