Afërsisht 500 fëmijë janë sulmuar nga qentë endacakë në Maqedoninë e Veriut

    Sterilizimi dhe largimi masiv i qenve agresiv nga rrugët e qytetit janë vetëm një pjesë e masave të propozuara nga QMK, pas rritjes së numrit të qytetarëve që paraqesin sulme nga qentë endacakë. Gjatë këtyre tre viteve të fundit nga qytetarët janë raportuar 3.660 sulme nga qenë endacakë, ku prej tyre 498 kanë qenë fëmijë. Këtë e tregojnë edhe analizat e MPB-së, të përgatitura me kërkesën e Qendrës për Menaxhimin e Krizave.

    Drejtuesi i QMK-së Stojançe Angellov tha se ka një trend të rritjes së sulmeve të tilla, dhe prandaj është e nevojshme të merren masat e duhura nga ana e institucioneve kompetente dhe qytetarët të mos heshtin por t’i raportojnë sulmet e tilla që kërcënojnë jetën e tyre.

    Sipas informacioneve të paraqitura nga Angellov, në vitin 2020 është raportuar për 1.602 sulme të qenve të pastrehë ndaj qytetarëve në të gjithë territorin e vendit, në vitin 2021 janë raportuar 1.315 raste, ndërsa këtë vit janë raportuar gjithsej 1.283 sulme të qenve endacak ndaj qytetarëve. Numri i sulmeve me siguri duhet të jetë akoma shumë më i lartë, duke pasur parasysh se shumë qytetarë zgjedhin të mos i raportojnë sulmet e tilla.

    Ndodh shpesh edhe që qytetarët që sulmohen nga qentë të rrëzohen dhe të lëndohen. Numër më të madh për raste të raportuara mban Shkupi me 1.853 sulme nga qentë, Kërcova (439), Velesi (250), Struga (177), Tetova (170), Manastiri (149), Prilepi (122), Gostivari (98), Kumanova (75), kurse në Ohër gjatë tre viteve të fundit janë raportuar (50) raste. Numri i sulmeve në disa komuna është dukshëm më i lartë sesa numri i raportimeve.

    “Besojmë se në Shkup të dhënat janë më të sakta pasi qytetarët janë mësuar nga avokatët se për çdo sulm të qenve endacak mund të marrin një dëmshpërblim të caktuar, gjë që i motivon qytetarët t’i raportojnë të gjitha sulmet”, deklaron Angelov.

    Ai u bën thirrje qytetarëve të cilët sulmohen nga qentë e rrugës, të lajmërohen në numrin 122, dhe më pas do të merren masat përkatëse nga ana e MPB-së. Ai gjithashtu beson se nevojitet sterilizimi masiv i qenve të rrugës , por gjithashtu të bëhet edhe largimi i tyre nga rruga.

    “Ne i duam qentë, por siguria e qytetarëve është me prioritet”, potencon Angellov.

    Nga arka e qytetit dhe komunës çdo vit derdhen me mijëra euro, në bazë të padive të qytetarëve të cilët sulmohen nga qentë endacak. Nga viti në vit vetëm rritet numri i padive dhe kërkesave për dëmshpërblim, prandaj nga ana e autoriteteve po kërkohet një mënyrë për të shpëtuar veten nga harxhimi i madh i mjeteve. Nga Qyteti i Shkupit dhe ndërmarrja publike për trajnimin e qenve të rrugës “Lajka” vetëm gjatë vitit të kaluar janë paguar gati një milion euro kompensim nga kafshimi i qenve endacak.

    Kundër Qytetit të Shkupit gjatë vitit 2020 janë ngritur 480 padi për të cilat përafërsisht janë paguar 250.000 euro, në vitin 2021 janë paguar 400.000 euro për 589 padi të ngritura. NP “Lajka”, e cila merr pjesë në pagesën e dëmshpërblimit, ka paguar gjithashtu të njëjtën shumë mjetesh.

    Me qëllim të zgjidhjes së problemit me fluksin e padive, por edhe për të parandaluar keqpërdorimet e mundshme me dëmshpërblimet, këshilltarët e Qytetit të Shkupit në pranverë morën vendim me anë të së cilës ankesat për kafshimin e qenve endacak do të zgjidhen në mënyrë miqësore, në vend të shkohet nëpër gjykata. Nga ana tjetër qytetarët duan që të zgjidhen problemet e kamotshme me qentë endacak, të cilët shpesh me ose pa arsye sulmojnë edhe të moshuarit dhe fëmijët. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Xhepat “bosh”, por kafenetë plot me njerëz!

    Lajmi i rradhës

    FATURAT E LARTA TË RRYMËS NË RMV | Qytetarët “hyxhym” pas paneleve diellore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë