A keni menduar ndonjëherë se sa mund të jetë ora në Hënë?

    Shumica prej nesh në një moment e kanë shikuar Hënën – por a keni menduar ndonjëherë se sa është ora atje lart?

    Për ata që kanë menduar një gjë të tillë, pyetja e tyre mund të merr së shpejti një përgjigje, pasi organizatat hapësinore po mendojnë t’i japin Hënës, zonën e saj kohore.

    Dhjetëra misione hënore, duke përfshirë ato për të ndërtuar baza në Hënë, janë planifikuar për dekadën e ardhshme, ka thënë Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA).

    Organizatat hapësinore filluan diskutimet rreth zonës kohore të Hënës në nëntor të vitit 2022 në qendrën e teknologjisë ESTEC të ESA, Holandë, raporton skynews.

    Inxhinieri i sistemit të navigimit të ESA-s, Pietro Giordano tha se “ne ramë dakord për rëndësinë dhe urgjencën e përcaktimit të një kohe të përbashkët hënore, e cila do të pranohet edhe ndërkombëtarisht dhe së cilës mund t’i referohen të gjitha sistemet”.

    “Një përpjekje e përbashkët ndërkombëtare është duke nisur drejt arritjes së këtij qëllimi”, shtoi ai.

    Deri më tani, çdo mision i ri në Hënë ka operuar me shkallën e vet kohore, ku antenat në hapësirë janë sinkronizuar me kohën në Tokë.

    Përtej astronautëve dhe kontrolluesve tokësorë që janë në gjendje të tregojnë kohën në Hënë, nevoja për mbajtje standarde të kohës në hapësirë është gjithashtu thelbësore për udhëzime dhe vëzhgime.

    Ashtu sikurse sistemet GPS që kërkojnë koordinim dhe kohë të saktë në Tokë, gjithashtu edhe për Hënën duhet të ndërtohet infrastruktura e duhur.

    Stacioni Gateway i NASA-s do të shërbejë si një “pikë” me shumë qëllime, e cila do të rrotullohet rreth Hënës kur të fillojë të funksionojë diku pas nëntorit 2024.

    Ai do të jetë i hapur për qëndrimet e astronautëve dhe do të ofrojë mbështetje për njerëzit që të kthehen në sipërfaqen e Hënës.

    Këto misione jo vetëm që do të operojnë në ose rreth Hënës në të njëjtën kohë – ato gjithashtu do të ndërveprojnë dhe do të transmetojnë potencialisht komunikime për njëri-tjetrin dhe do të kryejnë vëzhgime të përbashkëta.

    ESA ka thënë se ndër temat aktuale në debat është nëse një organizatë e vetme duhet të jetë përgjegjëse për caktimin dhe mirëmbajtjen e kohës hënore dhe nëse ajo duhet të vendoset në baza të pavarura apo të mbahet e sinkronizuar me Tokën.

    Ekipi ndërkombëtar që punon në këtë temë do të përballet me “çështje të konsiderueshme teknike”, tha ESA.

    Pse orët funksionojnë ndryshe në Hënë?

    Një sfidë është se orët në Hënë ecin më shpejt se ekuivalentet e tyre në Tokë, pasi orët ecin më ngadalë në fusha më të forta gravitacionale, duke fituar rreth 56 mikrosekonda ose të miliontat e sekondës në ditë.

    Shkalla e tyre e saktë varet nga pozicioni i tyre në Hënë, duke lëvizur me një shpejtësi të ndryshme në sipërfaqen hënore sesa kur janë në orbitë.

    Bernhard Hufenbach, një anëtar i “Moonlight Management Team” nga “ESA’s Directorate of Human and Robotic Exploration”, pohoi se “Sigurisht, sistemi i dakorduar i kohës do të duhet gjithashtu të jetë praktik për astronautët”.

    “… Por pasi kemi krijuar një sistem kohor pune për Hënën, ne mund të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë për destinacionet e tjera planetare”, përfundoi ai. 

    Lajmi Paraprak

    Rritja ekonomike në Kinë përshpejtohet

    Lajmi i rradhës

    Dy tragjedi që dallojnë dy botë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë