Askujt nuk i bëhet më vonë për mjedisin

    Rilind Dauti

    Rilind Dauti
    Publicist

    Ndonëse Toka ka një histori të ndryshimeve klimatike natyrore, është e pakontestueshme se ndryshimet e shpejta që po përjetojmë sot janë shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, para së gjithash nga emetimi i dioksidit të karbonit në sektorët e energjisë, industrisë dhe transportit, por në masë të madhe edhe nga bujqësia dhe blegtoria intensive, ku veçohet emetimi i metanit.

    Ndotja është aq e madhe, saqë edhe sikur të kishim një shkop magjik dhe, që nga ky moment, të mos ndotnim më fare, dioksidi i karbonit i emetuar deri më tani do të vazhdonte ta shkaktonte efektin serrë edhe për dekada të tëra. Për këtë arsye, qeveritë janë gjithnjë e më të sinqerta kur pranojnë se luftën nuk e zhvillojnë më për ta zhbërë ndryshimin klimatik, por për ta ngadalësuar ngrohjen e mëtejshme globale, me qëllim që të kufizohen dëmet më të mëdha.

    Megjithatë, as këto përpjekje nuk janë të plota. Qoftë për shkak të llogarive gjeopolitike dhe konkurrencës ekonomike me shtetet që nuk e kanë prioritet mbrojtjen e mjedisit, qoftë për shkak të kostos së lartë të tranzicionit drejt energjisë, industrisë dhe transportit më të pastër, edhe shtetet më të zhvilluara kanë filluar të tërhiqen nga planet e tyre ambicioze për një ekonomi më të gjelbër. Ndalimi i automjeteve me motorë me djegie të brendshme është shtyrë për një afat të mëvonshëm, ndërsa edhe prodhuesit e automjeteve kanë rishikuar planet për zgjerimin e gamës së modeleve elektrike. Shtetet vazhdojnë t’i japin rëndësi strategjike furnizimit me naftë dhe gaz natyror, ndërsa termocentralet me qymyr vazhdojnë të funksionojnë.

    Në një situatë të tillë, kur edhe shtetet më të pasura, të cilat në fakt mbajnë përgjegjësinë më të madhe për ndotjen globale për shkak të industrializimit të tyre, po tërhiqen nga tranzicioni i shpejtë drejt një ekonomie më miqësore me mjedisin, është tepër idealiste, naive, shkurtpamëse dhe pretencioze që Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës të refuzojnë projekte të mëdha zhvillimore vetëm për arsye të mbrojtjes së mjedisit.

    Në vend që të refuzojnë projekte të tilla, të cilat mund të sjellin zhvillim dhe mirëqenie, autoritetet duhet të luftojnë me vendosmëri format e tjera të ndotjes së ajrit dhe mjedisit, si djegia e gomave nëpër skrapë, heqja e filtrit DPF nga automjetet, derdhja e pakontrolluar e vajrave motorikë apo ngrohja e amvisërive me hekurishte dhe dru të trajtuar ose të vjetër. Kur sheh qasjen shpërfillëse dhe sjelljen e papërgjegjshme që shumë qytetarë kanë ndaj mjedisit, duket e pasinqertë që shqetësimi për ndotjen të përqendrohet vetëm te projektet energjetike dhe zhvillimore.

    *Rilind Dauti është kolumnist i rregullt i Nistorit. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    A aplikoi Azir Aliu për të mbetur ministër i Shëndetësisë?

    Lajmi i rradhës

    Lista e zezë e ShBA-së | Kush është nën sanksione në gjashtë vendet e Ballkanit?

    Lajme tjera

    Kur shoqëria hesht

    MIMOZA DAJÇI Vrasja e Arlindës në Kosovë nuk është vetëm një tragjedi familjare, ajo nxjerr në pah një…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë