Aggeler: korrupsioni në RMV ka prekur çdo sektorë

    Ambasadorja amerikane Angela Ageler në një brifing me gazetarë ka thënë se vendosja e Koço Angjushevit në “listën e zezë” nuk ka të bëjë me dyshime, por me “prova të shumta” për përfshirjen e tij në aktivitete korruptive. Por, Ageler nuk bëri të ditur detaje se për cilat raste konkretisht bëhet fjalë.

    “Ka aspekte të ndryshme në të cilat nuk mund të hyj për shkak të privatësisë, sepse ne e marrim parasysh privatësinë edhe për njerëzit që i sanksionojmë. Kam dëgjuar njerëzit të thonë – pse ai. Konkretisht, një gazetar më pyeti – pse Koço, ai është një burrë i mirë. Po e them edhe një herë – ka shumë prova për raste të shumta, kështu që nuk është vetëm”, tha Ageler.

    Ajo që e bëri të qartë ambasadorja amerikane është se Koço Angjushev nuk do të jetë emri i vetëm në “listën e zezë”, por nuk deshi të përgjigjet konkretisht nëse në mesin e tyre është dikush nga familja Zaevi.

    “Mund t’ju premtoj se ka njerëz të tjerë, rastet e të cilëve janë duke u përpunuar në Uashington. Nuk dua të spekuloj se kur do të shpallen, por ju premtoj se ky nuk ishte emri i fundit”, ka deklaruar ambasadorja amerikane duke shtuar se bëhet fjalë për një proces kompleks dhe të mundimshëm që rezulton me siguri të plotë se persona të caktuar janë me të vërtetë pjesë e aktiviteteve korruptive.

    “Ka një epidemi korrupsioni në këtë vend dhe ka prekur çdo sektorë, çdo organizatë dhe vetëm duke vënë në dukje aktorët e korruptuar mund të fillojmë të ndihmojmë vendin që të merret me ato çështje”, ka thënë ambasadorja amerikane. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pesë kandidatë për një vend në KShZ

    Lajmi i rradhës

    Thaçi: në rast se nuk fiton fronti europian, mund të kemi konflikt ndëretnik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë