A mund të shpëtojmë nga krimet digjitale përmes videolojërave?

    Ekipi u themelua në vitin 2022 për të luftuar rritjen e krimit online në Danimarkë.

    Politiets Online Patrulje tani ka mbi 787 mijë ndjekës nëpër platformat e ndryshme.

    A do të luanit një video-lojë me policinë?

    Në Danimarkë, një ekip special i oficerëve të policisë luan në internet video-lojëra për tu lidhur me të rinjtë dhe për të luftuar krime si mashtrimi dhe ngacmimet seksuale, transmeton Telegrafi.

    “Ne përpiqemi të jemi në hap me zhvillimin e krimeve online”, tha Jeppe Torup, rreshteri i policisë në Njësinë Kombëtare për Krime Speciale të Policisë së Danimarkës, për Euronews Next.

    “Bëhet shumë më e lehtë për të kryer krime përtej barrierave gjuhësore dhe kufijve shtetërorë, dhe ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh në sferën e teknologjisë”, shtoi ai.

    Ata gjithashtu “patrullojnë” në platformat popullore si Discord, Facebook, Instagram dhe TikTok, ku thonë se marrin informacione për sjellje të dyshimta nga komunitetet. Ekipi u formua në 2022 për të përballuar rritjen e krimit online në Danimarkë.

    “Ishte e nevojshme sepse pamë që shumë fëmijë janë në internet pjesën më të madhe të kohës – 99 për qind e fëmijëve në Danimarkë përdorin media sociale ose platforma video-lojërash çdo ditë.
    Kështu që duhet të jemi prezentë edhe atje,” tha Sisse Birkebeck, shefja e ekipit të policisë.

    “Edhe pse mund të mos kenë mundësi të takojnë një oficer policie në jetën reale, ata mund të na takojnë në sferën digjitale dhe mund të bisedojmë dhe t’i ndihmojmë nëse kanë nevojë për ndihmë në ndonjë mënyrë,” shtoi Olsen.

    Ata gjithashtu luajnë video-lojëra të njohura në Danimarkë, si Counter-Strike, me të rinjtë e vendit.

    “Ne krijojmë marrëdhënie me të rinjtë, dhe kjo është e nevojshme”, tha Birkebeck.

    Shumë të rinj frikësohen të flasin hapur kur janë viktima e krimeve online nga frika e ndëshkimit, si p.sh. prindërit t’u mbyllin llogaritë.

    “Të rinjtë mund t’u flasin oficerëve nëse shohin se po ndodh diçka,” shtoi ajo.

    “Kur filluam, pamë që shumë djem ishin përfshirë në lloje të ndryshme manipulimesh dhe kishin ndarë shumë imazhe me persona atje… Na thanë se nuk kishin folur me askënd për këtë dhe nuk donin që ne t’i kontaktonim prindërit sepse kishin frikë se ata do t’u mbyllnin llogarinë në Discord,” shtoi ajo.

    ‘Ndërtoni besimin dhe marrëdhëniet’

    Një pyetje që ekipi shpesh e merr është “a po shkojnë paratë e mia të taksave për këtë?”

    “Po, sigurisht që kjo paguhet me paratë e taksapaguesve, por ne absolutisht besojmë se këto janë para shumë mirë të shpenzuara sepse nuk jemi shumë njerëz, mbulojmë të gjithë vendin, kemi një ndikim jashtëzakonisht të madh, bëjmë shumë gjëra të ndryshme, bëjmë shumë punë përparimtare”, tha Torup.

    Policia thotë se kjo është një mënyrë për të ndërtuar besim dhe marrëdhënie me të rinjtë, që mund të japë fryte në të ardhmen.

    “Si do të arrije një server online në Discord për video-lojtarët e Minecraft nëse je një oficer rrugor? Nuk futesh në shtëpitë e njerëzve, nuk shkon në dhomat e fëmijëve për t’u bashkuar me ta në PC”, tha Olsen.

    “Ne në fakt kemi nevojë për një këndvështrim se si të bashkohemi me këta të rinj, si të arrijmë tek ata dhe si ata të mund të na kontaktojnë në një mënyrë që ndihen të sigurt,” shtoi ai.

    Oficerët thonë se bëjnë përpjekje të qëllimshme për të prezantuar një imazh të afërt dhe për t’u zhytur në kulturën online për të kuptuar gjuhën që përdorin adoleshentët.

    “Ne kemi këtë rregull që duam të takohemi me fëmijët sipas kushteve të tyre, që do të thotë se duhet të përpiqemi të përshtatemi me gjuhën që ata përdorin,” tha Torup.

    “Ka një kufi natyror ose një urë mes nesh. Dhe ne duhet të përpiqemi ta kalojmë atë sa më shumë që të mundemi dhe të minimizojmë distancën mes nesh, prandaj bëjmë shumë përpjekje,” shtoi ai.

    Inkuadrimi në TikTok ishte një tjetër sfidë për policinë, pasi platforma nuk ishte përdorur më parë nga policia daneze.

    Kishte shqetësime për përdorimin e një aplikacioni në pronësi kineze, si dhe për mënyrën se si policia mund të ruajë autoritetin ndërsa merr pjesë në një hapësirë të dominuar nga humori, trendet dhe përmbajtjet virale.

    “Ne shkruam faqe e faqe përse e bëjmë këtë, çfarë shqetësimesh kemi, si të trajtojmë situata, si t’u përgjigjemi qytetarëve,” tha Torup.

    Ekipi, Politiets Online Patrulje, tani ka mbi 787 mijë ndjekës në platforma si Twitch, Discord, Instagram dhe TikTok.

    Lajmi Paraprak

    Kroacia u rekomandon shtetasve të saj të mos udhëtojnë në Serbi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë