Ç’do të thotë të jesh gazetar sot në RMV?

    Të punosh gazetar në Maqedoninë e Veriut do të thotë të kesh gjetur profesionin më sfidues në vend, jo vetëm për shkak të misionit që është karakteristikë e gazetarisë, por liria e medias është nën presion të vazhdueshëm. Tjetër shqetësim është mungesa e gazetarëve, pagesa e ulët, cenzura dhe autocenzura, shkruan Nistori.

    Me shumë është e përhapur censura apo autocensura në hapësirën mediatike në RMV?

    Gazetari Adrian Kerimi për Nistori thotë se, autocensura nuk ekziston nëse ndaj mediave nuk ushtrohet censurë permanente.

    “Mediat në vendin tonë i janë nënshtruar fillimisht censurës financiare, pastaj asaj politike dhe në fund kanë kaluar në autocensurë. Gjeneratat e reja poni nënshtrohen një autocensure sistematike të instaluar brenda mediave dhe për pasojë po i largohen profesionit. Rezultati përfundimtar i kësaj është largimi nga profesioni, studimet e gazetarisë dhe bota mediatike”, shprehet gazetari Kerimi, i punësuar në Alsat M.

    Për pak vite, sipas Kerimit, më i madh do të jetë komuniteti i ish-punonjësve mediatik se sa i punonjësve aktual.

    Sipas gazetarit të TV Koha, Urim Hasipi mediat në rajonin e Pollogut përballen me probleme të shumta, duke filluar nga paga e ulët e gazetarëve dhe mungesa e kuadrove.

    “Mediumet në rajonin e Pollogut përballenm me probleme të shumta. Mungesa e gazetarëve, rroga të ulëta, si dhe probleme të karakterit infrastrukturor. Probleme ka edhe në qasjen e informacioneve publike, sepse institucionet janë të mbyllura për gazetarët. Probleme që janë në nivel kombëtar dhe në rajonet tjera. Për këtë gjendje është e njoftuar edhe ShGM (Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë) dhe institucionet tjera. Mos të flasim për lirinë e medias, jemi shumë larg. Përderisa nuk ka pavarësi financiare, nuk do të ketë mediume të lira dhe gazetarë të lirë”, shprehet Hasipi.

    Sa ka hapësirë për gazetari të pavarur në RMV?

    Sipas gazetarit Fisnik Xhelili, i cili punon në portalin Portalb, gazetari të pavarur në RMV ka, por varësisht sa dhe si përdohet kjo hapësirë. Në median ku punon, ai thotë se nuk i është mohuar e drejta për të raportuar mbi ndonjë problem, përkundrazi ka qenë i motivuar.

    “Kjo më bën të besoj se gazetari të pavarur në këtë vend ka, por duhet të jemi këmbëngulës ndaj saj dhe mos të dorëzohemi nga çdo erë që fryn. Por, rastet si ky, për fat të zi janë të rralla. Parë në një pasqyrë më të madhe, fatkeqësisht, mediat e pavarura në RMV numërohen me gishta. Pavarësia e shumë mediave mbaron në momentin kur preken interesat e të afërmive apo punëve të tyre, kryesisht me karakter politik, kjo për shumë arsye. Demokracitë e zhvilluara veçohen me shtyp të lirë, si vend nuk qëndrojmë keq në këtë drejtim, por nuk jemi as afër asaj ku duhet të jemi”, thekson Xhelili.

    ShGM, me përpjekje të vazhdueshme që gazetarët të raportojnë lirshëm dhe pa frikë

    Nënkryetari i ShGM-së dhe njëkohësisht gazetar i TV21, Senat Zylbehari për Nistori shprehet se Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, ka mbi 900 anëtarë, duke u nisur nga gazetarë, fotoreporterë, kameramanë dhe të punësuar tjerë mediatik dhe në vazhdimësi bën përpjekje që gazetarët të mund të raportojnë sa më lirshëm edhe të mos vetë censurohen.

    “ShGM ofron edhe ndihmë juridike për të gjithë gazetarët që e kanë të nevojshme, kështu duke ndjekur seancat gjyqësore ku akuzohen gazetarët, apo janë të ftuar si dëshmitarë. ShGM gjithashtu ofron edhe konsultime juridike, ndërmjetëson konflikte, organizon takime ku gazetarët njoftohen me të drejtat e tyre me qëllim të një raportimi sa më të drejtë dhe nëse eventualisht ka ndonjë frikë. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, njëkohësisht është edhe inicuese e ndryshimeve ligjore si, ligjit për shpifje dhe ndryshimet në kodin penal që sulmi ndaj gazetarëve të llogaritet si sulm ndaj personave zyrtarë. ShGM është anëtare e shumë organizatave tjera ndërkombëtare të gazetarisë dhe me këtë rast liria e gazetarëve është në rend të parë ku edhe organizon trajnime të ndryshme në këtë aspekt”, deklaron nënkryetari i ShGM-së, Zylbehari.

    Sa i përket lirisë së media për vitin 2023, Maqedonia e Veriut ka një ngritje prej 19 vendeve krahasuar me vitin 2022. Maqedonia e Veriut renditet e 38-ta nga gjithsej 180 vende në botë sipas Indeksit Global të Lirisë së Medias të “Reporterëve pa kufij”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Afrim Gashi autorizohet nga Alternativa për të biseduar në lidhje me bashkëpunimin me Lëvizjen Besa

    Lajmi i rradhës

    Llojet e mjaltit dhe përfitimet për shëndetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë