Mijëra qytetarë në RMV vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut

    Në një botë ku ritmi i jetës duket se po shpejtohet çdo ditë që kalon, shëndeti ynë shpesh bart peshën kryesore të kësaj shpejtësie të pamëshirshme. Mes një morie shqetësimesh shëndetësore, hipertensioni qëndron si një kundërshtar i heshtur por i frikshëm. Gjenetika, mosha, zakonet jo të shëndetshme të jetesës, janë vetëm disa nga faktorët që e shkaktojnë shtypjen e lartë të gjakut, apo hipertensionin. Në vendin tonë ende nuk ka statistika zyrtare për numrin e saktë të personave me këtë diagnozë, por mjekët internistë dhe kardiologë thonë se numri është në rritje.

    Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e Bankës Botërore përgatiti dhe publikoi rezultate të analizës për hipertensionin në vendin tonë. Sipas kësaj analize, në evidencën e shërbimeve të mjekëve amë në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 428.759 raste të hipertensionit esencial (primar). Nga këto raste 255.658 janë gra, ndërsa 173.101 janë burra. Numri më i madh bën pjesë në grupmoshën nga 65-74 vjeç.

    “524.000 persona të rritur janë në rrezik nga hipertensioni. Popullata e cila konsiderohet si në rrezik në të shumtën e rasteve bën pjesë në grupmoshën nga 18 deri më 54 vjet, e sidomos në mesin e meshkujve me gjithsej 173.000 diagnoza të raportuara të hipertensionit. Edhe pse vlerësimet për popullatën e rrezikuar janë të pa sigurta, statistikat e mjekëve amë tregojnë se gratë janë më të përfshira në kujdes se sa burrat në rrezik“, thuhet në analizë.

    Vlerat e rekomanduara të tensionit normal të gjakut janë nga 120 deri në 130 për atë sistolik dhe nga 70 deri në 80 për atë diastolik. Çdo gjë që është 140/90 mm e më lartë konsiderohet si tension i lartë i gjakut.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 1.13 miliardë njerëz në mbarë botën kishin hipertension në vitin 2015. Përhapja e hipertensionit ndryshon sipas rajoneve. Për shembull, në vitin 2019, përhapja në Afrikë ishte rreth 46%, ndërsa në Amerikë, ishte afërsisht 35%. Pavarësisht përhapjes së tij, një numër i konsiderueshëm njerëzish me hipertension nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre kështu në shumë raste, hipertensioni mbetet i padiagnostikuar dhe i patrajtuar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Autostrada Kërçovë-Ohër askund

    Lajmi i rradhës

    Aggeler: Këshilli Gjyqësor nuk përmbushi detyrimet ligjore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë