Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani sot nënshkroi kërkesën për para-financimin prej 7% nga Agjenda Reformuese, me të cilën, sipas mekanizmit të ri financiar europian, vendi do të ketë në dispozicion këstin e parë prej 52.2 milionë eurosh, përcjell Nistori.
“Maqedonia e Veriut, në tre vitet e ardhshme, sipas Agjendës sonë Reformuese nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, pritet të marrë mbi 750 milionë euro. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj përdorimit efikas të fondeve të disponueshme për të mbështetur integrimet evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Murtezani.
Kjo agjendë reformuese, e cila përfshin reformat thelbësore për integrimin e vendit në BE, konsiderohet një dokument kyç që do të përcaktojë drejtimin e politikave për të ardhmen. Sipas informacioneve të mëparshme, BE kishte kërkuar përmirësime në disa fusha kyçe, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe reformat ekonomike, të cilat janë kritere të rëndësishme për avancimin e procesit të integrimit.
Ndryshe, Agjenda Reformuese u miratua edhe zyrtarisht nga Komisioni Europian me 23 tetor, miratim i cili i hap rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor. /Nistori/