A “vlen” marrëveshja e majit?

    Qeveria e RMV / Fotografia: Nistori

    Shqiptarët nuk mund të përfaqësohen në Qeveri me një koalicion që nuk pasqyron vullnetin e shumicës së qytetarëve. BDI do të tërhiqet nëse i humb zgjedhjet qoftë edhe me një votë, por jo nëse fiton. Këto janë mesazhet e Frontit Evropian, pasi kreu i VMRO-DPMNE-së paraprakisht deklaroi se preferon koalicionin “VLEN” si partner në qeverisjen e ardhshme. Sipas rezultatit zgjedhor të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, ajo ka rreth 37 mijë vota më pak se Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI.

    Nëse Fronti Evropian siguron fitoren në zgjedhjet parlamentare, besojnë se humbësi nuk ka çfarë të kërkojë nga qeveria, sepse nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së shqiptarëve. Nga “VLEN” pohojnë se janë përfaqësues autentik i vullnetit shumicë të shqiptarëve, e jo i Frontit Evropian ku BDI, e frikësuar nga disfata, përfshiu parti të komuniteteve tjera etnike. Në bazë të këtyre përllogaritjeve qëndron pyetja nëse “fituesi në bllokun maqedonas do të formojë qeveri me fituesin në bllokun shqiptar”. Ky konsiderohej një parim kyç i të ashtuquajturit Marrëveshja e majit, e cila korrigjoi “gabimin” e vitit 2006, kur VMRO-DPMNE formoi për herë të parë qeverinë me PDSH-në, parti që fitoi më pak mandate se BDI.

    Pas korrigjimit të gabimit, parimi “fitues me fitues” ka funksionuar nga viti 2008 deri në vitin 2017. Në zgjedhjet e dhjetorit 2016, fitues në bllokun maqedonas ishte VMRO-DPMNE me 51 mandate parlamentare, përpara LSDM-së, e cila fitoi 49 mandate, te blloku shqiptar fitues ishte BDI me 10 mandate parlamentare dhe partia më pas vendosi të bëjë koalicion me LSDM-në e renditur e dyta në bllokun maqedonas?

    KOHA E SHKUAR

    “Demokracia bazohet në parimin – kushdo që ka shumicën në parlament, e bën qeverinë”, thotë kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

    Ai u kujtoi atyre që i referohen Marrëveshjes së majit se ata vetë e kanë shkelur atë shtatë vjet më parë.

    “Nuk e di se për cilën marrëveshje të majit flet BDI, nuk e di se për cilin rregull ‘fituesi me fitues’. Ka pasur një rregull në të kaluarën fituesi me një fitues, i cili është rezultat i së shkuarës. Fatkeqësisht, ata vetë e thyen atë marrëveshje dhe atë rregull në vitin 2017. Dhe do të kujtoja sërish që politikën nuk duhet ta shohim si tryezë suedeze, pra pak me njërin, tjetrin, të tretën. Nëse VMRO-DPMNE fiton shumicën siç pritej, ne nuk kemi as besimin më të vogël për të bashkëpunuar me BDI-në, prandaj duhet të shkojnë në opozitë”, është i vendosur Mickoski.

    Marrëveshja e majit është arritur më 29 maj 2007 ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë, por as nuk është nënshkruar publikisht dhe as nuk është vënë në dispozicion të opinionit. Zyrtarë të qeverisë pohuan gjithashtu se nuk përmendet as parimi “fituesi me fitues”. Nga pesë pikat në të, në të pestën vetëm në terma të përgjithshëm thuhet se “pas kthimit të BDI-së në Parlament, palët pajtohen që të vazhdojnë negociatat për çështjen e mënyrës së formimit të qeverisë”. Në dy pikat e para të dokumentit palët pajtohen për listën e ligjeve që do të votohen me shumicë Badenter dhe për nevojën e rikonstituimit të Komisionit për marrëdhënie ndëretnike në Parlament. Pika e tretë dhe e katërt flasin për nevojën e zgjidhjes së çështjes së dhënies së ndihmës materiale dhe sociale për viktimat e konfliktit të vitit 2001 dhe familjet e tyre, si dhe palët për të përgatitur dhe propozuar një projektligj për përdorimin e gjuhëve.

    Politologu Dimitar Hristov tha se marrëveshja e majit ishte traditë e mirë dhe zgjidhje e shkëlqyer, por pasi ajo u shkel tani asnjë parti nuk mund të thirret në atë marrëveshje.

    “Marrëveshja e majit më shumë zbret në traditë sesa si marrëveshje me shkaqe të pasojave juridike. Tradita e formimit të qeverisë të fituesit me fituesin ishte zgjidhje e shkëlqyer për të kënaqur të dy etnitë më të mëdha në Maqedoni. Por pasi që kjo traditë u shkel, nuk duhet që edhe më tej partitë të thirren në të njëjtën. Në të kaluarën e afërt kujtojmë se si BDI e ka shkelur këtë marrëveshje dhe u tërhoq nga ajo që qeverinë ta formojnë fituesi me fituesin, kështu që edhe tani nëse ndodh e njëjta, nuk duhet të ankohen dhe të thirren në këtë marrëveshje cilado qoftë nga partitë politike”, ka deklaruar për Koha, Dimitar Hristov, politolog.

    AJO ËSHTË NJË PROCESVERBAL

    Marrëveshja nuk u shpall publikisht, por kopjet e saj u bënë objekt të përplasjeve ndërpartiake apo diskutimesh të mprehta në Parlament pas zgjedhjeve. Diplomatët thanë se marrëveshja e majit nuk ishte për të rënë dakord për mënyrën e formimit të qeverisë, por për të rivendosur dialogun në Parlament. Ish-kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, e hodhi poshtë ekzistimin e një marrëveshjeje të tillë. Duke iu përgjigjur kritikave të Radmila Shekerinska nga LSDM, e cila lexoi pjesë të atij dokumenti, Gruevski në janar të vitit 2017 ishte decid se nuk e kishte nënshkruar një gjë të tillë. “As nuk kemi nënshkruar një dokument, as nuk kemi pasur ndërmend të nënshkruajmë një dokument, as do të nënshkruajmë një dokument. Ajo që zonja Shekerinska mban në dorë ndoshta janë procesverbalet e bisedave (në mes të VMRO-PMNE-së dhe BDI-së-), të cilat as nuk janë të nënshkruara dhe as mund të kenë ndonjë peshë si dokument.

    Në të njëjtën periudhë (janar 2017) kur fokusi ishte në pyetjen se me kë do të bëjë koalicion BDI për qeverinë e re, Gruevski nuk e përmendi marrëveshjen e majit, por foli për “detyrim”.

    “Nëse VMRO-DPMNE si parti fituese manipulohet nga BDI-ja, pavarësisht se cilat janë arsyet, të jeni të bindur se VMRO-DPMNE së shpejti do të kthehet në qeveri, së paku dy mandate radhazi. Dhe ne do të jemi pa asnjë detyrim gjatë formimit të qeverisë”, tha Gruevski për gazetën “Dnevnik”.

    Ndërkaq, Gjatë gjithë kësaj periudhe, zyrtarët e BDI-së kanë pasur një interpretim edhe më specifik të parimit të formimit të qeverisë – ata kanë shpjeguar se “fituesi nga komuniteti shqiptar zgjedh partnerin fitues nga komuniteti maqedonas”.

    Lajmi Paraprak

    Debati presidencial i TVM-së i grindi kandidatët edhe në rrjetet sociale

    Lajmi i rradhës

    MENAXHIMI I NDËRTESAVE / Shqiptarët ngurrojnë të menaxhojnë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë