Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 23-të, në grupin prej 25 shtetesh me më së shumti emigrantë. Më shumë se 40 për qind e kuadrove të arsimit të lartë, në 10 vitet e fundit, e kanë lëshuar shtetin dhe sipas indeksit të Global Economy është renditur në vendin e 5-të nga 41 shtete evropiane. Kështu thuhet në Raportin e Bankës Botërore për vitin 2023, sipas të cilës, arsyeja për emigrimin nuk është vetëm me natyrë ekonomike.
“Mundësi të dobëta për punësim, papunësi prej 24 për qind te të rinjtë deri në moshën 29 vjeç dhe të rinj që emigrojnë për një shëndetësi më cilësore, mbrojtje sociale dhe një mënyrë jetese më cilësore janë disa nga arsye që po ikin të diplomuarit”, thuhet në Raport.
Dhe, për të ndaluar trendin e migrimit të kuadrove të rinj të arsimuar dhe kthimin e atyre që tashmë janë shpërngulur, Oda Ekonomike e Maqedonisë propozon krijimin e një Platforme në të cilën vendin udhëheqës do ta kenë Qeveria dhe Oda Ekonomike, e në të cilën do të përfshiheshin universitetet dhe organizatat joqeveritare që do të ofrojnë zgjidhje të përshtatshme.
“Për një kohë të gjatë, sistemi arsimor maqedonas dhe sektori i biznesit funksiononin si dy botë paralele. Njëri prodhonte kuadro, tjetri kërkonte kuadro – por rrallëherë këto dy nevoja takoheshin. Rezultati? Të rinj që diplomojnë pa aftësi praktike. Kompani që mezi gjejnë fuqi punëtore të kualifikuar. Dhe një ekonomi që stagnon. Oda e Ekonomisë në vitin 2017 mori iniciativën për futjen e arsimit dual. Fillimisht filluam si projekt pilot me vetëm dy kualifikime – nga sektorët e elektroteknikës dhe makinerisë. Sot, pamja është krejtësisht ndryshe: ky model aplikohet në 78 kualifikime në kuadër të 14 sektorëve, me pjesëmarrje aktive të 560 kompanive dhe 69 shkollave të mesme profesionale. Kemi një numër mbresëlënës prej 259 paraleleve duale në shkolla”, thotë Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike.
Ai thotë se kjo është e rëndësishme për kompanitë, sepse siç shprehet, koha e pritjes ka kaluar.
“Sot nuk mund të prisni që të shfaqet kandidati ideal. Duhet ta krijoni vetë. E kjo do të thotë të investoni në të rinj që do të trajnohen konkretisht për proceset, teknologjitë dhe nevojat tuaja. Arsimi dual pikërisht këtë e mundëson. Dhe kjo nuk është ‘investim në fëmijën e dikujt tjetër’, por investim në të ardhmen tuaj. Çdo kompani e di: e ardhmja nuk ndërtohet vetëm me makina, por me njerëz. Nëse duam që të rinjtë të qëndrojnë këtu dhe të kenë perspektivë, duhet t’u ofrojmë arsim që çon drejt punësimit. Duhet t’i përgatisim për tregun që ekziston, e jo për atë të para 20 viteve”, propozon Azeski.
Arsimi dual nuk është qëllimi përfundimtar, shton Azeski, por fillimi i një kuptimi të ri: se arsimi duhet të flasë në gjuhën e ekonomisë.
“Dhe Dhoma është këtu – për të qenë përkthyes, ndërmjetësues dhe nxitës i këtij procesi. Përndryshe, do të vazhdojmë të jemi dëshmitarë të ikjes së trurit drejt perëndimit. Maqedonia nuk ka të ardhme nëse nuk e ndal këtë proces. Prandaj, që nga sot, Dhoma është në një ofensivë të re për të bindur Qeverinë që me një platformë të përbashkët të bëjnë një kthesë si në arsimin dual. Pesimistët janë larguar prej kohësh, këtu kanë mbetur vetëm optimistët. Le të bëjmë një përpjekje për t’i mbajtur këtu”. /Koha/