A do të shfuqizohet Qeveria teknike?

    Fotografia: Nistori

    Opozitarja VMRO-DPMNE nesër në Kuvend do të dorëzojë propozimin për ndryshimet në Ligjin për Qeveri për rreth 9 pika, e njëra ka të bëjë me shfuqizimin e Qeverisë teknike para zgjedhjeve. Ata i bënë thirrje pushtetit që t’i mbështesin ndryshimet bashkë me kërkesën për zgjedhje të parakohshme, ndërsa thirrje për mbështetje u bëjnë edhe partive më të vogla, në këmbim të kërkesës së tyre për një njësi zgjedhore. Nga LSDM thonë se propozimet e VMRO-DPMNE janë të pasinqerta, por mbeten në qëndrimin se nuk do të pranojnë zgjedhje të parakohshme.

    “Ajo është partia që në periudhën e kaluar bllokonte propozim ndryshime në Kodin zgjedhor, në lidhje me një njësi zgjedhore me rreth 3 mijë amendamente ndërsa këto ditë po shohim se kjo parti me presione dhe kërcënime po mundohet të kryej presion edhe ndaj partive më të vogla që janë në koalicion me LSDM. LSDM edhe një herë përsërit se është kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vlerësojmë se kjo Qeveri do të jetë deri në vitin 2024”, theksoi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM.

    Partitë shqiptare me qëndrime të ndryshme rreth propozimit për shfuqizimin e Qeverisë teknike. Kërkuam qëndrim nga BDI, por nuk u përgjigjën. Nga Alternativa thonë se parimisht nuk kanë ndërtuar qëndrim partiak, por se nuk do të ketë ndonjë problem nëse Qeveria teknike shfuqizohet.

    “Mendojmë se nuk do të ketë ndonjë problem nëse nuk ka Qeveri teknike duke pasur parasysh se tashmë ka shumicë më shumë se të mjaftueshme, nga ana tjetër ky parimisht nuk ishte model i suksesshëm për mbajtjen e zgjedhjeve. Kemi pasur çdoherë Qeveri teknike dhe çdoherë në zgjedhje kemi pasur mashtrime dhe manipulime në sistemin zgjedhor. Andaj mendoj se ajo mënyrë e kontrollit të sistemit zgjedhor duhet të bëhet ndryshe e jo përmes Qeverisë teknike, megjithatë vendimin përfundimtar e sjellin organet e partisë”, pohoi Skender Rexhepi-Zejdi, Alternativa.

    Nga opozitarja Aleanca për Shqiptarët thonë se ende nuk i kanë parë ndryshimet që i propozon VMRO-DPMNE, por edhe ata kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

    “Ne ende po presim që zyrtarisht të shohim çfarë saktë propozon VMRO-DPMNE, e më pas do të dalim me qëndrim. Por mbetemi në qëndrimin që të formohet Qeveri teknike për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Për kërkesën e partive më të vogla për një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, një pjesë janë “PRO” e një pjesë “KUNDËR” propozimit të tillë.

    “Besoj se një njësi zgjedhore do të ishte e pranueshme për të gjithë për shkak të faktit se çdo parti ka qasje në çdo pjesë të shtetit. Në lidhje me pragun zgjedhor mund të debatohet, megjithatë një njësi zgjedhore do të ishte shumë më e shëndoshë për demokracinë dhe gjithë qytetarët e shtetit”, deklaroi Skender Rexhepi-Zejdi, Alternativa.

    Aleanca për Shqiptarët pranon që të ketë lista të hapura, por janë kundër një njësie zgjedhore.

    “Ne parimisht jemi për lista të hapura për shkak se kjo do të thotë edhe demokratizim i vetë partive, por nuk jemi për atë që të ketë një njësi zgjedhore, por 8 njësi zgjedhore. Argumenti jonë për këtë është se ekzistojnë tetë rajone zhvillimore ekonomike në vend”, theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Zbatimi i zgjedhjeve sipas modelit të Përzhinës ose të ashtuquajturës Qeveri teknike u dakordua mes partive në vitin 2016. Me këtë model parashihet që 100 ditë para zgjedhjeve të emërohet kryeministër teknik nga partia në pushtet, ndërsa opozita të marrë MPB dhe Ministrinë për punë dhe politikë sociale si dhe tre zëvendësministra shtesë. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Ministri Sali kontakton ministrin Latifi për masat e reja: Rishqyrtoni vendimin dhe kërkoni një mundësi tjetër për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve

    Lajmi i rradhës

    Si të humbisni dhjamin e tepërt dhe të luftoni diabetin me anë të dietës alkaline

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë