A janë të falsifikuara nënshkrimet në peticionin e Taravarit? Mediana Ameti: Mos keqpërdorni nënshkrimin tim

    A janë të vërtetë nënshkrimet e anëtarëve të ASh-së të cilët i publikoi kryetari i kësaj partie Arben Taravari!? Me këto nënshkrime Taravari po pretendon se e ka përkrahjen e shumicës së anëtarësisë. Por një anëtare e kuvendit të ASh-së e cila e ka parë vetën në këtë listë, thotë se ajo nuk është nënshkruar.

    “Në lidhje me situatën e fundit të krijuar në partinë tonë dhe me disa nënshkrime të publikuara që janë mbledhur kinse në mbështetje të kryetarit, Arben Taravari ju njoftoj se unë, Mediana Ameti nuk kam nënshkruar në asnjë peticion apo listë. Ju bëj thirrje iniciatorëve të këtyre listave që të mos keqpërdorin emrin dhe nënshkrimin tim. Vullnetin tim si anëtare e Kuvendit Qendror do ta shpreh të shtunën.”- deklaroi Mediana Ameti – ASh.

    Të njëjtën e thonë edhe nga zyra për informim e ASh-së.

    “Po, kemi disa nga kuvendarët të cilët e kanë parë emrin e tyre në listat e publikuara në media, por nuk kanë nënshkruar personalisht një peticion të tillë dhe tanimë kanë reaguar edhe publikisht. Në të njëjtat lista ka edhe emra të personave që nuk janë anëtarë të Kuvendit Qendror.”- deklaroi Zyra e Informimit – ASh.

    Dy ditë më parë ASh doli me informacion për opinionin dhe anëtarët e saj se pas kumtimit të qëndrimit të djeshëm të Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për 24 orë janë mbledhur 80 nënshkrime të kuvendarëve në mënyrë, siç thonë, vullnetare, nga gjithsej 133 sa numëron Kuvendi, ndërsa procesi i mbledhjes së nënshkrimeve po vijon. ASh në faqen e saj në Facebook shkruan se shumica e Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët është qartë për Ndryshimin e Sigurt. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Antikorrupsioni hapi lëndë kundër nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmeti

    Lajmi i rradhës

    BE-ja propozon rregulla më të ashpra kundër abuzimit të fëmijëve dhe pornografisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë