A ka të vendosura RMV-ja sanksione për shkëmbime tregtare me Rusinë?!

    Nëse rastisni në vaj të gatimit në çmim më të lirë nëpër markete, duhet të kuptoni edhe gjuhën ruse. Kjo ngaqë disa prodhime të importuara nga shteti rus figurojnë nëpër rrjetet e super marketeve të vendit pa përkthime deklarative në ambalazhe. Qytetarët që pyetëm thanë se me rëndësi është çmimi më i ulët. Ndërsa për cilësinë dhe rregullsinë e importit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë na thanë se shteti ynë nuk ka të vendosura sanksione për shkëmbime tregtare me Rusinë.

    “Produktet që kohëve të fundit kanë shfaqur një vëmendje më të madhe në opinion kemi vajin e lulediellit që vjen nga Ukraina dhe Rusia. Nuk kemi ndonjë ndalesë për shkëmbime tregtar me Federatën Ruse, gjatë kësaj periudhe kemi vazhduar të kemi import të produkteve me origjinë jo shtazore dhe ne si institucion punojmë me rregullore të veçanta ku kemi një listë të produkteve nga ndonjë zonë”, tha Besnik Elezi, Zv/drejtor i Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë.

    Të dhënat e Agjencisë tregojnë se nëse vazhdon ky trend i importit, vaji rus do t’ia kaloj edhe vodkës ruse.

    “Që nga fillimi i këtij viti deri më sot nga Federata Ruse në vend janë realizuar 152 porosi me ushqim dhe prodhime materiale që lidhen me industrinë ushqimore. Numri më i madh i porosive kanë qenë kavanoza të konservuara, duke pasuar Vodka, suplemente ushqimore, vaj luledielli, thjerrëza, fara liri, çokollata, çaj”, thonë nga Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë.

    Sipas informacioneve zyrtare importi i tillë mes dy vendeve është intensifikuar në tre muajt e fundit prej kur janë rritur çmimet e prodhimeve ushqimore si pasoje e luftës në Ukrainë. Nga Drejtoria e Doganave informuan se në shtetin tonë për tre muajt e fundit kanë hyrë afër 40 mijë litra vaj gatimi luledielli. Por, totali i të gjitha prodhimeve të importuara nga Rusia në Maqedoni për tre muajt e fundit (15.04-15.06) kap shifrën e afër 22 milion litra dhe kilogram të produkteve të ndryshme me mbi 1 miliard denarë.

    Në periudhën e luftës në Ukrainë kur vendi ynë është rreshtuar me vendet Perëndimore për të ulur ndikimin rus si në aspektin diplomatik ashtu edhe në aspektin ekonomik, me rritjen e kostove të produkteve ushqimore Maqedonia dalëngadalë po zhytet në varësi të thellë ndaj importit rus. Nga Ministria e Jashtme thonë se vendi ynë iu është bashkangjitur masave sanksionuese të BE-së ndaj Rusisë. Në listën e sanksioneve ndaj Rusisë sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian deri në fund të vitit 92% do të zvogëlojnë importin e naftës dhe derivateve të saj. Embargo vazhdon për sistemin bankat të Swift code, ndalesa e blerjes së gjërave luksoze, ndalesa e qymyrit dhe disa sanksione të tjera. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Zgjidhja e përbashkët mes Shkupit e Sofjes | A do të ketë zhvillime pozitive në Samitin e qershorit?!

    Lajmi i rradhës

    Lista e të regjistruarve në shkollat e mesme në Maqedoni do të publikohet të shtunën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë