Zgjidhja e përbashkët mes Shkupit e Sofjes | A do të ketë zhvillime pozitive në Samitin e qershorit?!

    Prioriteti kryesor i Bashkimit Evropian është fillimi i bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kështu është shprehur kryetari i Këshillit Evropian Çarlls Mishell, i cili po viziton vendin duke shtuar se BE po punon për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciproke për çështjen e hapur dypalëshe me Bullgarinë, sa me shpejt të jetë e mundur.

    Nikoqiri, presidenti Stevo Pendarovski, nga ana tjetër, shprehu shpresën se javën e ardhshme liderët evropian do ta përmbushin premtimin dhe do të marrin vendime vendimtare.

    “Unë jam i përfshirë në këtë, së bashku me Francën për të ndihmuar në lëvizjen e këtij procesi dhe jam i bindur se shumë shpejt do të kemi zhvillim pozitiv, i cili sigurisht do të jetë shumë i rëndësishëm për vendin tuaj, por edhe për mbarë rajonin”, tha Çarlls Mishell- kryetari i Këshillit Evropian.

    “Kushtëzimi i një shteti anëtar ndaj një vendi kandidat për anëtarësim, për arsye dypalëshe, jo vetëm që shkel në mënyrë flagrante premtimin për një të ardhme evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, por mund të komprometojë plotësisht edhe politikën e zgjerimit”, u shpreh Stevo Pendarovski- president.

    Mishell njoftoi gjithashtu se propozimi për formimin e Aleancës së re, përkatësisht Bashkësisë Politike Evropiane, në të cilën pritet të anëtarësohet edhe Maqedonia, do të paraqitet në Samitin e ardhshëm të BE-së në qershor.

    “Takimi ynë në Bruksel do të jetë mundësi për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin tonë politik, unë bisedova me presidentin se propozimet për një komunitet politik evropian nuk janë alternativë për zgjerimin”, theksoi Çarlls Mishell- kryetari i Këshillit Evropian.

    I pyetur për dialogun me Sofjen dhe kërkesën për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, presidenti Pendarovski u përgjigj se ka vullnet politik për ta përmbushur kërkesën e këtillë. Megjithatë, siç theksoi, fillimisht duhet të ketë garanci si nga Brukseli ashtu edhe nga Sofja se kjo do të jetë kërkesa e fundit bullgare.

    “Të ketë formulim në kornizën e negociatave, që do të thotë se kjo është kërkesa e fundit bullgare për këtë çështje, ne nuk kemi asnjë problem me këtë. Çdo herë është më mirë … ju e dini se ne në Ballkan jemi djegur shumë herë, kemi pasur histori të trazuar dhe shpesh nuk na mjaftojnë vetëm retorika politike dhe fjalët. Nuk është keq të ketë diçka edhe në letër”, tha Stevo Pendarovski- president.

    Kryetari i Këshillit Evropian Çharlls Mishell ka takuar kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Me vizitën në Maqedoni, ai e përfundon turneun ballkanik. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shkarkohet kryetari i Kuvendit të Bullgarisë

    Lajmi i rradhës

    A ka të vendosura RMV-ja sanksione për shkëmbime tregtare me Rusinë?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë