Qendra rinore kemi, por jo mjaftueshëm  

    Kumanova është komuna më e madhe në Maqedoninë e Veriut, ku përfshin edhe një numër të madh të të rinjve në vend. Të rinjtë nga ky qytet ankohen për mungesë të qendrave rinore dhe përfshirje më të gjerë dhe kushte. Përpos papunësisë, në Maqedoninë e Veriut të rinjtë po përballen edhe me mungesën e qendrave rinore, ku ky fenomen po paraqet problem shqetësues, pasi që të rinjve nuk po u jepet hapësira e duhur për kreativitet dhe kalimin e kohës së lirë sidomos gjatë pushimeve verore.

    Aktivisti Eren Ali ka deklaruar se ata janë shumë të lumtur që në Kumanovë ekziston Qendra Rinore, e cila është e para e llojit në vend sipas Ligjit për pjesëmarrjen e të rinjve, politikat rinore dhe qendrat rinore.  “Kjo qendër ofron një hapësirë të përshtatshme dhe të sigurt, ku mbështetja sistematike për zhvillimin personal të të rinjve dhe përfshirja e tyre aktive në jetën e komunitetit, zbatohet përmes arsimit joformal, pjesëmarrjes në argëtim dhe aktiviteteve vullnetare të organizuar nga dhe për të rinjtë, si dhe mentorim dhe informim”, tha ai.

    Sipas tij, Qendra e Rinore në Kumanovë ka ende nevojë për më shumë kushte dhe për një përfshirje më të gjerë.  “Duhet të ketë më shumë hapësira për organizata dhe grupe joformale rinore, një kusht i cili nuk po plotësohet në hapësirën aktuale. A ka Kumanova nevojë për më shumë qendra rinore? Përgjigja është një ‘po’ e madhe. Por së bashku me këtë, kemi edhe nevojë për motivim dhe përkrahje institucionale, të cilat janë të munguara në këtë moment. Ne e presim me padurim kohën kur të gjithë aktorët relevantë do të angazhohen për të mbështetur rininë tonë, duke e bërë Kumanovën një qytet më të mirë për të gjithë”, deklaroi në fund Ali.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), qyteti i Kumanovës nga mosha 15 deri në 29 vjeç ka gjithsej 18.684 të rinj. Derisa për të gjithë këta të rinj kemi vetëm një qendër rinore e cila vështirë përmbush kërkesat e të gjithë të rinjve, studentëve dhe nxënësve.

    Nami Isaku kryetar i CID për gazetën KOHA, ka thënë se për herë të parë pas miratimit të ligjit, qendra rinore CID në Kumanovë po merr mbështetje prej komunës. “Që nga viti 2010, qendra rinore CID asnjëherë nuk ka pasur mbështetje nga komuna dhe institucionet deri në miratimin e ligjit për krijimin e qendrave rinore. Pas miratimit të ligjit ne mbështetemi financiarisht nga Komuna e Kumanovës. Kjo qendër ka një gamë të gjerë dhe ka interesim nga të rinjtë, ku nga raporti vjetor dy mijë të rinj nga nacionalitete të ndryshme janë pjesë e CID”, njofton për KOHA, Nami Isaku. Ai thotë se pavarësisht suksesit të kësaj qendre, qytetit të Kumanovës i duhen më shumë hapësira të tilla, ku nga kjo mund të rriten standardet e punës në qendrat rinore, të cilat ndër të tjera parashikojnë dhe punësimin e të rinjve. Ndryshe, sipas njoftimeve nga shtatori pritet hapja e qendrës rinore në Komunën e Likovës.

    Lajmi Paraprak

    30 DITË PËR TË SIGURUAR 80 VOTA!

    Lajmi i rradhës

    Administrata në RMV plus 10 për qind rritje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë