54 milionë euro në arkën e NP “Rrugët shtetërore” nga xhepi i qytetarëve

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut për këtë vit do të shpenzojnë rreth 54 milionë euro për pika pagesore. Të dhënat e Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” thonë se deri në muajin nëntor, janë mbledhur gati 49 milionë euro. Sipas analizës së Alsat, në katër vitet e fundit qytetarët dhe kompanitë kanë paguar rreth 178 milionë euro për pika pagesore. Viti 2022 do të jetë vit rekord për të ardhurat e kompanisë shtetërore në këtë bazë dhe kjo për shkak të rritjes së numrit të rrugëve me pagesë dhe rritjes së transitit të qytetarëve. Më pak para në thesarin e shtetit mbi këtë bazë në katër vitet e fundit është grumbulluar në fillim të pandemisë, pra në vitin 2020 kur janë mbledhur 34 milionë euro, një vit më parë ose në vitin 2019 qytetarët kanë paguar mbi 43 milionë euro për të udhëtuar me automjet nga një qytet në tjetrin. Qytetarët vitin e kaluar kanë paguar rreth 46 milionë euro e gjysmë për pika pagesore.

    “Rrugët Shtetërore”

    Të dhënat për pikat pagesore

    2019 – 43,607,588 milionë euro

    2020 – 34,029,562 milionë euro

    2021 – 46,401,122 milionë euro

    2022 – 53, 658 500 milionë Euro

    Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore thonë se nuk kanë ndërmend të ulin çmimet e pikë-pagesave, sepse ato janë fonde për mirëmbajtjen e rrugëve.

    “Ne ndërtojmë pikë-pagesa rrugore, sepse kemi një fazë në të cilën investojmë jashtëzakonisht shumë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, kështu që për këto arsye fondet janë si të ardhura. Është burimi i të ardhurave për shlyerjen e kredive që ne i shlyejmë si Ndërmarrje Publike. Të gjitha kreditë që marrim për ndërtimin e rrugëve, i kthejmë si ndërmarrje publike”, thonë nga “Rrugët Shtetërore”.

    Qytetarët janë të njëzëshëm se lëvizin në rrugë katastrofike. Për Alsat thonë se do të paguanin tarifa më të larta, nëse do të shihnin se paratë e tyre të shpenzuara për pikë-pagesa rrugore janë investuar realisht për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

    Anketë Qytetar

    Çfarë rrugësh mendon se kemi?

    “Të këqija, ende janë shumë të këqija”, tha një qytetar.

    “Sa i përket çmimeve, paguan shumë, dhe nuk merr asgjë”, shtoi një qytetar tjetër.

    “Rrugët janë katastrofë, mirëmbajtja është në zero. Rrugë të tilla nuk ekzistojnë në Evropë, mirëmbajtja e rrugëve te ne është në nivelin më të ulët, ndërsa pagesat nuk korrespondojnë me mirëmbajtjen e rrugëve. Çmimet janë shumë të larta”, u shpreh një qytetar.

    Sipas Ligjit për Rrugë Shtetërore, çmimet e taksave rrugore në Maqedoninë e Veriut përcaktohen sipas gjatësisë së udhëtimit, përkatësisht një kilometër i kaluar kushton 2,57 denarë. Pikë-pagesa e fundit në vend është lëshuar në mesin e vitit 2019 në autostradën Goce Dellçev. Sipas çmimores së “Rrugëve Shtetërore”, nga Shkupi përmes Miladinocit deri në Shtip duhet të paguhen 160 denarë. Të njëjtën shumë paguajnë edhe qytetarët që udhëtojnë çdo ditë në linjën Tetovë – Shkup në të dy drejtimet. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Tifozi brazilian mori pjesë në 11 edicione të Kupës së Botës – thyen rekord botëror

    Lajmi i rradhës

    Lista me të gjithë fituesit dhe si vendoset lojtari më i mirë i turneut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë