21% e maturantëve në RMV do të studiojnë jashtë shtetit

    Cilësia e programeve të studimit e vlerësimet e universiteteve janë ndër shkaqet për të cilat 21% e të rinjve kanë vendosur që studimet t’i kryejnë jashtë vendit. Sipas një hulumtimi të Fakultetit Juridik në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, vendet më atraktive për studime janë Bullgaria dhe Sllovenia. Profesori universitar Strashko Stojanovski në një intervistë për MIA-n u shpreh se hulumtimi është pjesë e një projekti më të madh në të cilin bashkë me disa profesor punojnë edhe studentë.

    Hulumtimi titullohet “Migrimi i të rinjve, arsimimi”, i cili është bërë edhe para 5 vjetëve e që mundëson krahasimin e rezultateve. Ai potencoi se me anë të këtyre anketave mund të vërehet edhe se interesimi i të rinjve për të studiuar jashtë vendit pothuajse është dyfishuar, gjegjësisht nga 13% sa ishte para 5 vitesh, tani kjo përqindje ka arritur në 21%.

    “Tashmë mund të perceptojmë disa të dhëna dhe tendenca të caktuara, megjithëse do thosha se është shumë herët pasi kemi vetëm dy sondazhe të tilla. Ekziston edhe një hulumtim tjetër që kemi prezantuar vitin e kaluar e që lidhet me migrimet. Këto janë qëndrimet e të rinjve sa i përket migrimit dhe ky hulumtim para se gjithash ka të bëjë me motivin arsimor për migrim tek të rinjtë. Nga katër rajone planifikuese, shumica e shkollave ishin të mbuluara. Pra në këto rajone janë rreth 22 shkolla të mesme, duke filluar nga rajoni lindor, verilindor, juglindor, dhe rajoni i Vardarit”, tha Stojanovski.

    Derisa foli për arsyet se pse një përqindje e tillë e të rinjtë dëshirojnë që të studiojnë jashtë vendit, ai tha se motivet kryesisht kanë të bëjnë me perspektivat dhe disa kritere ekonomike, e kjo po përsëritet edhe nga hulumtimi i vitit të kaluar. Gjatë anketës të rinjtë janë shprehur se faktori ekonomik është faktor kyç për migrimin dhe ndërtimin e një karriere profesionale jashtë vendit. Sipas profesorit, rreth 30% e nxënësve të shkollave të mesme nuk do të studionin.

    “Kur bëhet fjalë për motivin nuk mund të flasë menjëherë ‘ad-hok’ për emigracion të përhershëm të rinjve, domethënë kjo është vetëm një tregues se mund të ketë një tendencë të tillë. Emigrimi i përkohshëm i cili do lidhej me plotësimin e arsimit, pra kalimin nga arsimi i mesëm në atë të lartë, po shkon drejtë emigrimit të përhershëm në të ardhmen”, theksoi ai duke shtuar se nëse ndodh që të rinjtë të socializohen atje, nëse krijojnë lidhje të mjaftueshme, nëse kanë mundësi punësimi, kjo nënkupton se ata do të qëndrojnë atje.

    Gjatë bisedës Stojanovski theksoi se tregues serioz është se si do t’i trajtojmë politikat arsimore të disa shteteve. Këtu hynë Sllovenia që siç thotë ai, ata arritën në përfundimin se nuk është një politikë arsimore klasike e Sllovenisë, por një strategji klasike, demografike e tyre.

    Sipas tij, të gjitha vendet kanë probleme me potencialet demografike dhe ajo që lëviz vendin dhe siguron që ai të ketë perspektivë është pikërisht rinia.

    “Sllovenia e ka zgjidhur këtë. Një nga aspektet është pikërisht kjo politikë arsimore të cilën ata e bëjnë në atë mënyrë që do të tërhiqnin një popullsi të mundshme sepse këto politika arsimore i referohen vendeve të Evropës Juglindore, të cilat janë pjesë e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kroacisë”, u shpreh ai.

    Stojanovski beson se sistemi arsimor në vend nuk është edhe aq i keq siç tregojnë rezultatet e studentëve tanë që studiojnë në Slloveni.

    “Kemi biseduar me kolegë nga Universiteti i Lubjanës. Nga 10 studentët më të mirë që janë atje, 5 janë nga Maqedonia. Pra, ne kemi një sistem cilësie, prandaj nuk duhet të krijojmë stereotipa, sepse kjo ndikon edhe në këndvështrimin e të rinjve dhe duhen theksuar shembujt e mirë. Kemi shembuj të mirë të rinjve të suksesshëm. Nuk do ishte keq që ndonjëherë të ketë histori të tilla e jo dominimi i lajmeve negative, i politikës ditore të mediave”, përfundoi ai. /koha/

    Lajmi Paraprak

    ARSIMI DUAL! Fuqi punëtore nga bankat shkollore

    Lajmi i rradhës

    Rregulli 1 në biznes: Respekto kohën e gjithkujt!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë