Pothuajse 46 milionë denarë, ose rreth 750 mijë euro, u paguan vitin e kaluar nga autoritetet e qytetit si dëmshpërblim për qytetarët e kafshuar nga qentë endacakë. Vetëm deri më 24 qershor të këtij viti, Ndërmarrja Publike “Lajka”, e cila ka kapacitet për 140 qen, mori 710 denoncime nga qytetarët për kapjen e qenve endacakë, përcjell Nistori.
Edhe pse objekti ka kapacitet për 140 qen, aktualisht aty mbahen rreth 180, falë bokseve të jashtme të vendosura shtesë për mbajtjen e qenve në grup.
Pavarësisht miliona denarëve të paguar si dëmshpërblim dhe përpjekjeve të NP “Lajka”, qytetarët vazhdojnë të ankohen për tufa qensh endacakë në disa lagje të Shkupit.
Sipas procedurës së NP “Lajka”, qytetarët që vërejnë një qen endacak ose agresiv duhet ta denoncojnë rastin përmes faqes së internetit të ndërmarrjes, ku është në dispozicion një formular i posaçëm për raportim. Pas kapjes, qentë dërgohen në stacion, ku i nënshtrohen trajtimit veterinar, përkatësisht sterilizimit, vaksinimit kundër tërbimit, mikroçipimit dhe vendosjes së etiketave në vesh.
Pas përfundimit të trajtimit dhe vlerësimit të sjelljes, qentë kthehen në vendin nga i cili janë kapur. Përjashtim bëjnë rastet kur është raportuar kafshim dhe rasti është i dokumentuar me dëshmi mjekësore. Në raste të tilla, qeni nuk kthehet në të njëjtin vend pas kapjes.
NP “Lajka” e lidh problemin e numrit të madh të qenve endacakë me pronësinë e papërgjegjshme dhe shumimin e pakontrolluar të qenve shtëpiakë.
“Qyteti i Shkupit, sikurse çdo komunë në vend, ka detyrimin ta monitorojë popullatën e qenve të rrugës. Monitorimi i fundit është kryer në vitin 2023, ndërsa aktualisht po zhvillohet një monitorim i ri sipas një metodologjie të hartuar nga ICAM, e cila është pjesë e WOAH-së. Monitorimi i vitit 2023 tregoi se në territorin e Qytetit të Shkupit qarkullojnë rreth 4.000 qen të rrugës, prej të cilëve rreth 48 për qind janë sterilizuar. Në të njëjtën kohë, rreth 18 për qind e qenve të gjetur në rrugë kishin pronarë, por ishin lënë pa mbikëqyrje. Për krahasim, në Shkup janë të regjistruar rreth 40.000 qen me pronarë dhe vetëm 9 për qind e tyre janë sterilizuar”, thonë nga NP “Lajka”.
Redaksia e Meta.mk ka pranuar ankesa nga qytetarët për tufa qensh të pastrehë në pjesë të ndryshme të Shkupit. Një prej tyre vjen nga një banore e Taftalixhes, e cila pretendon se një tufë qensh qëndron në lagjen e tyre prej muajsh.
“Tufa e qenve u shfaq vjeshtën e kaluar, gjatë natës. Ishte e qartë se ata ishin sjellë nga një vend tjetër. Asnjëri prej tyre nuk njihej nga banorët e lagjes dhe nuk kishin as etiketa në vesh. Mes tyre kishte edhe nëna me këlyshët e tyre. Ishin lënë në një vend shumë të pasigurt, menjëherë pranë një rruge të frekuentuar, ndaj çdo ditë dëgjojmë frenimin e automjeteve që përpiqen t’i shmangin. Kjo nuk është e sigurt as për shoferët, as për qentë”, thotë ajo.
Sipas saj, qentë janë agresivë ndaj kalimtarëve që shëtisin kafshët e tyre shtëpiake, si dhe ndaj çiklistëve dhe personave që lëvizin me trotinetë.
“Ata janë denoncuar shumë herë te ‘Lajka’ dhe në Komunën e Karposhit, por vazhdojnë të jenë në të njëjtin vend. Përgjigjja që morëm ishte se do t’i marrin për trajtim human, por nuk mund t’i mbajnë për shkak se kapacitetet janë të mbushura. Kjo nuk e zgjidh problemin, as për qentë, as për qytetarët që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre pa frikë”, shton ajo.
Nga NP “Lajka” thonë se kjo tufë qensh është identifikuar si prioritet për ndërhyrje dhe se, sipas vëzhgimeve të tyre në terren, bëhet fjalë për qen që nuk janë të kësaj zone.
“Shfaqja e tyre e njëkohshme si një tufë e formuar, si dhe fakti se asnjëri prej tyre nuk ishte trajtuar më parë, ngre dyshime të arsyeshme se ata janë zhvendosur nga një komunë tjetër jashtë territorit të Qytetit të Shkupit”, thonë nga ndërmarrja.
Një qytetar nga Gjorçe Petrovi, i cili studion jashtë vendit dhe aktualisht po zhvillon procedurë për dëmshpërblim pasi është kafshuar nga një qen, ka përjetuar një situatë të ngjashme.
“Disa ditë para Vitit të Ri po kthehesha në shtëpi, kur para hyrjes së ndërtesës hasa gjashtë qen. Edhe më parë më kishin lehur shumë herë, ndaj prisja që, sikurse herët e tjera, vetëm të lehnin. Por këtë herë vrapuan drejt meje, më rrethuan dhe filluan të më sulmonin. Zakonisht kam me vete një biçikletë ose çantë shpine për t’u mbrojtur, por atëherë nuk kisha asgjë. Qeni më i madh, i cili më kishte sulmuar edhe më parë, më kafshoi në këmbë. Instinktivisht e godita dhe arrita të largohesha e të hyja në ndërtesë”, thotë ai.
Po atë mbrëmje, ai shkoi në spital për kontroll mjekësor.
“Vitet e fundit vij në Shkup për periudha më të shkurtra dhe, sa herë që kthehem, shoh gjithnjë e më shumë qen. Pothuajse çdo herë më sulmojnë. Çdo natë, kur kthehem në shtëpi, duhet të përgatitem mendërisht për mundësinë që qentë të më sulmojnë përsëri”, thotë ai.
Gjatë vitit të kaluar, NP “Lajka” ka kapur rreth 1.000 qen, prej të cilëve 850 janë sterilizuar. Pjesa tjetër ishin qen me pronarë, raste të braktisjes së pronësisë ose qen të kapur sërish për shkak të humbjes së etiketave të veshit.
Qyteti i Shkupit nuk iu përgjigj pyetjeve të redaksisë lidhur me këtë çështje.
Në fillim të këtij viti ishte paralajmëruar se Qyteti i Shkupit do të investonte 30 milionë denarë për zgjerimin e kapaciteteve të NP “Lajka”, me qëllim, siç u tha, “zgjidhjen e përhershme dhe sistematike” të problemit me qentë e pastrehë.
Megjithatë, derisa të realizohet një zgjidhje e tillë, Qyteti i Shkupit vazhdon të paguajë miliona denarë dëmshpërblim për qytetarët e kafshuar nga qentë e pastrehë.






