Banorët e Jazhincës të Komunës së Jegunocit vazhdojnë të kenë probleme me marrjen e shërbimeve shëndetësore primare. Përderisa problemi kishte filluar të zgjidhet, megjithatë i njëjti has në vështirësi burokratike. Banorët e këtij fshati, vite me radhë kërkojnë të gjendet zgjidhje lidhur me mungesën e mjekut edhe pse ambulanca tashmë është rregulluar në aspektin infrastrukturor. Nuk ka ministër të Shëndetësisë që në këto 10 vite nuk ka premtuar zgjidhje për këtë problem, por vetëm në mënyrë deklarative, ndërsa mjeku amë në këtë fshat nuk arriti asnjëherë, shkruan gazeta Koha.
Mjek për këta banorë premtoi edhe ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Taravari, por në një formë më moderne, përmes telemedicinës. Kjo do të thotë se në vend të mjekut në fshat, të vihet një infermiere kujdestare dhe një kompjuter me internet për kontakt me mjekun, i cili do bëj ekzaminimin dhe këshillimin e infermieres se çfarë trajtimi duhet t’i jepet pacientit. Zgjidhje tjetër, sipas Taravarit, nuk ka.
“Jemi duke u munduar ta aktivizojmë telemedicinën në kuadër të ‘Termini Im’. Normalisht na duhet kohë, na duhet edhe kuadër, unë besoj se të gjitha ambulancat rurale kështu mundemi t’i vemi në funksion. Përndryshe, zgjidhje tjetër në Maqedoninë e Veriut nuk shoh, sepse për momentin ka mungesë edhe të mjekëve, por edhe të infermierëve, të cilët do të kishin punuar në zonat rurale”, deklaroi ministri Shëndetësisë, Arben Taravari.
Ndër vite është premtuar zgjidhje, por nuk ka pasur hapa konkret. Banorët ankohen se janë lënë tërësisht pas dore. Nga Bashkësia Lokale e këtij fshati kanë thënë se ambulancën vet banorët e kanë ndërtuar para tridhjetë vitesh me kontributin e tyre. Sipas tyre, kërkesë është bërë shumë herë dhe premtime ka pasur, por problemi nuk është zgjidhur, sepse banorët shkojnë në fshatin më të afërt që është Vratnica apo në Tearcë ose Tetovë.
Fshati Jazhincë ka 30 vjet pa shërbim shëndetësor. E ka objektin e ambulancës, por nuk ka mjek amë, ndërsa banorët detyrojnë të udhëtojnë drejt fshatrave të tjerë ose mbi 35 kilometra për të shkuar në Tetovë për mjekim.
Fshati Jazhincë ka rreth 150 shtëpi dhe mbi 1000 banorë, të cilët përveç mungesës së ambulancës, kanë edhe probleme infrastrukturore. Në situatë të njëjtë janë edhe shumë fshatra të tjerë të Malësisë së Sharrit, të cilët gjatë sezonit të dimrit, e kanë pothuajse të pamundur vizitën të mjeku si pasojë e mungesës së transportit, por edhe kushteve të këqija për udhëtim.