A aplikoi Azir Aliu për të mbetur ministër i Shëndetësisë?

    Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, thotë se nuk është çështje personale nëse do të largohet nga detyra apo kush do ta zëvendësojë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi posti i ministrit është funksion politik dhe jo rezultat i një konkursi.

    Në konferencën e sotme për media, Aliu u pyet se kujt do t’ia dorëzojë projektet e nisura, pas informacioneve se ristrukturimi i paralajmëruar i Qeverisë mund të përfshijë edhe dikasterin që ai drejton. Ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por theksoi se nuk e ka nisur dhe as nuk pret ta përfundojë karrierën e tij me një funksion politik.

    Sipas tij, vlera e një funksioni politik nuk matet me kohëzgjatjen e mandatit, por me rezultatet e arritura.

    “Çdo ditë që vij në punë jam i vetëdijshëm se mund të jetë dita ime e fundit si ministër. Pikërisht për këtë arsye, çdo ditë përpiqem të jap maksimumin për të zgjidhur probleme dhe për të krijuar vlera të reja në sistemin shëndetësor. Kjo është një çështje institucionale, jo personale. Unë nuk aplikova për t’u bërë ministër dhe nuk kishte konkurs për këtë funksion. Ky është një post politik dhe institucionet duhet të vendosin se kush do të jetë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë”, deklaroi Aliu.

    Ai theksoi se shëndetësia është një sektor jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe se do të ishte i lumtur nëse pasardhësi i tij do të vazhdonte projektet e nisura.

    “Kushdo që do t’i vazhdojë këto procese, do të më bëjë të lumtur. Të gjithë kemi një detyrim ndaj shoqërisë, familjeve dhe shtetit për të dhënë kontributin tonë, qoftë si ministër, ekspert apo profesor. Kontributi mund të jetë fizik, intelektual ose menaxherial, por secili prej nesh duhet të japë diçka për shoqërinë. Kam një detyrim ndaj njerëzve që besojnë tek unë dhe nuk do të ndalem së kontribuuari, pavarësisht nëse do të jem apo jo ministër. Që nga viti 2017 jam i angazhuar në politikë. Fillimisht për të ndihmuar, ndërsa sot jam në politikë për të ndryshuar gjërat. Funksionet mund të mos varen nga unë, por vlerat dhe angazhimi im varen vetëm nga unë dhe askush nuk mund të m’i japë apo m’i marrë. Do të vazhdoj të kontribuoj në këtë shoqëri në çdo mënyrë që do të kem mundësi”, u shpreh Aliu.

    Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se deri në mesin e javës së ardhshme do të bëhen publike vendimet për ndryshimet kadrovike dhe ristrukturimin e Qeverisë.

    Nga ZNAM deklaruan sot se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me rikonstruimin e Qeverisë.

    Më herët, zëvendëskryeministri Bekim Sali, në një intervistë për emisionin 360 Gradë, deklaroi se partnerët e koalicionit kanë një marrëveshje parimore që gjatë ristrukturimit të Qeverisë mund të ndryshohen si emrat e ministrave, ashtu edhe dikasteret që ata drejtojnë.

    Lajmi Paraprak

    Gjermani, gjithnjë e më shumë të rinj konsumojnë kokainë

    Lajmi i rradhës

    Askujt nuk i bëhet më vonë për mjedisin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë