PESHKOPI PETAR QË I DO GRATË SI DIKUR! Vijojnë reagimet, kërkohet shkarkimi i mitropolitit

    Kanë kaluar disa ditë nga deklaratat e cilësuara skandaloze të peshkopit Petar, mitropolit i Dioqezës Prespë-Pellagoni, nga Kisha (KOM) ende nuk ka asnjë reagim. Deklaratat e tij që trazuan opinion u bënë publike përmes mesazhit të tij të Pashkëve drejtuar besimtarëve, ku ndër të tjera barazinë gjinore ai e përkufizonte si ideologji helmuese, terminologji manipuluese, blasfemuese, e panatyrshme, e çoroditur. Madje ai shkon më larg, duke kërkuar që nënat e divorcuara të punojnë në llogore, ndërsa fëmijët e tyre t’i jepen nën kujdestari kishës.

    “Shoqëria jonë kërcënohet nga një ideologji edhe më e rrezikshme, shkatërruese dhe helmuese – barazia gjinore! Kjo ideologji, pra terminologji manipuluese është blasfemuese, e panatyrshme, e çoroditur. Zoti i krijoi mashkull dhe femër dhe çdo gjë tjetër e ndryshuar, e tjetërsuar dhe e ndryshme nga krijimtaria e Zotit është anormale, prandaj dhe e papranueshme”, thotë mitropoliti.

    Duke iu referuar edhe feminizmit – shfaqjen e tij dhe emancipimin e gruas, që më parë  ishte bashkëshorte, nënë dhe amvise, ndërsa sot është shumë e emancipuar me pozita të dukshme në shoqëri, por shpeshherë e divorcuar dhe një nënë beqare. Sipas peshkopit, nëse  dikush kërkon të drejta më shumë ose më të mëdha, ai duhet të jetë i vetëdijshëm, i gatshëm për të kryer detyra më të mëdha, sepse kërkimi i të drejtave pa detyrime është nihilizëm.

    “Ushtrimi i të drejtave pa detyra, që më së miri quhet anarki dhe kaos, e korrupton dhe e çorodit botën, e cila si e tillë humbet ekuilibrin dhe harmoninë. Pikërisht kështu është bota moderne, në të cilën familja është e ndarë dhe jofunksionale dhe njeriu humbet gjithnjë e më shumë. Epo, një kërkesë e tillë për të drejta pa detyra, e cila në fakt mohon dhe kundërshton vlerat themelore njerëzore – është rezultat i ideologjisë më shkatërruese dhe helmuese që i ofrohet njeriut – nihilizmit”, tha peshkopi.

    Pas reagimeve të shumta ndaj këtyre deklaratave Platforma për Barazi Gjinore (rrjet 28 organizata) ka kërkuar shkarkimin e peshkopit.

    “Duke sugjeruar që gratë që kërkojnë të drejtat e tyre duhet të përgatiten për të kryer detyra të shumëfishta, peshkopi Petar në thelb po argumenton se gratë duhet të ndëshkohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Kjo nuk është vetëm thellësisht e padrejtë, por edhe në kundërshtim me parimet e barazisë dhe drejtësisë që ne të gjithë përpiqemi t’i ruajmë”, thonë nga Plarforma.

    Snezhana Kaleska Vançeva, anëtare e Klubit të deputetëve në Parlament thotë se para së gjithash i vjen keq që Peshkopi Petar publikisht shpreh një qëndrim të tillë ndaj barazisë gjinore në shekullin XXI, për të cilin ekziston një organ i veçantë në Parlament.

    “Nëse nisemi nga ajo që thotë Bibla, të gjithë njerëzit lindin të barabartë dhe nuk e kuptoj se si barazia gjinore mund të jetë blasfemi. Të gjithë kemi lindur të barabartë dhe duhet të jemi të barabartë në mundësi”, thotë deputetja.

    Edhe ministrja e politikës sociale Jovana Trençevska i ka kujtuar peshkopit se koha e inkuizicionit ka kaluar. “Blasfemi është helmi që leshkon nga goja jote për 51 për qind të popullsisë”, ka shkruar ndër të tjera ministrja. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ismaili: Keqpërdorimet në TikTok mund të dëmtojnë institucionet, individët dhe shoqërinë, të domosdoshme kufizimet

    Lajmi i rradhës

    Qytetarëve të RMV u duhen tre rroga për një iPhone, zviceranëve tre ditë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë