Për fatin e institucioneve kulturore nuk mund të vendoset me paragjykime dhe informacione të pavërteta. Me këtë reagim publik drejtori i Ansamblit Muzikor të Tetovës, Blerim Qamili, i drejtohet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, e cila në Draft Strategjinë për zhvillimin e kulturës 2026 -2030 aludon në mbylljen ose shkrirjen e këtij institucioni nacional. Konkretisht në zërin “Veprimtaria muzikore dhe muzikore-skenike”, të cilat i referohen Ansamblit, përshkruhet si institucion me kapacitet të kufizuar, me dy persona të punësuar”, ku si zgjidhje Strategjia jep që “në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të racionalizohet rrjeti i institucioneve kombëtare”.
Në reagim thuhet se shkaqet kyçe që kanë çuar në këtë gjendje të institucionit nacional është mungesa e mbështetjes së mjaftueshme nga ana e Qeverisë, MKT, pavarësisht detyrimit ligjor për të siguruar kushte të përshtatshme për funksionimin dhe zhvillimin e institucioneve kombëtare, si dhe të kujdeset për avancimin dhe afirmimin e kulturës së të gjitha bashkësive. Gjendja aktuale kadrovike nuk është rezultat i pasivitetit apo jofunksionalitetit të institucionit, por Qamili thotë se është pasojë e drejtpërdrejtë e procedurave të ndërprera dhe të paprocesuara për punësim, si në vitin 2024 (3 nëpunës, 1 pianist, 1 udhëheqës programor, 2 dirigjentë dhe 16 koristë), si edhe në vitin 2025, ku dështuan punësimet e planifikuara.
Mungesa e punësimeve nuk guxon të trajtohet si dëshmi e jofunksionalitetit të institucionit, por si rezultat i mosveprimit nga ana e Qeverisë. Sa i takon vërejtjes se institucioni disponon me kapacitet të kufizuar hapësinor…, problemi nuk qëndron në mungesën e bazës hapësinore për punë, por në nevojën për forcimin e mëtejshëm infrastrukturor të saj me mbështetje sistemore nga ministria resore”, thotë drejtori në reagim.
Në vitin 2024 Ansambli u vendos në Qendrën e Kulturës, por ambientet janë pajisur pjesërisht, nga donacione private dhe nga Këndi Amerikan – Tetovë. Për vitin 2025 MKT nuk akordoi fonde, ndërsa për këtë vit kanë përfituar vetëm 131 mijë denarë. Sa i takon programit, në 2024 dhe 2025 është realizuar plotësisht me gjithsej 10 projekte, ndërsa për këtë vit parashihen edhe 10 projekte të tjera.
“Ky rezultat, me vetëm dy të punësuar, është dëshmi e qartë e disiplinës institucionale dhe e kapacitetit për zhvillim të mëtejshëm dhe assesi nuk guxon të interpretohet si jofunksionalitet dhe si argument për racionalizimin e këtij institucioni nacional. Përkundrazi, nëse një institucion nacional i sapoformuar, me kuadër minimal administrativ dhe me kushte të kufizuara, arrin të realizojë një program të plotë, atëherë përfundimi strategjik i drejtë është se ai meriton forcim kadrovik dhe infrastrukturor, e jo vënie në pikëpyetje të mbijetesës së tij të ardhshme”, thotë drejtori Qamili.
Ai shton se çdo ndryshim statusor, bashkim, bashkëngjitje apo ndarje që pretendohet në Strategji mund të bëhet vetëm me vendim paraprak të Qeverisë, bazuar në statusin institucionit, gjë që nënkupton analizë serioze juridike dhe funksionale, e jo një formulim të përgjithshëm strategjik dhe të pamjaftueshëm të arsyetuar. Gjetjet në Draft-strategji tregojnë qartë për një qasje të pabarabartë dhe jokonsistente ndaj institucioneve kombëtare të sapoformuara, vërehet në reagim, duke iu referuar Orkestrës së Xhazit, e cila po ashtu është një nga institucionet e sapoformuara që trajtohet si “subjekt perspektiv” për të cilin janë siguruar punësime, hapësira të reja dhe mbështetja më e madhe programore.
“Racionalizimi, e sidomos fuzionimi do të paraqiste një hap të gabuar dhe dritëshkurtër për disa arsye, pasi do të nënkuptonte fshirjen e një misioni institucional, do të dërgonte mesazhin se institucionet e reja kulturore mund të vihen në pikëpyetje ende pa u siguruar kushtet themelore kadrovike, do të cenohej procesi i decentralizimit të kulturës dhe do të dobësohej infrastruktura kulturore në rajonin e Pollogut, por edhe do të mbyllej mundësia për angazhim sistemor të artistëve dhe punonjësve kulturorë të rinj e të kualifikuar nga Tetova dhe rajoni më i gjerë”, thotë drejtori Qamili. Draft Strategjia për zhvillimin e kulturës 2026-2030 vazhdon të qëndrojë e hapur për vërejtje. /Koha/






