30 DITË PËR TË SIGURUAR 80 VOTA!

    Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së 171 të Qeverisë në të cilën kryeministri dhe ministrat i miratuan ndryshimet kushtetuese, propozimi i kaloi Parlamentit, kanë njoftuar nga qeveria.

    “Në seancën e 171 të Qeverisë të mbajtur me 18.7.2023 pika 48 është shqyrtuar informata për propozim amendamentet kushtetuese, është përcaktuar propozimi dhe menjëherë pas përfundimit të seancës është dorëzuar në Kuvend”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. I njëjti duhet që të votohet në 30 ditë pune që nga hyrja në procedurë parlamentare e propozimit, në mënyrë që të përcaktohet nevoja për ndryshime kushtetuese. “Ju njoftojmë se seanca e sotme ishte caktuar që më 26 maj të këtij viti për të cilën menjëherë janë njoftuar gjithë deputetët. Ndërsa informacioni është publikuar edhe në faqen e Parlamentit.

    Kryeparlamentari Talat Xhaferi në konferencën e fundit me media tha se nga marrja e materialeve deri në votim nevojiten 30 ditë pune pasi maksimumi 10 ditë punë i duhen Komisionit Kushtetues që të përfundojë tetë ditë para ditës së caktuar për votim. Vendimin për aderim të ndryshimeve kushtetuese e merr Kuvendi me 2/3 e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Pas marrjes së vendimit Kuvendi me anë të një konkluzioni cakton afat në të cilin parashtruesi i propozimit për aderim në ndryshimin e Kushtetutës përgatit tekstin e draftit për ndryshime kushtetuese. Pastaj janë edhe dy faza tjera përfshirë edhe dëgjimin publik. Procedura për ndryshimin e Kushtetutës duhet të përfundojë deri në fund të nëntorit. Në konferencën e fundit, kryetari i Kuvendit u shpreh se deputetët janë në seancë të përhershme që edhe nëse votohet në gusht për të përcaktuar nevojën për ndryshime kushtetuese të mos ketë pengesa për të.

    “Nuk ka asnjë pengesë për Kuvendin as në korrik, as në gusht, e as në shtator”, tha Xhaferi.

    Ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski 30 ditë para fillimit të seancës plenare për të votuar nevojën për hapjen e Kushtetutës është optimist se do të ketë konsensus ndërpartiak për vazhdimin e integrimit evropian të shtetit.

    “Pritjet e mia janë që të ketë një diskutim të frytshëm dhe të ketë një konsensus ndërpartiak për vazhdimin e integrimit evropian të shtetit. Ambasadori David Geer e bëri të qartë se gjithçka varet nga ne dhe se ne i marrim vendimet. Besoj se këto janë ndryshime kushtetuese që nuk ndërhyjnë në asnjë çështje identiteti. Ne jemi një shoqëri multietnike që është shembull i Evropës në miniaturë dhe shpresoj se 120 deputetë do të kenë vizion, virtyt dhe guxim për të marrë vendim që do të thotë sigurim i një të ardhmeje më të mirë evropiane për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm”, tha Kovaçevski.

    Ndërhyrjet në Kushtetutë që po kundërshtohen nga opozita maqedonase i referohen shtimit të kombeve në preambulë dhe neneve 49 dhe 78 të Kushtetutës ku numërohen pjesët e kombeve në shtet. Qeveria gjatë ditës së djeshme bëri thirrje për konstruktivitet dhe arritjen e një konsensusi ndërpartiak për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, si pjesë e negociatave me BE-në dhe kusht për vazhdimin e tyre. Ajo beson se para qytetarëve dhe shtetit është një “shans i papërsëritshëm” për të konfirmuar rrugën evropiane dhe për të përshpejtuar integrimin evropian, dhe për të arritur synimin për integrim deri në vitin 2030. /koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV, kush ju “vëzhgon” mund të shkojë në burg!

    Lajmi i rradhës

    Qendra rinore kemi, por jo mjaftueshëm  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë