A do të vazhdojnë Greqia dhe Turqia të përplasen gjithmonë për ishujt e Mesdheut?

    Burcu Ozcelik
    “National Interest”

    Më 10 korrik, Devlet Bahceli, udhëheqësi i Partisë së Veprimit Nacionalist të krahut të djathtë (MHP) në Turqi, u fotografua me një hartë të Detit Egje, ku ishujt grekë deri në Kretë (të paktën 225 milje larg) paraqiteshin si turke, dhe të pikturuara me flamurin me yll dhe gjysmëhënë.

    Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, reagoi menjëherë me një postim në Twitter: “A është kjo ëndrra e ethshme e ekstremistëve, apo politika zyrtare e Turqisë? Një tjetër provokim apo synimi i vërtetë i saj?”. Harta iu dhurua politikanit të njohur nga “Ujqërit Gri”, një grupimultra-nacionalist turk i lidhur me MHP, partneri më i vogël në qeveri i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

    Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë kanë vluar për dekada të tëra. Ato janë rritur më tej pas zbulimit të fushave të mëdha të gazit në Mesdheun Lindor, të cilat e përkeqësuan problemin e zonave detare të mbivendosura. Por muajt e fundit, pushtimi rus i Ukrainës dhe përpjekja e Evropës për të siguruar alternativa ndaj importeve të energjisë nga Moska, e kanë shtuar urgjencën e shfrytëzimit të rezervave kryesore të gazit në det të hapur që përmban ky rajon.

    Me një vijë bregdetare 5200 milje, më e gjatë sesa kufiri SHBA-Meksikë, Turqia ka shprehur vazhdimisht zhgënjimin e saj për përjashtimin që i bëhet nga shpimet në zonën e Mesdheun Lindor, dhe nuk ka shmangur tregimin e fuqisë së saj ushtarake, për të mbrojtur doktrinën e saj të diskutueshme të “Atdheut Blu”.

    Armiqësia e gjatë midis Athinës dhe Ankarasë, ka të bëjë me disa mosmarrëveshjeve të vjetra, që nuk duket se janë pranë zgjidhjes:një zgjidhje politike për Qipron, përcaktimi i Zonave Ekskluzive Ekonomike (ZEE) të kontestuara reciprokisht në Mesdheun Lindor, dhe shqetësimi i Ankarasë ndaj militarizimit të ishujve grekë në Egje, në kundërshtim me traktatet ndërkombëtare.

    Çfarë do të duhej për të nisur një përballje ushtarake midis dy palëve? Jo shumë, pavarësisht  mekanizmit të de-përshkallizimit që ekziston në gjirin e NATO-s midis dy anëtarëve të aleancës. George Tzogopoulos, studiues i gjeopolitikës rajonale të energjisë, thotë se marrëdhëniet greko-turke kanë hyrë në një spirale të rrezikshme 2 vitet e fundit.

    Edhe pse nuk ka të ngjarë të ndodhë menjëherë, mbetet gjithsesi e mundshme që një aksident ushtarak të ndodhë në çdo kohë në Mesdheun lindor, me përshkallëzimin e mundshëm që do të varej kryesisht nga kapaciteti i Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur krahun juglindor të NATO-s.

    Muajt e fundit, Turqia dhe Greqia pranuan t’i japin një shans bisedimeve dypalëshe, pasi tensionet arritën sërish kulmin gjatë viteve 2019-2020, për shkak të pretendimeve të ndërsjelltapër sovranitet në zonat e Mesdheut Lindor.

    Në atë kohë, Ankaraja dërgoi një anije kërkimore në ujërat e kontestuara nga Greqia dhe Republika e Qipros, si dhe nënshkroi me Libinë një marrëveshje të diskutueshme lidhur me kufirin detar, e cila u refuzua plotësisht nga Greqia dhe aleatët e saj.

    Por në një përplasje më të fundit, Erdogan tha se nuk do të takohej më me Mitsotakis, pasi ky i kërkoi Uashingtonit të rishqyrtojë shitjen tek Turqia të avionëve të tij luftarakë F-16. Ndërkohë në muaji prill, Greqia anuloi pjesëmarrjen e Turqisë në një stërvitje ajrore të NATO-s të organizuar nga Greqia, duke thënë se Turqia nuk ishte “as aleat dhe as mik”.

    Në qershor, Erdogan njoftoi se Turqia kishte anuluar një platformë dypalëshe bashkëpunimi, të quajtur Këshilli Strategjik i Nivelit të Lartë me Greqinë, duke shtuar:“Mos u mundoni ta sfidoni Turqinë. Do të lodheni dhe do të ngecni në gjysmë të rrugës. Ne nuk po zhvillojmë më bisedime dypalëshe me ta. Pasi kjo Greqi nuk është më e arsyeshme!”.

    Partitë e të djathtës ekstreme si ajo e Bahceli, janë një halë në sytë e politikës turke, dhe i pengojnë fqinjët e Turqisë që të marrin seriozisht interesat dhe prioritetet turke. Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje midis tyre për të drejtat detare të ishujve në Mesdheun Lindor.

    Pozicioni i Turqisë shpërfill përfshirjen e ishujve grekë në një kufi të ZEE-së, ndërsa Greqia argumenton se ishujt e saj – edhe ata që janë shumë pranë vijës bregdetare turke – kanë të drejta detare të padallueshme nga pjesa e saj kontinentale, duke përfshirë Kastellorizo, më i vogli nga Ishujt e Dodekanezit me një popullsi prej rreth 500 banorësh, dhe vetëm 1.3 milje larg nga Antalia e Turqisë.

    Mungesa e udhëzimeve të qarta për statusin e ishujve, e bën shumë delikate këtë temë. Në vitin 2020, studiuesi i jurisprudencës Yunus Emre Acikgonul, përpiloi një hartë për të treguar se si do të ishte një zgjidhje e drejtë në Mesdheun Lindor, bazuar në jurisprudencën përkatëse të mëparshme dhe vendimet e gjykatave.

    Harta tregon se asnjëra palë nuk do të arrinte pretendimet e saj detare maksimaliste. I lidhur me  mosmarrëveshjet mbi sovranitetin detar midis dy palëve, është konflikti mbi ishullin e Qipros, i cili është i ndarë midis shtetit anëtar të BE-së, Republikës së Qipros dhe Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), të njohur vetëm nga Turqia.

    Konsensusi që ekziston prej kohësh midis palëve të interesuara, është se pa një zgjidhje politike mbi Qipron, nuk mund të ketë një marrëveshje energjetike, që përfshin Qipron (dhe në vazhdimësi edhe Greqinë) dhe Turqinë. Por pushtimi i Ukrainës nga Rusia, ka ndryshuar rrënjësisht llogaritjen e balancës së fuqive në Evropë.

    Aktualisht mund të ketë ardhur koha të ndryshohet qasja e “lojës me shumën zero”, dhe të ndërtohet një gazsjellës që lidh gazin qipriot dhe izraelit me Turqinë, dhe që më pas mund të transportohet në tregjet evropiane përmes gazsjellësit ekzistues Trans-Anatolian të Gazit Natyror (TANAP), përpara se të arrihet zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, dhe jo më pas.

    Ky projekt është padyshim i diskutueshëm:një gazsjellës nga fusha e Leviatanit në Izrael, do të kalonte nëpër ujërat qipriote, gjë që do të kërkonte pëlqimin e Qipros sipas ligjit ndërkombëtar. Por marrëveshjet tregtare të përkohshme në fushën e energjisë ndërmjet palëve dhe kompanive energjitike (me garantues të mundshëm palët e treta), mund të ofrojnë një zgjidhje më ekonomike dhe më të shpejtë, që mund të transportojë rreth 10-16 miliardë metra kub në vit, thotë Elai Rettig, studiues në universitetin izraelit Bar-Ilan.

    Bashkëpunimi për një projekt të përbashkët energjetik, do të shërbente për ndërtimin e besimit, proces nga i cili do të përfitojnë të gjitha palët, duke rritur kësisoj shanset që negociatat politike, megjithëse të vështira, të nisin me kalimin e kohës.

    Në vitin 2019, TRNC propozoi krijimin e një komiteti të përbashkët me një numër të barabartë grekësh dhe turqish qipriotë, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, si dhe me BE-në në cilësinë e vëzhgueses. Propozimi u refuzua menjëherë nga qeveria greko-qipriote.

    TRNC e përsëriti propozimin në fillim të këtij muaji, duke shtuar se komiteti do të përfshijë gjithashtu përfaqësues të kompanive të naftës të autorizuar nga të dyja palët. Një opsioni tjetër është dërgimi i gazit në dy terminalet ekzistues të LNG-së në Egjipt, të cilat dërguan 8.9 miliardë metra kub gaz vitin e kaluar.

    Pritshmëria për një zgjidhje politike mbi Qipron, një konflikt “i ngrirë” që nga vitet 1970, apo përpjekja për të anashkaluar Turqinë, nuk do të jetë produktive. Në kushtet kur raportet Greqi-Turqi janë në ngërç, Izraeli është shfaqur si një aktor që po dikton balancat në Mesdheun Llindor.

    Ndërtimi i aleancës strategjike në Mesdheun Lindor, u përshpejtua përgjatë dy akseve të rëndësishme gjatë dekadës së fundit:Greqi-Qipro-Izrael dhe Egjipt-Izrael. Izraeli ka dy fusha operative gazi në brigjet e tij të Mesdheut, me rreth 690 miliardë metra kub rezerva të gazit natyror.

    Izraeli është një aktor tipik pragmatik në rajon, duke mbrojtur me kujdes ambiciet e tij, dhe duke balancuar lidhjet me palët në shërbim të interesave të veta kombëtare. Gjatë muajve të fundit, Ankaraja ka ndërmarrë hapa për të rivendosur lidhjet me Izraelin, duke shfaqur vullnetin e saj të mirë gjatë vizitës së presidentit izraelit Yitzhak Herzog në Ankara në muajin mars.

    Turqia, e cila e importon pothuajse të gjithë sasinë prej 50 miliardë metra kub gaz që harxhon çdo vit, e sheh veten si një qendër natyrore për eksportet energjitike drejt Evropës, dhe po bën lëvizje për të korrigjuar qasjen. Muajin e kaluar, Turqia dhe Izraeli kryen operacione të përbashkëta të inteligjencës në Stamboll kundër kërcënimeve iraniane ndaj qytetarëve izraelitë atje.

    Izraeli ka arritur të bëhet një partner i dëshiruar si nga Ankaraja ashtu edhe nga Athina. Me të katërta shtetet – Greqinë, Qipron, Izraelin dhe Turqinë – që po shkojnë drejt një viti të nxehtë elektoral, ruajtja e një statuskuo-je të brishtë mund të duket si zgjidhja më e mirë. Por frenimi i shpërthimit të konfliktit të ardhshëm, nuk është një opsion afatgjatë i kënaqshëm. Fokusi duhet të jetë tek gjetja e zgjidhjeve të guximshme dhe kreative.

    Marrë me shkurtime

    Shënim: Dr.Burcu Ozcelik, pedagoge në Universitetin e Kembrixhit, Angli.

    Lajmi Paraprak

    Mitet rreth sëmundjes së artritit

    Lajmi i rradhës

    Gjashtë mënyra sesi të ruani aftësitë shkollore të fëmijëve gjatë pushimeve të verës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë