Aggeler: Këshilli Gjyqësor nuk përmbushi detyrimet ligjore

    Ambasadorja e ShBA-ve në Shkup, Angela Price Aggeler në një prononcim ekskluziv për Alsat mbi zhvillimet në Këshillin Gjyqësor dhe veprimet e këtij organi në raport me presionet politike ndaj Gjykatës Supreme ka potencuar se këshilli nuk ka arritur t’i përmbush plotësisht detyrimet e parapara ligjore dhe se kjo nuk është drejtësia që e presin njerëzit e këtij vendi.

    “Këshilli Gjyqësor- ne teori një organ i pavarur – mban përgjegjësinë vendimtare për emërimin e gjykatësve të kualifikuar dhe disiplinimin e atyre që nuk arrijnë të përmbushin standardet më të larta. Është mandati i Këshillit të sigurojë funksionimin e duhur dhe transparent të gjyqësorit në këtë vend. Më vjen keq të them se ne kemi parë pak prova të përmbushjes së këtyre detyrave të shenjta. Qytetaret e këtij vendi meritojnë më mirë”, deklaroi Angela Price Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.

    Aggeler duke folur për vjetërsimin e akuzave në rastin TNT tha se pret nga Gjykata e Apelit të jetë në krye të përmbushjes së detyrimeve ligjore. Shefja e diplomacisë amerikane në vend thotë se akoma nuk ka informacion për vendimin e Apelit, por shton se gjykata e shkallës së dytë duhet të vendos në përputhje me ligjin.

    “Nuk e kam parë vendimin e Gjykatës së Apelit për pushimin e akuzave për rastin TNT, por do ta shqyrtojmë me kujdes, me shpresë që vendimi është transparent dhe në përputhje me ligjin”, tha Angela Price Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.

    Komentet e Aggeler vijnë pak ditë pasi ajo zhvilloi takim pune me kryetaren e Gjykatës Supreme, Besa Ademi e cila publikisht denoncoi presionet politike të ushtruara ndaj saj dhe institucionit me të cilin udhëheq ajo, posaçërisht pas kërkesës për kthimin në fuqi të abolimit nga viti 2016.

    Lajmi Paraprak

    Mijëra qytetarë në RMV vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut

    Lajmi i rradhës

    Osmani fajëson opozitën sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë