Pushteti dhe opozita nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre sa i përket ndryshimeve kushtetuese, konkretisht futjes së bullgarëve si pjesë e Kushtetutës. LSDM pret që nesër, të gjithë deputetët në Parlament, përfshirë edhe ata të opozitës, të tregojnë përgjegjësi, t’i bashkohen bllokut proevropian dhe të japin mbështetje për ndryshimet kushtetuese. VMRO-DMNE ndërkaq, mbetet në qëndrimin e vazhdueshëm se ndryshimet e Kushtetutës në këtë format nën diktimin bullgar nuk do të mbështesin. Në prag të fillimit të seancës parlamentare për ndryshimet kushtetuese të caktuar për këtë nesër, ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani dje i ka shkruar një letër deputetëve, duke bërë thirrje që “të mos lejojmë të defokusohemi dhe çorientohemi, por ta ruajmë kursin dhe përgjegjësinë prindërore para gjeneratave të ardhshme”.
“Nga ju varet nëse me pranimin e ndryshimit të Kushtetutës do t’i vazhdojmë bisedimet për kapitujt e anëtarësimit në Union apo do të ngecim në negociata për një afat më të gjatë, deri në një mundësi të re, pa asnjë garanci suksesi, duke nxitur procesin e ‘pasaportizimit’ të qytetarëve që kërkojnë një të ardhme evropiane për veten e tyre. Besoj dhe e di që secili prej jush dëshiron që të jemi anëtarë të Unionit të përbërë nga vendet më demokratike dhe më të pasura në botë që garanton paqe, zhvillim demokratik dhe prosperitet ekonomik”, shkruan Osmani, ndërsa ka përsëritur se bullgarët – me futjen në Kushtetutë, nuk fitojnë asgjë nga ajo që kanë patur deri më tani.
“Me ndryshimin e Kushtetutës do të qartësohet se krahas popullit maqedonas në vend, jeton edhe një pjesë e popullit bullgar, i cili është ndryshe. Dhe në fund, e them me përgjegjësi se këtë nuk po e bëjmë nën diktatin e Bullgarisë e as për shkak të shantazhit nga ana e saj. Ky është kompromis në negociata pasi që memorandumi i tyre deri tek BE për mosnjohje të gjuhës dhe kombit maqedonas nuk mori mbështetje nga vendet anëtare. Kompromis me të cilin e mbrojtëm gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ju shkruan deputetëve ministri Osmani.
LSDM, siç ka thënë dje deputetja Fanica Nikollovska, pret që të gjithë deputetët në Parlament, të tregojnë përgjegjësi, t’i bashkohen bllokut proevropian dhe të japin mbështetje për ndryshimet kushtetuese. “Të premten më datën 18 është caktuar seancë me pikën e vetme të rendit të ditës e që është propozimi për ndryshimet kushtetuese, propozim i paraqitur nga Qeveria. Pres që të gjithë 120 deputetët të jenë në krye të detyrës, ta kuptojnë përgjegjësinë që kanë para qytetarëve. Ky është shansi i fundit i Mickoskit për t’u bashkuar me bllokun pro-evropian. Mickoski dhe DPMNE e kanë ndoshta shansin e fundit për ndjenjën e përgjegjësisë ndaj qytetarëve, sepse është obligimi ynë i politikanëve që t’ju sigurojmë të ardhme më të sigurt qytetarëve. Ashtu siç kanë mundësuar paraardhësit tanë kushte për të jetuar në një shtet të lirë, të pavarur dhe sovran, ashtu edhe opozita të bashkëngjitet dhe së bashku të formojmë një Maqedoni prosperuese ku të gjitha gjeneratat e ardhshme do ta planifikojnë të ardhmen në shtëpi”, ka thënë Nikollovska.
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nga ana tjetër nesër pritet t’i përsërisin argumentet kundër, siç bënë në Komisionin për Çështje Kushtetuese. Kanë siguruar gjithashtu se mbeten në qëndrimin e vazhdueshëm se ndryshimet e Kushtetutës në format të tillë nën diktim bullgar nuk janë të mundshme dhe nuk do t’i mbështesim. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, ka thënë se sot – në votimin e rendit të ditës, do të shihet nëse pushteti ka shumicë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese ose jo dhe do të shihet nëse një vit manipulojnë me numrin për censusin dhe për ata të cilët japin mbështetje për ndryshimet kushtetuese.
Ndryshe, seanca për nevojën e hapjes së Kushtetutës mund të zgjasë maksimum dhjetë ditë dhe nëse ka dritë jeshile, sipas afateve, i gjithë procesi i ndryshimeve kushtetuese mund të përfundojë për tre muaj e gjysmë. Plani i Qeverisë është që procesi të përfundojë deri në fund të nëntorit dhe të përkojë me përfundimin e procesit të skriningut të vendit. /koha/