A do të vijë drita jeshile nga Radevi?!

    Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Bullgari dhe fitorja e thellë e partisë së ish-presidentit Ruman Radev, po rikthen në fokus dilemat për të ardhmen e marrëdhënieve bullgaro-maqedonase, veçanërisht në raport me veton për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe kërkesën për ndryshimet kushtetuese.

    Analistët vlerësojnë se fitorja e Radevit nuk paralajmëron ndonjë qasje më të butë ndaj Shkupit, përkundrazi, mund të nënkuptojë një qëndrim edhe më të vendosur të Sofjes në mbrojtje të pozicioneve të saj tashmë të njohura.

    Ish-diplomati, Muhamed Halili, thotë se nuk ndan optimizmin për një relaksim të marrëdhënieve pas formimit të qeverisë së re bullgare. Sipas tij, qëndrimet e njohura të Radevit ndaj çështjes maqedonase, por edhe natyra e partisë së ardhshme qeverisëse, e bëjnë të vështirë pritjen për heqjen e pengesave në rrugën evropiane të vendit. “Personalisht nuk e ndaj optimizmin për një qasje më relaksuese të qeverisë së re, jo vetëm për qëndrimet e njohura të Radevit ndaj çështjes maqedonase, por edhe për faktin se ajo qeveri do të jetë e koalicionit, ku vështirë harmonizohen qëndrimet rreth zgjidhjes së çështjes maqedonase, gjegjësisht heqjes së embargos për integrimin më të shpejtë të Maqedonisë në BE”, vlerëson Halili.

    Ai thekson se Maqedonia e Veriut duhet më pak të fokusohet në zhvillimet e brendshme politike në Bullgari dhe më shumë në ndërtimin e një strategjie të qartë të brendshme politike për procesin euro-integrues. Sipas Halilit, nuk duhet të mbizotërojë bindja se zgjidhja e vetme është pranimi i kërkesave bullgare, por duhet të kërkohet një model bashkëpunimi që ruan edhe interesin shtetëror dhe dinjitetin institucional të vendit. “Historia na mëson se pranimi i kushteve të të tjerëve me përulësi, duke mohuar nevojat dhe krenarinë vetanake, nuk shpie drejt forcimit të sovranitetit të vendit, por në dobësimin e tij”, thekson ai.

    Edhe ish-ambasadori Nano Ruzhin vlerëson se nga rezultati zgjedhor nuk mund të pritet ndonjë risi në raport me Maqedoninë e Veriut, por përkundrazi, një vendosmëri më e madhe për ruajtjen e vetos bullgare. “Sa i përket Maqedonisë, këtu nuk mund të kërkohet ndonjë risi, por përkundrazi vendosmëri më e madhe në luftën për mbajtjen e mëtejshme të vetos së Bullgarisë. Gjëja e vetme që mund të shpresojmë është të vihet deri te takimi mes dy kryeministrave dhe të shikohet se cilat janë pozicionet e mundshme”, thotë Ruzhin.

    Sipas tij, Bullgaria nuk do të tërhiqet nga Marrëveshja Kornizë e arritur mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa insistimi për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e vendit mbetet kushti kyç për vazhdimin e procesit negociues. Ai thekson se kjo situatë e vendos në presion të drejtpërdrejtë qeverinë aktuale në Shkup, e cila gjatë fushatës kishte ndërtuar një pjesë të fortë të diskursit politik pikërisht mbi kundërshtimin e ndryshimeve kushtetuese nën presionin bullgar. Ruzhin vlerëson se stabilizimi politik i Bullgarisë e forcon edhe pozitën e saj brenda Bashkimit Evropian, duke ia bërë më të lehtë mbrojtjen e qëndrimeve të saj në raport me Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ai shton se një pjesë e qarqeve evropiane mund të shfaqin rezervë ndaj profilit politik të Radevit, i cili shpesh krahasohet me modelin politik të kryeministrit hungarez Viktor Orban, sidomos për shkak të qasjes së tij më pragmatike ndaj Rusisë dhe skepticizmit ndaj politikave të ashpra të Brukselit. “Ajo që ndoshta do ti lëvizë shpirtrat e evropianëve, të euro-deputetëve, është se atyre nuk u duhet një Orban i ri dhe se do të duhet një lloj besimi më i madh ndaj kryeministrit të ri bullgar dhe këtu nuk e di sa është e aftë diplomacia jonë të shfrytëzojë atë, në aspekt të fuqizimit të pozicioneve në kuadër të BE-së, por jo edhe në thyerjen e veto-s, për shkak se VETO është një nga vlerat kryesore të Bashkimit Evropian, e cila është fuqimisht e betonizuar në Marrëveshjen e Romës të vitit 1957”, vlerëson Ruzhin.

    Në këto rrethana, analistët vlerësojnë se diplomacia e Shkupit duhet të intensifikojë angazhimin në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane, jo me pritjen për thyerjen e vetos e cila mbetet një mekanizëm i fortë brenda BE-së – por për të forcuar pozicionin politik të vendit dhe për të kërkuar një zgjidhje që nuk e lë procesin eurointegrues peng të krizave të brendshme politike në Sofje.

    ZGJEDHJET NË BULLGARI, NË FOKUS TË FUNKSIONERËVE EVROPIAN

    Ndërkohë, siç raportojnë mediat bullgare, euro-deputeti bullgar Petar Volgin ka marrë pjesë në debatet me komisioneren për zgjerimin të BE-së, Marta Kos, në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Eurodeputetët kanë diskutuar për procesin e zgjerimit të BE-së si instrument gjeopolitik dhe mekanizëm i lidhur me sigurinë e unionit, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina do të bëhen pjesë e BE-së. “Për grupin tim politik, zgjerimi i BE-së duhet të bazohet në merita dhe në përputhje me rregullat e BE-së, dhe duhet të sjellë përfitime të qarta për qytetarët evropianë”, ka deklaruar Petar Volgin, përfaqësues i partive Evropa e Kombeve Sovrane dhe Rilindja.

    Ai theksoi se gjithnjë e më shumë evropianë po shprehin skepticizëm lidhur me zgjerimin e vazhdueshëm të BE-së, ndërsa shqetësimet kryesore lidhen me korrupsionin, migracionin dhe rritjen e kostove financiare. “Në këtë kontekst, do të doja të parashtroj dy pyetje”, i ka thënë Volgin komisioneres Kos. “Së pari, për Maqedoninë e Veriut. Duket se vendi po e vë në pikëpyetje Kornizën Negociuese të dakorduar nga shtetet anëtare në vitin 2022. Kjo ngre dyshime serioze për përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për t’i respektuar kushtet e dakorduara”, ka pyetur Volgin. “Shpresoj që qeveria e re në Bullgari do të na ndihmojë të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE”, është përgjigjur Kos ndaj pyetjes së eurodeputetit.

    Siç raportojnë mediat bullgare, komisionerja për zgjerim e BE-së ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj pyetjes së Volginit nëse ekziston rreziku i rishikimit të parimit të njëzëshmërisë. Në vend të kësaj, ajo ka shpjeguar se njëzëshmëria është e nevojshme për fillimin e procesit të negociatave me një vend, si dhe për vendimin përfundimtar për anëtarësimin e tij.

    KRERËT SHTETËROR MBETEN ME SHPRESË

    Sipas presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, rezultatet zgjedhore në Bullgari janë të pritshme dhe me kryeministrin e ardhshëm bullgar Rumen Radev do të kërkohet një zgjidhje e re për kontestin bilateral me qëllim të zhbllokimit të integrimit evropian të vendit tonë.

    Edhe kryetari i Parlamentit Afrim Gashi, ndërsa ka uruar Ruman Radevin për fitore në zgjedhje, ka shprehur shpresën se Bullgaria më në fund do të ketë një qeveri stabile politike dhe se do të mbyllen çështjet e hapura mes Sofjes dhe Shkupit. “Në interes të shtetit tonë është të kemi një qeveri stabile në Sofje, në mënyrë që të mund t’i zgjidhim çështjet e hapura. Rruga evropiane është prioritet i qartë dhe pjesë e agjendës sonë”, theksoi Gashi në një takim me gazetarët në Shkup.

    Ai shprehu pritjen që sa më shpejt të formohet qeveria në Bullgari dhe të vendoset kontakt, me qëllim që shteti “ta kapë trenin” për hapjen e kapitujve dhe të jetë pjesë e raundit të parë të zgjerimit të Bashkimit Evropian. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ministria të krijojë kushte, jo pikëpyetje për Ansamblin

    Lajmi i rradhës

    Ishiasi irritohet nga qëndrimi ulur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë