Tedros rizgjidhet në krye të OBSh-së

    Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, është zgjedhur edhe për një mandat pesëvjeçar.

    Ai u zgjodh pas një votimi nga shtetet anëtare të kësaj organizate.

    Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Karl Lauterbach, tha përmes një postimi në Twitter se Tedros mori 155 nga 160 vota, duke e quajtur këtë “rezultat fantastik”.

    Tedros u bë afrikani i parë në krye të OBSh-së kur u zgjodh për mandatin e parë më 2017.

    Mandati i tij i parë pesëvjeçar u përcoll me ngjarje të vështira, teksa ai mbikëqyri përgjigjen globale për pandeminë e koronavirusit, por edhe krizat të tilla si skandalin për abuzime seksuale, në të cilin ishte i përfshirë stafi i OBSh-së nga Republika Demokratike e Kongos.

    Pavarësisht kritikave të ashpra nga disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara kur Donald Trump ishte president, i cili e akuzoi OBSh-në se po e mbronte Kinën gjatë pandemisë, por edhe kritika nga shtetet e tjera për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19, Tedros arriti të marrë mbështetje të gjerë, veçmas nga shtetet e varfra, për të cilat ai bëri fushatë për furnizim me vaksina.

    Tedros, 57 vjeç nga Etiopia, së fundmi është përqendruar më shumë në ndikimin që lufta ka në shëndetin e shumë njerëzve, veçmas në Afrikë dhe Ukrainë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    A shfrytëzohen punëtorët në markete?

    Lajmi i rradhës

    A do t’i pranoj Qeveria për bisedime përfaqësuesit e sindikatave?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë