KFOR-i po tërhiqet nga ura në Mitrovicë, duke përmendur një “përmirësim të situatës së sigurisë”. Kjo erdhi pas një sërë incidentesh.
Ishte një ditë e zakonshme gushti kur karabinierët italianë hoqën tendat e tyre në anën veriore të urës mbi lumin Ibër dhe, për herë të parë pas shumë vitesh, larguan përkohësisht të gjithë pikën e kontrollit të KFOR-it.
Kjo shënoi fillimin e një tërheqjeje graduale të pranisë së përhershme të trupave të KFOR-it, misionit ushtarak ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO, i cili është i vendosur në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 për të parandaluar konfliktet.
Arsyeja e dhënë ishte “përmirësimi i situatës së sigurisë në Kosovë”, megjithëse trupat mund të rikthehen në terren nëse zhvillimet e ardhshme e kërkojnë këtë. “Pasi procesi të përfundojë, KFOR-i do të vazhdojë të mbajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në gjithë veriun e Kosovës, duke vazhduar të kontribuojë për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, i tha KFOR-i DW-së.
Ata nuk sqaruan nëse Policia e Kosovës do ta marrë përsipër sigurimin e urës që ndan Mitrovicën e Jugut nga ajo e Veriut, një vend që prej dekadash ka qenë skenë e konflikteve dhe tensioneve ndëretnike.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se ka nisur transferimi i përgjegjësive nga KFOR-i te policia, gjë që duhet të çojë në rihapjen e urës kryesore për qarkullim.
Sa i përket Manastirit të Visokë Deçanit, KFOR-i ishte më konkret: Policia e Kosovës do të integrohet gradualisht në strukturat e sigurisë që mbrojnë manastirin.
Çfarë i parapriu këtij vendimi?
Këto njoftime erdhën pas një sërë incidentesh në veri të Kosovës që shqetësuan serbët lokalë dhe Bashkimin Evropian.
Së fundmi, ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci”, duke vepruar sipas një vendimi të Ministrisë së Mjedisit të Kosovës, shembi 17 shtëpi pushimi në pronësi të serbëve lokalë pranë Liqenit të Ujamanit/Gazivodës në komunën e Zubin Potokut gjatë një periudhe njëmujore. Sipas autoriteteve të Kosovës, këto objekte ishin ndërtuar pa leje në tokë të administruar nga kompania, ndaj u kërkua “lirimi i pronës së uzurpuar”.
Shumë prej pronarëve pretendojnë se posedojnë dokumentacion që konfirmon të drejtën e tyre për përdorimin e tokës dhe thonë se shtëpitë e tyre u shembën në mënyrë të paligjshme ndërkohë që procedurat gjyqësore ende ishin në zhvillim.
Gjithashtu, së fundmi një banor i një fshati në këtë komunë akuzoi pjesëtarë të Policisë së Kosovës për ushtrim dhune fizike ndaj tij gjatë një kontrolli në shtëpi, të kryer nën dyshimin për posedim armësh. Ai tha se kishte pësuar lëndime që e çuan në spital. DW






