700 euro pagë në RMV, ëndërr për shumicën! 

    Paga mesatare në Maqedoni ka arritur në afër 42 mijë denarë apo 700 euro në muajin nëntor, tregojnë të dhënat e fundit statistikore. Vite me radhë në vend programuesit apo profesionistët e shkencave kompjuterike janë më të paguarit, të cilët kanë pagë mesatare prej 96.576 denarë apo afër 1600 euro. Pasojnë hulumtimi dhe zhvillim shkencor me 65.635 denarë, prodhimtaria e ilaçeve me pagë mesatare prej 61.329 denarë, magazinimi i dhe veprimtaritë ndihmës në transport dhe transporti ajror me nga 60 mijë denarë. Në vendin e gjashtë me pagën më të lartë mesatare prej 59.652 denarë renditen të punësuarit në sektorin financiar. Paga të larta pranojnë edhe në sektorin e telekomunikacionit me 56.900 denarë. Mirëpo, një pjesë e madhe e punonjësve në shtet janë larg pagës mesatare.

    Pagat më të ulëta i pranojnë të punësuarit në veprimtaritë mbrojtëse dhe hetimore që kanë të ardhura edhe më të vogla se ajo minimale me 22.291 denarë. Pasojnë peshkataria dhe akuakultura me 26.290 denarë, shërbimet që lidhen me mirëmbajtjen e ndërtesave dhe aktivitetet e rregullimit dhe mirëmbajtjes së mjedisit dhe natyrës me 26.440 denarë, prodhimtaria e lëkurës me 27.711 denarë, prodhimtaria e veshmbathjes, si dhe pyjet dhe shfrytëzimi i tyre me nga 28 mijë denarë, përgatitja dhe shërbimi i ushqimit me 29 mijë denarë.

    Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, indeksi i pagës mesatare mujore neto të paguar nga të punësuar në nëntor 2024, krahasuar me nëntor 2023, është 109.5. Kjo rritje vjen kryesisht si pasojë e rritjes së pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës në sektorët: Art, Argëtim dhe Rekreacion (15.3%), Transport dhe Magazinim (12.7%) dhe Prodhim (11.2 %).

    Në ndërkohë, është shënuar rënie e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës, krahasuar me muajin paraardhës në sektorët: miniera dhe gurore (8.0%), Aktivitete të pasurive të paluajtshme (5.9%) dhe bujqësi, pylltaria dhe peshkimi (2.6%). Një pjesë e ekonomistëve me vite kërkojnë që statistikat shtetërore të llogarisin, përskaj pagës mesatare – edhe të ashtuquajturën pagë “mediale” që merr parasysh jo vetëm të ardhurat e punëtorëve, por edhe përqindjen e punonjësve që marrin një shumë të caktuar. Vlerësohet se paga mesatare nuk pasqyron realisht standardin jetësor dhe të ardhurat reale të çdo punonjësi , andaj sugjerohet që të shikohet se cila është ajo pagë qe merr punonjësi ku 50 për qind marrin më pak dhe 50 për qind marrin më shumë.

    Paga mediale , sipas ekspertëve do të jepte një pasqyrë më të qartë të standardit tonë, llogaritet po aq lehtë sa mesatarja. Këtu merret parasysh edhe shuma e pagave, por edhe përqindja e të punësuarve, pra kush sa paga merr. Duke vepruar kështu, përcaktohet një pesëdhjetë për qind, si pikë nën dhe mbi të cilën merret një shumë e caktuar pagash. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    A është RMV-ja e gatshme t’ua rrisë pagat punëtorëve me 26 për qind?

    Lajmi i rradhës

    Turistë për dy net bujtje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë