Qeveria nuk përkrah edhe një tërheqje të mjeteve nga Trusti

    Qeveria e Kosovës tha se nuk e përkrah nismën e Kuvendit të Kosovës për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, që njihet edhe si Trust.

    “Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë, duhet konsideruar si të mangët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, pas një mbledhjeje të mënyrë elektronike të mërkurën, më 21 prill.

    Ekzekutivi kosovar, që udhëhiqet nga Albin Kurti, tha se është afër qytetarëve për të “ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme”.

    Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare, në mars kishte iniciuar nismën legjislative për tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

    Në propozimin e PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale, kërkohej që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

    Ndërkaq, ata që kanë deri në 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

    Sipas propozimit, për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

    Këtë propozim, PDK-ja e ka dërguar në Kuvend më 9 mars dhe i njëjti po pret që të vendoset në rend dite nga Kryesia e Kuvendit.

    Qytetarët e Kosovës kanë pasur të drejtë që të tërhiqnin kursimet e tyre nga Trusti pas një vendimi të marrë më 2020. Ky vendim ishte marr për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve në Kosovë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

    Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.

    Ekspertët e ekonomisë kishin deklaruar më herët për REL-in, se mundësimi i një tërheqje të dytë të mjeteve nga Trusti, do të dëmtonte kontributpaguesit. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Juve i ka hapur bisedimet me përfaqësuesit e Di Marias

    Lajmi i rradhës

    “Edhe demokracitë më të mëdha nuk kanë tekste të harmonizuara të historisë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë