Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi në Click Plus në TV21 foli për zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçishtë. Ademi tha se rezultati i arritur në zgjedhjet e 11 janarit ishte i pritur për koalicionin Aleanca Kombëtare për Integrim. Mes tjerash Ademi tha se AKI-it që nga 19 tetori e deri dje i është bërë me hile, përcjell Nistori.
“Diferenca ka qenë shumë e madhe që në rrethin e parë më 19 tetor. Na është bërë me hile që nga ajo ditë e deri më tani. Në shumë dimensione ka qenë hileja, në radhë të parë në aspekt të sabotimit dhe mos arritjes së censusit”, deklaroi Arbër Ademi – Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.
Tutje Ademi theksoi se më 11 janar u konfirmua legjitimiteti.
“U konfirmua edhe një herë legjitimiteti i popullit, dhe është një tregues se cili është disponimi i qytetarëve në nivel shteti”, u shpreh Arbër Ademi – Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.
Ademi theksoi se koalicioni AKI qëndron në kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Siç shtoi Ademi legjitimiteti në nivel shtetëror është të Aleanca Kombëtare për Integrim.
“Qëndrojmë në kërkesën tonë se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamenate, për arsye se në nivel republikan legjitimiteti është te AKI. Sot me këto tentativa dhe atentate që po i bëhen Marrëveshjes së Ohrit, jemi në këtë situatë si rezultat, sepse kemi në qeverisje dikë pa legjitimitet”, tha mes tjerash sekretari i përgjithshëm i BDI-së. /Nistori/






