A po kthehen prapa të drejtat e shqiptarëve?

    Çështja e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe rritja e incidenteve me thirrje nacionaliste në stadiume u shndërruan në përballje të ashpër mes opozitës shqiptare dhe përfaqësuesve të Qeverisë në seancën për pyetje deputetësh në Parlament. Deputetja e BDI-së, Dijana Toska akuzoi ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov, për siç tha insistim të kundërligjshëm për t’ua mohuar studentëve shqiptarë të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare, pavarësisht garancive kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Sipas saj, gjuha shqipe është kategori kushtetuese dhe çdo tentativë për ta kufizuar përdorimin e saj përbën kthim prapa dhe cenim të parimit të barazisë në një shtet multietnik. Toska ngriti dyshime se vendimi i ministrit është i motivuar politikisht dhe kërkoi sqarime konkrete mbi bazën ligjore të tij, ndërsa kritikoi edhe heshtjen e partnerit shqiptar në Qeveri, koalicionit VLEN, për të cilin tha se po qëndron pa reagim ndaj një çështjeje që prek drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve.

    Në përgjigjen e tij ministri i drejtësisë Igor Fillkov ishte i prerë se nuk do të lejojë studentëve shqiptarë të juridikut të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ai tha se Kushtetuta dhe ligjet vlejnë për të gjithë

    “Për momentin mundësi për të dhënë provimin, përveç gjuhës maqedonase nuk ka, sepse provimi i jurisprudencës është profesional dhe nuk është procedurë administrative ligjore,ku Komisioni i Venecias ka dhënë mendim për përdorimin e gjuhëve dhe në momentin janë parashtruar 13 iniciativa për vlerësimin e kushtetueshmërisë e së njëjtës”, theksoi Fillkov. Ai tha se në lidhje me në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në vend përgjigje duhet të jep BDI e cila ka qenë në qeveri gjatë 20 viteve të kaluara, ndërsa mohoi akuzat e opozitës shqiptare se Fillkovi udhëheq politikë nacionaliste.

    “Nëse është dikush nacionalist apo jo flet ky vërtetim i cili është në dy gjuhë dhe është nënshkruar nga unë. Secili që ka kërkuar në ministrinë e drejtësisë është lejuar dhe kështu do të mbetet në të ardhmen. Çfarë bënë tetë ministrat tuaj. Koha e nacional-romantizmit ka mbaruar, tani do të punohet në përputhje të Kushtetutës dhe ligjit”, theksoi Fillkov, ndërsa tha se nuk frikësohet nga paditë penale të opozitës.  Në të njëjtën seancë, deputetja hapi edhe temën e incidenteve me përmbajtje nacionaliste në stadiume, duke theksuar se thirrjet anti-shqiptare po bëhen dukuri e shpeshtë dhe se reagimi institucional ka qenë i pamjaftueshëm.

    “Stadiumet po shndërrohen hapësira ku po fyhen shqiptarët, ndonëse shqiptarët përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë së përgjithshme”, theksoi Toska. Ajo tha se shqiptarët sot nuk po gëzojnë të drejtën prë të garuar në kushte të barabarta me ekipet maqedonase, duke u bazuar në rastet e fundit në ndeshjen Bashkimi-Vardar ku tifogrupi “Komitët” kanë bërë thirrje anti-shqiptare, ndërsa gjoba e Federatës së Futbollit ishte simbolike.

    Ajo kërkoi përgjegjësi nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve dhe për masat konkrete që do të ndërmerren në të ardhmen. “Si ndiheni kur shihni skena të tilla në stadiumet e vendit tonë, si përgjegjës për rendin a mendoni se reagimi i organeve të rendit ka qenë i duhur. A parashihni të merrni masa më konkrete kundër dhunës, gjuhës së urrejtës dhe thirrjeve nacionaliste në stadiumet tona?”, pyeti Toska, ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

    Në përgjigjen e tij, Toshkovski tha se MPB po vepron në mënyrë jo-selektive për të gjitha gjërat e pahijshme nëpër stadiume. Ai tha se veprimet e tilla janë për shkak se në të kaluarën nuk ka pasur veprime konkrete të organeve të shtetit kundër atyre që shkelin ligjin. “Me të vërtetë më besoni se nëse në të kaluarën në provokime dhe veprime të kundërligjshme, djegie të flamujve do të ishte vepruar siç kemi vepruar ne këto dy vite, në mënyrë jo-selektive dhe të njëjtë për të gjithë, më besoni se pas 20 viteve, sot nuk do të ishin në këtë gjendje siç jemi tani”, theksoi Toshkovski.

    Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot nga foltorja e Parlamentit i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me emërimin e Dushan Adamoviqit si konsull nderi i Maqedonisë në Serbi. “Kush është Dushan Adamoviqi? Konsulli i sapoemëruar i Maqedonisë në Serbi. Cilat kritere i ka përmbushur sipas udhëzimit për procedurën e nominimeve dhe detyrave të konsujve të nderit, të publikuar në Gazetën Zyrtare?”, pyeti Filipçe. Ai rikujtoi kriteret që duhet të plotësojë një konsull nderi. “Së pari, duhet të jetë mik i dëshmuar ose të kultivojë respekt dhe simpati ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në Twitter pamë se personi shkruan se kjo është Maqedoni serbe dhe se është territor i okupuar. A është ky kriter i përmbushur?”, tha Filipçe. Më tej, shtoi ai, duhet të mos jetë i dënuar për vepra penale dhe të ketë kualifikime profesionale.

    “Nga mediat shohim se ai është tifoz, se i është hedhur në erë makina, se i është qëlluar në këmbë. A e ka verifikuar këtë Agjencia për Siguri Kombëtare? Duhet të jetë personalitet i afirmuar në fushën e veprimtarisë së tij profesionale. Përveçse është anëtar i lartë i partisë suaj simotër SNS, tjetër gjë nuk kemi parë. Dhe duhet të ketë ndikim në jetën publike, politike, ekonomike dhe kulturore të shtetit pritës. Përveçse mburret me kontaktet, lidhjet dhe relacionet e tij me Rusinë, ne tjetër gjë nuk kemi parë”, tha Filipçe.

    Kryetari i LSDM-së iu referua edhe paraqitjeve publike të Adamoviqit në ngjarje të VMRO-së dhe e pyeti Mickoskin nëse ka marrëdhënie personale me të. “Atë njeri e pamë në festën pas fitores suaj në zgjedhjet e vitit 2024 këtu në Shkup, e pamë në Kongresin e VMRO-DPMNE. Pyetja ime konkrete: Kush është Dushan Adamoviqi, pse është emëruar për konsull dhe a keni marrëdhënie personale me të?”, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

    Kryeministri nuk u përgjigj drejtpërdrejtë në pyetjen e opozitarit Filipçe, ndërsa tha se për këtë duhet ë pyetet ish-ministri i Drejtësisë. “Rreth Dushan Adamoviçit dhe Twitterit. Nëse Twitterin e keni reper ju si parti politike, atëherë unë nuk do të dua ta citojë se çfarë shkruan në twitter për juve dhe për njerëzit rreth jush. Ndërsa për Dushan Adamoviçin duhet të pyesni ish-ministrin tuaj të drejtësisë”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski.

    Filipçe dhe Mickoski kishin kundërshtime dhe sa i përket propozim ligjit për arsimin e lartë ku Filipçe kërkoi përgjigje se përse pushteti insiston të shtyjë përpara këtë ligj, kur i njëjti, sipas tij, është kundërkushtetues dhe për të cilin e gjithë opinioni akademik është kundër. Mickoski tha se ai është i kyçur drejtpërdrejtë në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe se nuk mund të pranojë se nuk kemi asnjë universitet në listën e Shangait të dy mijë universiteteve më të mira në botë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Filkov e mbyll derën për jurisprudencën në shqip, studentët e juridikut drejt protestës

    Lajmi i rradhës

    Gjykata e Strasburgut: të drejtat u shkelën në sulmin ndaj të burgosurit Fitim Musliu në Idrizovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë