Xhepat “bosh”, por kafenetë plot me njerëz!

    Inflacioni në vend ka arritur gati në 20%, pagat akoma janë të ulëta, përderisa nga ana e qytetarëve kemi ankesa për standarde të ulëta të jetesës, në të njëjtën kohë ata gjithashtu po frekuentojnë kafenetë çdo ditë të javës dhe jo vetëm në fundjavë. Këtë dukuri e kanë vërejtur edhe shumë të huaj që kanë ardhur për të vizituar vendin. Duke i pasur parasysh të ardhurat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, ata vlerësojnë se kjo ka të bëjë me mentalitetin e popullatës pasi siç shpjegojnë ata, në vendet e tyre njerëzit më shumë janë të fokusuar në sporte, piknik, apo në ndonjë aktivitet tjetër.

    Megjithatë ekzistojnë dallime në mes vendeve sa i përket praktikës së kafes jashtë shtëpisë pasi në disa vende kjo praktikë është e rrallë kurse në disa është e përditshme dhe normale. Helena Ceban nga Moldavia e cila kishte qëndruar për një kohë në Kumanovë si volontere, shpjegon se në periudhën kur ajo kishte qenë fëmijë rrallë kishte pasur mundësi të shkonte nëpër restorante dhe kafene pasi pagat ishin të ulëta ndërsa kostoja e jetesës e lartë.

    “Tek ne në Moldavi, nuk ka një kulturë kafeje pasi që njerëzit nuk mblidhen aq shumë sikurse në Ballkan. Unë do të thoja se shpenzimi i parave për të dalë në kafene është më shumë pasqyrim i elementit kulturor të prioriteteve dhe për këtë arsye ndoshta edhe justifikohen paratë e shpenzuara. Kjo është ajo që më ka pëlqyer më së shumti përgjatë periudhës që kam jetuar në Maqedoni. Kam takuar shumë njerëz nëpër kafenetë e Kumanovës dhe pasi mua nuk më takonte pagë, çmimet aty ishin mjaftë të arsyeshme për shijen time. Por pashë gjithashtu një anë negative tek të rinjtë, pasi ata janë të prirur që përgjegjësitë e tyre financiare t’i mësojnë pas të njëzetave ose pasi të martohen për shkak të komoditetit që ju jep jetesa me prindërit, dhe kjo mund edhe të ndryshojë perceptimin e dikujt për vlerën e parave. Menaxhimi financiar është diçka që mungon në përgjithësi tek të rinjtë”, shprehet Ceban.

    Për periudhën që kishte qëndruar në Maqedoni foli edhe Katarina Venus nga Filipinet dhe sipas saj njerëzit shpesh shkojnë nëpër kafene për të krijuar miqësi.

    “Në Filipine njerëzit për kafe dalin 2 ose 3 herë në javë, dhe ajo dalje varet nga koha e lirë ose paratë që kanë. Kemi vizituar Kërçovën, kemi qenë në Maqedoni para 3 muajsh, nëpër kafenetë e tyre kemi shkuar 1 ose 2 herë në javë”, thotë Venus. Pasi u qetësua situata me pandeminë ata duan të shoqërohen, por problem për këtë në kohën e fundit u bë rritja e inflacionit dhe kjo është arsye që ata rrallë po i vizitojnë objektet hotelerike, shpjegon Magdalena Frost nga Polonia.

    “Tashmë inflacioni është më i lartë që nga viti 1997 dhe njerëzit më rrallë po i vizitojnë restorantet dhe baret. Gjatë gjithë kohës ka rritje të çmimeve, dhe njerëzit po bëjnë llogari se sa para kanë në dispozicion. Në Poloni, të rinjtë më shpesh dalin nëpër objektet hotelerike”, thotë Frost. Nëse daljet e shpeshta pavarësisht krizës financiare janë reflektim i zakonit të një popullate, flet edhe psikologjia Milka Ololoska.

    “Në periudhën kur moti është i mirë nuk gjen vend për t’u ulur për një kafe. Kjo është pranuar si trend jo vetëm nga të rinjtë por edhe nga më të moshuarit. Njerëzit zakonisht ndjekin atë që bën shumica pasi duan të shihen. Komunikimi dhe shoqërimi janë të domosdoshme, por duhet të jenë brenda disa kufijve të caktuar”, u përgjigj psikologjia Ololoska.

    Imun ndaj trendit të rritjes së çmimeve nuk mbetën as rritjet e çmimit të kafes. Duke e krahasuar me vitin e kaluar rritja e çmimit të kafes në vend për këtë vit është 18%, ndërsa në vendet e BE-së në gusht të këtij viti çmimi i kafes ishte diku deri tek 16.9% më i lartë krahasuar me vitin paraprak. Në vend përgjatë një viti, një familje konsumon përafërsisht 9.6 kilogramë kafe. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Frymëzuese, fëmija i braktisur nga familja sakrifikon për të ndihmuar të tjerët

    Lajmi i rradhës

    Afërsisht 500 fëmijë janë sulmuar nga qentë endacakë në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë