Në Shqipëri qarkullojnë rreth 4.3 miliardë euro jashtë bankave. Shifra tregon se paraja fizike që gjendet jashtë sistemit bankar ka vijuar të rritet me një ritëm të shpejtë edhe në tremujorin e parë të vitit 2025.
Në raport me vitin e kaluar, janë afro 400 mln euro, ose 10% më shumë vlera monetare, të cilat qarkullojnë në dorë
Këto shifra tregojnë një prani më të madhe të parasë fizike në ekonomi, e cila lidhet me kulturën e banorëve për të kryer pagesa me para në dorë dhe për të mbajtur kursime në banesë.
Ndërkohë, edhe informaliteti apo paraja e fituar nga burime të jashtëligjshme ndikon në këtë sjellje.
Në drejtim të uljes së përdorimit të parasë “cash” në ekonomi, në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave parashikohej që gjatë 2025 të vendosej një limit për pagesat cash mes individëve, duke reduktuar pagesat me para në dorë mes bizneseve nga 150 mijë lekë që është limiti aktualisht.
Ndërkohë, pritet që të ulen edhe komisionet e përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve.
Gjithashtu, për të nxitur edhe më tepër kryerjen e pagesave elektronike, këtë vit pritet të shpërndahen në të gjithë vendin 4750 terminale POS për tregtarët. /EN/