200 asistentë arsimorë do të jenë pjesë e shkollave të mesme

    Vitin e ardhshëm shkollor rreth 200 asistentë arsimor do të angazhohen në arsimin e mesëm. Sipas dikasterit të Arsimit, asistentët do të shoqërojnë nxënësit me aftësi të posaçme duke u mundësuar arritje të rezultateve në mësim. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha për Alsat se numri i asistentëve mund të ndryshojë, varësisht kërkesave që do të bëjnë shkollat e mesme.

    “Ministria e Arsimit ngjashëm me vitet e kaluara do të shpall konkurs për asistentë për shkollat fillore dhe të mesme varësisht nevojës që do të paraqesin shkollat dhe në bazë të nevojës që ne kemi nga analiza sepse nga arsimi fillor kalojnë në të mesme prandaj kemi numër të përafërt. Kuptohet, nëse konkursi ka nevojë shtesë sigurisht që mund të përsëritet. Për momentin kemi mbi 1000 asistentë arsimorë në arsimin fillor mirëpo numri i projektuar për arsimin e mesëm është 200”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

    Në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup për momentin janë të angazhuar 3 asistentë personal të cilët pas kërkesës nga shkolla janë siguruar nga Qyteti i Shkupit. Ato shoqërojnë nxënësit në orët mësimore dhe ndihmojnë lëvizjen e tyre brenda dhe jashtë objektit shkollor. Defektologia, Ajshe Beqiri vlerëson se krahasuar me asistentët personal, asistentët arsimor do të ndikojnë pozitivisht në sukseset e nxënësve.

    “Nëse krahasohet asistenti personal me atë arsimor padyshim që asistenti arsimor kishte qenë një përparësi më e madhe për nxënësit me nevoja të veçanta. Asistenti arsimor di teknikat dhe metodat e punës të cilat i ka mësuar gjatë studimeve dhe i aplikon tek nxënësi me nevoja të veçanta dhe padyshim do të ketë rezultate më të shpejta në edukimin ose pjesën akademike të tyre”, tha Ajshe Beqiri, defektologe.

    Muajin e kaluar në Kuvend u miratuan Ndryshimet në Ligjin e Arsimit të Mesëm, me çka parashihet angazhimi i asistentëve arsimorë në arsimin e mesëm sipas modelit të arsimit fillor. Angazhimi i tyre deri më tani bëhej përmes programeve të shërbimeve me bazë komunitare të UNDP-së, paguheshin me honorarë dhe nuk kishin status të zgjidhur për angazhimin e tyre si dhe nuk ishin në numër të mjaftueshëm.

    Lajmi Paraprak

    Çmimet e larta / “Konsumatorët janë lënë në mëshirë të fatit”

    Lajmi i rradhës

    Turqia e gatshme për të monitoruar paqen në Ukrainë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë