A do t’i pranoj Qeveria për bisedime përfaqësuesit e sindikatave?

    Gjatë protestës së 1 Majit të organizuar nga Lidhja e Sindikatave, zv/kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi dhe ministrja për punë dhe politikë sociale Jovana Trençevska i pritën punëtorët para qeverisë, duke u premtuar se do të përmbushet kërkesa e tyre për rritjen e pagave për 2806 denarë në mënyrë lineare.

    “Askush nuk duhet të harrojë se punëtori është në vend të parë. Ne si qeveri po themi se kapitali njerëzor është para se gjithash, ne nuk kemi pasuri të tjera, ju jeni pasuria jonë, prandaj do të bëjmë gjithçka për secilin punëtor pa dallim nëse është nga sektori privat apo publik, që i njëjti të paguhet në mënyrë të denjë”, deklaroi Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Çështje Ekonomike.

    Por edhe pse premtuan se me rebalancin e buxhetit do të parashihet kjo rritje, e njëjta doli se ka qenë mashtrim thonë nga Lidhja e sindikatave të Maqedonisë. Të revoltuar kërkojnë takim urgjent me përfaqësuesit e qeverisë. Nga Sindikatat e pavarur dhe Konfederata e Lidhjes së sindikatave kanë paralajmëruar për nesër protesta masive. Të pakënaqur janë edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së librave amë të cilët vazhdojnë të jenë në grevë.

    “Nuk mund të presim aq kohë më edhe greva po vazhdon, qytetarët janë të shqetësuar nuk mund të nxjerrin dokumente, duam që kjo punë të zgjidhet sa më shpejtë. Pengesa tani është te Ministria e Financave prandaj duam që aty të protestojmë para ministrisë, që qytetarët të mos presin për dokumente ngaqë tani po afrohet edhe periudha e verës”, pohoi Toni Miloshevski, Sindikata e D. së Librave Amë.

    Në lidhje me kërkesat e sindikalistëve Ministri i Financave Fatmir Besimi në një kolumnë të tij thotë:

    “Duhet të përcaktojmë një metodologji gjithëpërfshirëse me të cilën do të përshtaten pagat në të gjithë sektorin publik. Në këtë metodologji do të vlerësohet produktiviteti, si dhe ruajtja e standardit (rritja reale e pagave dhe inflacioni). Sipas metodologjisë së përcaktuar, do të destinohen edhe mjete”, shkroi Fatmir Besimi, ministër i Financave.

    TV21 pyeti qeverinë se a do t’i pranojnë për bisedime përfaqësuesit e sindikatave dhe a do t’i përgjigjen kërkesave të tyre. Prej atje na thanë se negociatat vazhdojnë. Sapo të caktohet takimi me LSM, opinioni do të njoftohet. Ndryshe protesta nesër nis në orën 14h nga Parku i gruas, do të vazhdojë ka Kuvendi, pastaj te Ministria e Drejtësisë, për të përfunduar te Ministria e Financave.

    Lajmi Paraprak

    Tedros rizgjidhet në krye të OBSh-së

    Lajmi i rradhës

    Bekteshi akuza komunës së Manastirit: Ka manipuluar me ndriçimin publik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë